Google po e fillon muajin e vetëdijesimit për sigurinë kibernetike duke prezantuar vegla të reja, të cilat u japin përdoruesve të kësaj kompanie kontroll më të madh mbi privatësinë kur e përdorin Google Maps, YouTube, Google Assistant dhe përmbajtje të tjera në internet.
Kompania ka konfirmuar se po e inicion modin anonim për Google Maps, të cilin këtë muaj do ta prezantojë në Android, përpara se të zgjerohet së shpejti edhe në iOS, raporton Verge.
Kur e aktivizoni modin anonim të punës në Google Maps, aktivitetet si vendi që e kërkoni nuk do të ruhen në llogarinë tuaj të Google dhe nuk do të përdoren për ta personalizuar përvojën tuaj me harta.
Sa i përket YouTube, Google po e prezanton mundësinë e fshirjes automatike të historisë dhe të dhënave tuaja për intervalin që e zgjedhni.
“Specifikoni periudhën kohore në të cilën dëshironi t’i ruani të dhënat – tre muaj, 18 muaj, ose derisa t’i fshini sipas dëshirës, ashtu siç mund të bëni me historinë e vendndodhjeve dhe aktiviteteve në internet. Vendimi është i juaji, ndërsa ne do të kujdesemi për pjesën tjetër”, shpjegoi Eric Miragli nga Google.
Në fund, Google do t’ju lejojë t’i fshini komandat e fundit zanore ose pyetjet që i keni bërë në Google Assistant pa pasur nevojë t’i hapni aplikacionet në telefon. Tani thjesht mund të thuani “Hey Google, delete the last thing I said to you” (Hej Google, fshije gjënë e fundit që ta kam thënë) ose “delete everything I said to you last week” (Fshij gjithçka që të kam thënë javën e kaluar) dhe ato të dhëna do të fshihen.
Fatkeqësisht, me anë të zërit nuk mund ta fshini më shumë se historinë tuaj javore të Google Assistant. Për këtë do të duhet t’i ndryshoni konfigurimet e asistentit tuaj me zë.