Presidenti, Ilir Meta, ka mbrojtur edhe njëherë vendimin e tij për anulimin e 30 qershorit duke thënë se populli do të shkonte në përplasje civile.
Në një intervistë për “Opinion”, Meta tha se në kushtet e një papërgjegjshmërie totale nga palët politike duhej medeomos një ndërhyrje.
Me tone të forta ai kritikoi edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët.
Gazetari: Pra, ju mendoni se palët ishin të gatshme të përplaseshin dhe ju shmangët përplasjen?
Presidenti Meta: Palët u përplasën. Harroni ju sa policë u dëmtuan, harroni ju gishtat e asaj polices së re që u këputën, apo ju i harruat këto?
Gazetari: Dhe ju shmangët përplasjen zoti President?
Presidenti Meta: Harruat ju Sait Dollapin, një nga udhëheqësit kryesorë të opozitës që u rrah në mënyrën më barbare dhe jo profesionale nga policia përpara kamerave dhe që edhe mund të humbiste jetën, sepse kishte bërë një operacion në zemër. Dhe ka ndërhyrë Presidenti i Republikës dhe ka bërë presion në media edhe policisë që të dërgohet urgjentisht në spital dhe pasi ka shkuar në spital ka bërë ndërhyrje kirurgjikale. Por të kishte ndodhur diçka tjetër do të ishte tjetër historia e Shqipërisë.
E pra, Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës, që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e disa ndërkombëtarëve, që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thonin: Po Presidenti çfarë bëri?
Gazetari: Pse mendoni ju se i kishit këtë rol që të paqtonit shqiptarët dhe të zgjidhnit këtë krizë?
Presidenti Meta: Ajo ishte detyra ime dhe detyrën time e kam bërë me përgjegjësi të plotë, me transparencë të plotë dhe këtë e dinë të gjithë qytetarët shqiptarë. Të gjithë ata që jo vetëm flasin shqip, por edhe që ndihen shqiptarë.
Gazetari: A jeni i bindur që e keni bërë mirë zoti Meta dhe që nuk jeni bërë palë në këtë krizë?
Presidenti Meta: Zero palë! Palë këtu është vetëm një njeri në këtë krizë, i cili donte zgjedhje me një palë, i cili donte votues vetëm me një palë….
Gazetari: Edi Rama?
Presidenti Meta: Po. Ilir Meta kërkoi që të gjithë qytetarët shqiptarë të shkonin të votonin. Jo vetëm atyre, që kjo e drejtë mund t’u mohohej për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Fatmir Mediut, Shpëtim Idrizit, Nard Ndokës, etj., por edhe atyre që duan të votojnë për Partinë Socialiste apo Partinë e Unitetit Kombëtar të shkojnë të votojnë si qytetarë europianë në mënyrë të fshehtë.
Sepse votimet me një kandidat nuk janë të fshehta, nuk janë demokratike.
Gazetari: Por kështu krijohet precedenti që nëse njëra palë nuk hyn në zgjedhje Presidenti mund t’i shtyjë ato…
Presidenti Meta: Precedenti është krijuar në vitin 2007, nuk është ky rast kur u krijua precedenti. Tani situata është shumë e rëndë se në vitin 2007, sepse asokohe ne kishim Gjykatë Kushtetuese….
Gazetari: Atëherë data e zgjedhjeve u shty pas një marrëveshjeje mes partive….
Presidenti Meta: Po edhe tani kishte një marrëveshje për të përplasur shqiptarët. Kjo është shumë e qartë. Nëse unë ju thërras që ta zgjidhim këtë marrëveshje, të lëmë një datë dhe ju nuk doni e vazhdoni të tregonit forcën…. marrëveshja ishte.
Shikoni kronikat e kohës dhe shikoni policët e lënduar, shikoni qytetarët e lënduar, kthejuni pamjeve tuaja televizive kur Tirana ishte me gaz, sikur të ishim në Gaza dhe jo në mes të Europës. Shikoni se sa policë janë ndjekur nga Prokuroria për tejkalim kompetencash, shikoni thirrjet edhe të ambasadave, që edhe policia duhet të sillet në mënyrë proporcionale etj.
Shikoni more zotëri, thirrjet e 5 udhëheqësve të komuniteteve fetare në Shqipëri, shikoni se çfarë thonë ata. Mirë Ilir Meta mund të ketë interes, mirë edhe Edi Rama ka një interes dhe ju keni një interes. Po këta udhëheqësit e komuniteteve fetare shikoni se çfarë thonë: Mos e çoni kombin drejt vëllavrasjes! Mos na çoni prapa në ‘97-n. Janë deklaratat e tyre, sepse udhëheqësit fetare nuk kanë asnjë interes politik. Ata jetojnë me hallexhinjtë, ata jetojnë me fukarenjtë.
Dëgjoni OSBE/ODIHR-in se çfarë thotë, e thotë shumë qartë. Njerëzit tanë, pra vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it, në takimet që patën me të gjitha palët përgjatë gjithë spektrit politik arritën në mendimin se duhej një marrëveshje për të shpëtuar zgjedhjet, për të shpëtuar besimin te demokracia.