Zgjedhjet e djeshme në Kosovë nxorrën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me kandidat për kryeministër Albin Kurtin. Por sipas politikanes së njohur kosovare, Edita Tahiri, kryeministri Edi Rama duhet të marrë mesazh nga këto votime. Sipas saj, kushdo që prek interesin kombëtar, ndëshkohet nga qytetarët e vendit.
Sipas ish-ministres, PDK pësoi humbje për shkak se Hashim Thaçi mbështeste idenë e ndryshimeve të kufijve më Serbinë.
Ish-kryenegocatorja për bisedimet me Serbinë tha gjithashtu se bisedimet Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit do të jenë një sfidë interesante si për Prishtinën dhe për Beogradin.
“Ndryshim i madh ka ndodhur në Kosovë sepse pushtetarët shkuan në opozitë. Dua të theksoj se PDK ka pasur një kohë të gjatë në pushtet dhe është dëmtuar shumë me faktin që Thaçi u mor me çështje të kufijve në dëm të Kosovës. Ky është ndoshta edhe një mesazh për zotin Rama që kur të ndodhin zgjedhje në Shqipëri do të ketë një ndëshkim sepse ishin çështje gjeopolitike dhe ne do duhet t’i mbronim interesat tona dhe jo të hynim në këto lojëra. Edhe vetë Borrel gjatë paraqitje në PE iu drejtua Ballkanit me sens politik”, është shprehur Edita Tahiri.