E nisën udhëtimin e tyre në det si trafikantë droge dhe përfunduan në shpëtimtarë. Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në brigjet e Malagas në Spanjë.
Garda Civile e Spanjës kishte shënjestruar trafikantët, për të cilët kishin informacion se po trasportonin 3 tonë hashash.
Ata u vunë në ndjekje të motoskafit këmba-këmbës, por operacioni mori kthesë kur anijet u përplasen me njëra-tjetrën dhe tre policët përfunduan në det.
Kamerat e montuara në një helikopter policie kapën momentin dramatik kur skafi i rojeve bregdetare u largua nga kursi dhe filloi të rrotullohej rrezikshëm jashtë kontrollit.
Ndërsa jeta e policëve ishte në rrezik, ekuipazhi i helikopterit u kërkoi kontrabandistëve të drogës ti ndihmonin dhe ata pranuan.
Të tre rojet u tërhoqën nga deti, por kjo nuk i bëri ata më të butë ndaj shpëtimtarëve të tyre.
Garda Civile tha se oficerët arrestuan katër trafikantët e skafit me fuqi të lartë me akuzën e trafikut të drogës.
Droga, e paketuar në 80 pako, e kishte origjinën nga Maroku fqinj dhe mendohet se do të shitej te tregtarët spanjollë për shpërndarje të mëtejshme në të gjithë Evropën.