BallinaAktualitetDosja/ Zbardhen shkeljet e rënda që çuan në burg ish-kreun e Kadastrës:...

Dosja/ Zbardhen shkeljet e rënda që çuan në burg ish-kreun e Kadastrës: Lëshoi certifikata pronësie për …

spot_img
spot_img

LEONIDHA MUSAJ/ Ish-drejtori i Kadastrës Shtetërore në Durrës, Liridon Pula, i cili u arrestua për shpërdorim detyre, rezulton se ka favorizuar një kompani për regjistrim pronash në zonën e Gjirit të Lalëzit.

Arjan-ndoji-liridon-pula-Durresi-kadastra

Në kërkesën e Prokurorisë, Arjan Ndoja për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” për 36-vjeçarin Pula, thuhet se, janë kryer shkelje të rënda gjatë procedurës së ndjekur.

Kjo bëri që Gjykata e Durrësit të pranojë kërkesën për ish-drejtorin e Kadastrës, duke e lënë në burg pa afat.

Në dosjen e Prokurorisë qe e ka siguruar te plote “Panorama“, theksohet fakti se procedimi penal ka nisur që më 22 shtator, pikërisht një ditë pasi një qytetar ka bërë denoncim në Policinë e Durrësit.

Ka qenë pikërisht Policia, e cila pas informacionit në rrugë operative, i ka kaluar Prokurorisë materialet për rastin se në Zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës është bërë regjistrim fillestar i një numri të konsiderueshëm pasurish, në favor të subjektit investitor “Lura” shpk. Në dosje thuhet se bëhet fjalë për prona në Gjirin e Lalëzit, në zonën Kadastrale 2375.

“Këto pasuri rrjedhin nga kontrata sipërmarrjeje me pronarët e truallit, por në regjistrat e lartpërmendur nuk ishin shënuar kufizimet e sipërfaqeve takuese të pronarëve të truallit, një shkelje kjo sipas parashikimeve ligjore të ligjit për Kadastrën. Pavarësisht regjistrimit fillestar, pa u bërë përcaktimi i pjesëve takuese dhe mosnënshkrimi i regjistrave ku bëhet regjistrimi i këtyre pasurive nga specialisti jurist dhe drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, e as nuk është vulosur nga ky institucion, pas regjistrimit fillestar mbi bazën e aplikimeve të ndryshme nga shoqëria janë bërë transaksione të tjera me persona të tretë.

Nisur nga sa më sipër, është bërë këqyrje dhe sekuestrim dokumentacioni në Zyrën e ASHKsë Durrës, nga ku rezulton se janë dy kontrata sipërmarrjeje në këtë praktikë regjistrimi dhe përkatësisht kontrata e sipërmarrjes nr. 3814 rep dhe nr. 443 kol, datë 1.05.2007, e hartuar përpara noteres publike Margena Cela dhe kontrata e sipërmarrjes me nr. 2080 rep dhe nr. 1869 kol, datë 04.05.2010, e hartuar përpara noterit publik Islan Hysolli”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Gjatë verifikimit të procedurave të ndjekura për regjistrimin e këtyre pasurive, ka rezultuar se, specialistja që ka bërë përpunimin e praktikës, nuk ka firmosur. Emri i specialistes është Lusena Kolaj, e cila është ndaluar nga Policia një ditë pas nisjes së procedimit penal për rastin. Ndërkohë, vetë drejtori Pula rezulton se nuk bërë nënshkrimin e regjistrit dhe as e ka vulosur edhe dy muaj pas regjistrimit fillestar në emër të kompanisë ndërtuese “Lura” shpk.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të specialistëve të Kadastrës, që kishin për detyrë regjistrimin e saj, rezulton se nuk kanë kryer asnjë shënim në sistemin e të dhënave se kjo praktikë është përfunduar. Nga provat rezulton se përpunimi është bërë nga ana e specialistes Lusiena Kolaj, që nuk është pjesë e sektorit të përpunimit të praktikave të regjistrimit, por është përgjegjëse e një sektori tjetër pranë Kadastrës. Vetë Kolaj pranon se e ka bërë ajo këtë procedurë edhe pse nuk është pjesë e sektorit dhe nuk kishte këtë detyrë funksionale.

Nga ana tjetër, ajo ka thënë gjatë marrjes në pyetje, se për arsye ngarkese, nuk kishte arritur që të bënte plotësimin e saktë të regjistrimit dhe se plotësimin e saktë e kishte lënë për në fundjavën e 21 dhe 22 shtatorit, ndërkohë që në favor të kompanisë, pavarësisht të gjitha këtyre, ishin lëshuar certifikata pronësie, madje janë kryer dhe akte shitjeje për palë të treta. Certifikatat janë lëshuar dhe nënshkruar pikërisht nga Liridon Pula, pavarësisht se është tagri i tij që të mos nënshkruajë në rastet kur nuk plotësohen kushtet ligjore.

Nisur nga këto fakte, prokurori thekson se drejtori i Kadastrës “me dashje ka shmangur një procedurë ligjore” për regjistrimin e pronave dhe ka kërkuar arrestimin e tij, pasi ka sjellë pasoja në drejtim të interesave pasurore të pronarëve të truallit ku janë bërë ndërtimet e kompanisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular