Sot ai është një talent, bilbil i muzikës popullore shqiptare dhe shumë i suksesshëm. Një gjë të tillë as do e kishte menduar në fëmijërinë e tij kur dhe u spikat si talent në fshatin e tij të lindjes, por që nuk mund të ngjitej në skenë për faktin se vinte nga shtresa të persekutuarish dhe armiqtë e klasës nuk mund të kishin kurrë një karrierë në regjimin diktatorial komunist.
Ai është Hajredin Gjeta. Talentin për muzikë ai e ka treguar më së miri duke e shfaqur veten, jo vetëm si artist i shquar, por dhe si njeri me zemër të madhe. Për herë të parë do të ngjitej në skenë vetëm në çastet e fundit të rënies së komunizmit. Kishte shkuar nga fshati dhe ishte bashkuar me babain të cilin ia kishin internuar në Rrëshen. Do të dilte në skenë kur punonte si dizenjator në Ndërmarrjen e Ndërtimit dhe falë talentit dhe aftësive u aktivizua edhe me Estradën Amatore, për të kënduar në vitet e para të demokracisë, fillimisht në mënyrë individuale për shqiptarët nëpër botë, e më vonë deri tek prodhimi i vidoklipeve me këngë duke bashkëpunuar me kompozitorët më të mirë në vend.
Suksesi sot
Përveç mjaft këngëve të suksesshme që ka në treg, Hajredin Gjeta do të spikaste së fundmi me këngën “Vinë Papmurat”, mjaft e dëgjuar ndër vite. Padyshim bashkëpunimi me një nga kompozitorët më të mirë në vend si Edmond Zhulali, njohës shumë i mirë i folklorit dibran do të bënte që me realizimin e këngës të ruaj origjinaliteti i saj dhe të lë shije mjaft të mirë te dëgjuesit. “Ishte kënaqësi të bashkëpunoja me Edmond Zhulalin. Pasi më lindi si ide, ishte dëshira ime të kërkoja bashkëpunim me një nga kompozitorët më të mirë në vend z.Zhulali. Pasi pashë cila nga këngët dibrane nuk ishte prekur nga kolegët për t’u risjellë sërish në një version tjetër për publikun, konstatova se kënga e Hazis Ndreut “Vinë Pampurat” nuk ishte marrë prej tyre për t’u kompozuar. Të them të drejtën bashkëpunimi me Edmond Zhulalin ka qenë i lodhshëm pasi si profesionist që është ai të kërkon shumë, por rezultoi i frytshëm pasi kënga është pritur jashtëzakonisht mirë. Pas realizimit të videoklipit dhe transmetimit të tij kam pasur telefonata pa fund nga mjaft njerëz si kolegë, artistë, qytetarë” – thotë Hajredin Gjeta. E ndërsa i ka pëlqyer ky bashkëpunim me Edmond Zhulalin, Hajredin Gjeta thotë se, ka dhe të tjera plane në të ardhmen madje sërish në bashkëpunim dhe me z.Zhulali ku ka nisur të realizojë sërish një këngë tjetër, por që kërkon ta bëjë surprizë për audiencën. Kënga “Vinë pampurat” gjendet në albumin e dytë të Hajredin Gjetës, “Më ka lind nëna me këmishë” ende pa u realizuar si videoklip. Ndërkohë në karrierën e tij Hajredin Gjeta ka pasur bashkëpunim dhe me kompozitorët Edi Balilin, Alban Furtunën, Shpëtim Saraçin dhe Gramoz Kozelin ku është i kënaqur me bashkëpunimin me ta. Disa nga titujt e këngëve të tij janë; kënga e realizuar me Edi Balilin: “Hajt së bashku të këndojmë” të cilën ia ka dedikuar kolegëve. “Është një këngë e realizuar mirë nga Edi Balili dhe jam shumë i kënaqur që e kane pëlqyer shumë njerëzit”- thotë Hajredin Gjeta.
I persekutuari talent
Aftësitë dhe talentin e tij për këngën do ta vinin re fillimisht në fshatin e tij të lindjes, në Ostren të Dibrës. Që fëmijë nisi të aktivizohej në Shtëpinë e Kulturës së fshatit. “Vinte sekretarja e partisë e më thoshte: “Ti djali i Destanit, nuk lejohet t’i këndosh komunistëve! Shko këndoju ballistëve!”. Mbaj mend një rast ku u përzgjodha në fshat nga grupi i ardhur nga Peshkopia, pasi kënduam para tyre dhe emri im u aprovua që të shkoja me Estradën e qytetit të Peshkopisë, në festivalin e Gjirokastrës. Më kanë zbritur nga autobusi në Shupenzë. Dikush që hipi në autobus tha: “Ata që do dëgjojnë emrat të zbresin poshtë”. Ai thirri vetëm emrin tim. Pasi më zbritën, kam ecur 11 km rrugë në këmbë për t’u kthyer në fshat natën.
Hajredin Gjeta vjen nga një familje e persekutuar e regjimit pasi familja, fisi, babai nuk iu nënshtrua kurrë komunizmit. Gjyshi i Hajredin Gjetës ishte bashkëpunëtor i Ahmet Zogut. Duke qenë se dhe nuk u pajtua me instalimin e regjimit komunist e futën në burg, i kontrolluan shtëpinë dy herë dhe e dënuan me burgim të përjetshëm duke e izoluar në burgun e Gjirokastrës. Shpëtoi nga burgu dhe u arratis por kur e kapën e pushkatuan. Komunistët sërish do të vazhdonin persekucionin pasi Hajredin Gjetës do t’i internonin dhe babain, i cili do të jetonte në Rrëshen në hotelin e Beqarëve për 38 vjet.
Babain e tij Hajredin Gjeta e shikonte disa herë në vit si për Vitin e Ri, Festat e Nëntorit etj. Vetëm pas mbarimit të shkollës e mesme në Osrtren të Madh të Gollobordës Hajredin Gjeta do të vendosej në Rrëshen.
Dalja në skenë në Rrëshen
Ndonëse si talent Hajredin Gjeta do të ishte pikasur që në Ostren të Dibrës dalja në skenë do t’i mundësohej vetëm me vendosjen në Reshën kur u bashkua me babain, teksa komunizmi po numëronte ditët e tij të fundit. “Jetoja në Rrëshen ku punoja si dizenjator në Ndërmarrjen e Ndërtimit dhe aty fillova të aktivizohem me Estradën Amatore të Ndërmarrjes së qytetit. Në atë kohë mbaj mend ka qenë shef muzike Zef Tusha në Pallatin e Kulturës Rrëshen, dirigjent ka qenë Mark Gjoka. Ka qenë i pranishëm Gjok Beci të cilët panë që unë kisha talent dhe filluan të më kërkonin të shkoja në Pallatin e Kulturës. Pastaj fillova të punojë me gjysmë orari në Ndërmarrjen e Ndërtimit dhe pjesën tjetër e plotësoja në Pallatin e Kulturës”- thotë Hajredin Gjeta. Ai thotë se i mban mend interpretimet e para në Rrëshen kur ka kënduar me Albana Lleshin këngën; “Moj e mirë, oj vetull si hëna” që sipas tij ka qenë një duet shumë i bukur në takimin e Estradave Amatore të Ndërmarrjeve. Këtë këngë e realizoi si duet Zef Tusha me Mark Gjokën. Edhe pse gjërat në dukje dukej se ishin zbutur, komunistët nuk ia kishin fshirë emrin e tij si i ardhur nga lufta e klasave dhe anashkalimi do të vazhdonte ndaj talentit Hajredin Gjeta. “Kam pasur një rast kur kemi ardhur për një regjistrim në Televizionin Shqiptar nga Estrada e Pallatit të Kulturës Rrëshen. Kisha një këngë për të regjistruar dhe kur më erdhi radha ime më thanë dil përjashta duke më nxjerrë tek korridori dhe këngën time e këndoi dikush tjetër” – thotë Hajredin Gjeta. Nga Rrësheni në vitin 1989 familja e tij ka ikur për t’u vendosur në Tiranë dhe me rrëzimin e regjimit komunist Hajredin Gjeta prej vitit 1991 nisi të këndojë në mënyrë individuale në skenat para shqiptarëve në Maqedoni, Gjermani, Amerikë, Australi për të ardhur deri tek bashkëpunimet me kompozitorët më të mirë shqiptarë.
Kush eshte Hajredin Gjeta këngëtar i njohur dhe videoklipet e tij
Ka riregjistruar një numër të madh këngësh, dy albume, bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm, balada, klipe e të tjera. Ka të kryer Fakultetin e Agronomisë. Jeton dhe vepron në Tiranë, së bashku me bashkëshorten, djalin dhe vajzën.
Më datë 8 Qershor 2009, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Lamtumir”.
Më datë 11 Shkurt 2013, Hajredin Gjeta & Artiola Toska publikojnë videoklipin “Mka Lind Nena Me Kemishe”.
Më datë 11 Maj 2013, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “S’du Me Ditë Hallet Te Shpia”.
Më datë 11 Maj 2013, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Si Mesova Une Zavalli”.
Më datë 27 Qershor 2013, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Ktheu Zemer Ktheu”.
Më datë 10 Nëntor 2013, Vaxi, Afrim Aliu & Hajredin Gjeta publikojnë videoklipin “Te Fala”.
Muzika e këngës u punua nga Besim Bunjaku, teksti u shkrua nga Besim Bunjaku. Videoklipi u prodhua nga Biggy Image.
Më datë 27 Dhjetor 2013, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Hajde Se Bashku Te Këndojmë”.
Më datë 27 Dhjetor 2013, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Shoqenia”.
Më datë 22 Shtator 2014, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Vijn Pamporat”.
Më datë 10 Dhjetor 2015, Hajredin Gjeta publikon videoklipin “Kacatorja”.
Më datë 27 Korrik 2017, Nikoleta Vokrri & Hajredin Gjeta publikojnë videoklipin “I Shkreti Burre”.
Më datë 29 Maj 2018, Alma Velaj & Hajredin Gjeta publikojnë videoklipin “S’ka Fajtore Ne Dashuri”.