Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, u shpreh se Kryeministri Edi Rama e ka ditur më herët që Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me Bashkimin Europian më 18 tetor. Ecuria e Reformës në Drejtësi dhe përdorimi i drejtësisë me disa standarde është arsyeja kryesore, sipas Palokës, se përse disa vende të BE-së nuk janë të bindura për të votuar pro Shqipërisë.
Po afrohemi drejt momentit final, pra të përgjigjes së Këshillit Europian për Shqipërinë. A ka Partia Demokratike sinjale dhe informacione se si do të votojë Holanda dhe Franca për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?
Përgjigjen për hapjen ose jo të negociatave, Rama ka kohë që e di, sepse është i vetëdijshëm që jo vetëm nuk ka bërë hapa përpara në plotësimin e kushteve, por përkundrazi ka treguar se vullneti i tij politik shkon në krah krejt të kundërt. Shihni vetëm marrëdhënien me drejtësinë të Ramës, meqë Reformën në Drejtësi e konsideron si sukses të qeverisë së tij. I kërkohet dënimi i Tahirit, Rama e dërgon në shtëpi, ndërkohë që në burg ka të rinj për një cigare hashash. I kërkohet dënimi i atyre që kanë blerë, vjedhur apo manipuluar votat, Rama degdis dosjen 184 në Dibër ku prokurore është e afërmja e njërit prej të pandehurve kryesore. E jo vetëm kaq, po pikërisht atë prokurore e merr dhe e fut në KLP. I kërkohet dënimi i të korruptuarve, Rama vetë dhe zëvendësi i tij sulmojnë hapur dhe kërcënojnë një prokuror pse ka dërguar para drejtësisë një drejtor kadastre. Madje prokurorit i thonë se është i lidhur me bandat, po as Rama e as i vogli pas tij, jo vetëm nuk kërkojnë arrestimin e tyre, por as nuk guxojnë të përmendin bandat për të cilat flasin. E kuptoni çfarë shteti? Vetëm për kaq duhet të kalben të gjithë në burg. Fshehje të krimeve dhe presion e shantazh ndaj politikanëve dhe funksionarëve të drejtësisë të lidhur me krimin. E pastaj presim të na hapen negociatat?! Rama e di që negociatat nuk hapen dhe e gjithë lufta e tij “diplomatike” së fundmi ka qenë e përqendruar në kërkesën që negociatat të mos i hapen dhe Maqedonisë së Veriut, që Rama pastaj ta përdorte këtë justifikimin e dalë boje se nuk është faji i tij po i Europës që nuk pranon zgjerimin.
Opozita ka vendosur që deri më 18 tetor, kur jepet edhe vendimi i Këshillit të Europës për Shqipërinë, të mos bëjë asnjë protestë, në mënyrë që të mos ndikojë negativisht në përgjigjen. Çfarë do të bëjë opozita gjatë gjithë kësaj kohe, si do të jetë në kontakt me qytetarët?
Ne jemi gjatë gjithë kohës në kontakt me qytetarët. Ndërkohë kemi marrë angazhimet tona që lidhen pikërisht me hapjen e pritshme të negociatave për Shqipërinë, vendim që pritet të merret më 18 tetor. Kur them “angazhimet tona” nuk kam parasysh vetëm fushatën diplomatike të zotit Basha për t’ju kërkuar vendeve skeptike hapjen e negociatave, por edhe angazhimin konkret të opozitës së bashkuar në një nga pikat e përcaktuara si kushte nga partnerët ndërkombëtar, të vetmen pikë ku opozita duhet të jap kontributin e saj, që është Reforma Zgjedhore. Edhe për këtë çështje, ne tanimë kemi paraqitur një platformë me pesë pika, së cilës Rama duhet t’i japë përgjigje, përsëri pa lojëra fjalësh e batuta boshe. Kërkesa jonë është institucionale dhe e tillë duhet të jetë dhe përgjigjja e palës tjetër.
Kryeministri Rama ka thënë se Reformën Zgjedhore, duke reflektuar rekomandimet e ODIHR, mund ta bëjë edhe me opozitën parlamentare. Ndërsa ju thoni, s’ka shanse. Si do ta pamundësoni ju reformën nëse nuk përfshiheni?
Nuk ekziston e ashtuquajtura “opozite parlamentare” dhe kjo është evidente për këdo. Opozita ka marrë vendimin dhe ka dalë nga ai Parlament prej kohesh. Sot kemi praktikisht opozitën e bashkuar përball një maxhorance të dalë nga zgjedhje të manipuluara, që përpiqet të mbajë në këmbë një Parlament të deligjitimuar dhe jashtë kornizës kushtetuese. Një pjesë e deputeteve të asaj që quhet maxhorancë janë aty me vota të blera nga krimi e me paratë e krimit, siç është vërtetuar tanimë me fakte. Ata që Rama përpiqet t’i shesë për opozitë, nuk përfaqësojnë askënd tjetër përveç vetës dhe siç e dini, janë aty tërësisht në shërbim të Ramës. Së fundi, Parlamenti me Kushtetutë duhet të kishte 140 deputetë që të kryente funksionet e tij. Rama e di shumë mirë se opozita është vetëm një, po edhe nëse ai bën sikur nuk e di, ia ka kujtuar Bundestagu që ia ka bërë të qartë te 9 kushtet se Reforma Zgjedhore mund të bëhet vetëm me opozitën e vërtetë.
A do pranojë opozita të dialogojë me z. Rama si Kryeministër, por me garancinë e ndërkombëtarëve? Kryeministri është shprehur i gatshëm për të ardhur edhe në selinë blu.
Opozita është e gatshme të dialogojë me PS-në për zgjidhjen e krizës. Përfaqësuesit e PS-së nuk i përcaktojmë ne. Por si fillim, PS-ja duhet të tregojë se ka vullnet për zgjidhjen e krizës dhe si hap i parë duhet të japë përgjigje për 9 kushtet e Bundestagut. Ajo që ne kemi deklaruar dhe i qëndrojmë, është se që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ato duhen organizuar nga një qeveri tranzitore, e cila nuk mund të ketë Kryeministër Ramën. Rama është kapur më se një herë dhe është diskretituar si manipulator dhe armik i zgjedhjeve.
A po përgatitet PD për zgjedhje të parakohshme? A do të ishte opozita gati nëse do të kemi zgjedhje në pranverë ose verë?
Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për zgjidhjen e krizës në vend dhe këtë tanimë e kanë evidentuar dhe partnerët ndërkombëtarë. Për këtë arsye, jo vetëm PDja, por e gjithë opozita është duke u përgatitur. E rëndësishme është që zgjedhjet të plotësojnë kushtet për të qenë të lira e të ndershme e që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë të zgjedhin ata që duan t’i përfaqësojnë dhe qeverisin.
Po nëse nuk ka vullnet politik për zgjedhje të parakohshme?
Rama praktikisht ka humbur çdo lloj kredibiliteti dhe çdo të drejtë për të marrë vendime që përcaktojnë të ardhmen e shqiptarëve. Ai bën mirë të interesohet për problemet që ka me drejtësinë amerikane. “Gruaja e Bilalit”, që bën Kryeministrin ne Shqipëri, ka llogari të hapura me drejtësinë amerikane për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës së SHBA-ve. Rama është mësuar ta bëjë rëndom këtë në Shqipëri, por nuk besoj se do t’ia hedh kaq lehtë edhe me drejtësinë amerikane. Emri i tij ka dalë qartë në deponime nga dy të dënuar tanimë për aferën e 80 mijë dollarëve, që u paguan në kundërshtim me ligjet e SHBA në një fushatë elektorale, me qëllim që Rama të bënte një foto me Obamën. Në SHBA nuk është as Arta Marku, as Donika Prela…
Kur mund të jetë gati platforma antikrizë?
Zgjidhja e krizës së thellë në Shqipëri, tanimë është jo vetëm qëllim i opozitës së bashkuar shqiptare, por është rreshtuar dhe në shqetësimet kryesore të BE-së për Shqipërinë. 9 kushtet e Gjermanisë që janë kushtet e Europës për qeverinë shqiptare, praktikisht janë platforma për zgjidhjen e krizës dhe në thelb të saj, janë zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme. Topi është në fushën e Ramës dhe ai ka detyrimin të përgjigjet para shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë e të mos vazhdojë me lojëra, që siç u tha dhe në diskutimet e Bundestagut, “nuk mashtrojnë dot më askënd”
Pyetja e fundit del paksa jashtë kornizës së diskutuar më sipër. Z. Paloka, ju personalisht jeni pro, apo kundër afrimit të të larguarve nga PD-ja?
Së pari duhet të kuptoni që hapja e PD-së është një politikë konstante e saj dhe me hapje nënkuptohet afrimi i të gjithë atyre që kanë të njëjtat qëllime dhe interesa me PD-në dhe me ata që PD-ja përfaqëson e që sot përbejnë shumicën e shqiptarëve. PD-ja nuk largon askënd po as nuk mund të mbaj askënd kundër dëshirës së tij. Afrimi apo largimi nga PD-ja edhe i ish-funksionarëve të PD-së është zgjedhje personale e gjithsecilit. Sigurisht dera është gjithnjë e hapur dhe një herë e përsëris, për të gjithë ata që kanë qëllime dhe interesa të përbashkëta me PD-në. MARIGLEN KUME/PANORAMA