Nga Alma Lama
Javën e ardhshme në Santiago të Kilit, pritet të mbahet Asambelja e Përgjithshme e INTERPOLI-it, ku Republika e Kosovës ka aplikuar edhe këtë vit për tu anëtarësuar. Ky aktivitet e gjen shtetin e Kosovës në rrethana shumë të pafavorshme, me një qeveri që ka rënë e cila ishte përgjegjëse për aplikimin dhe në fazën pas-zgjedhore ku qeveria e re nuk ka shance të krijohet aq shpejt dhe të jetë prezente atje për lobim, megjithëse ky proces nuk mund të lihet për ditët e fundit.
Gjasat për tu ndarë me një fitore, në rrethana të tilla ku nevojitet një lobim i fuqishëm në planin diplomatik, i bashkërenduar me shtetet anëtare të Kuintit që përkrahin Kosovën në këtë proçes, janë fare të vogla. Ndërsa tërheqja nga procesi i votimit, do të interpretohet pashmangshëm si humbja e radhës.
Ja vlen për të sjellë në kujtesë se edhe në vitin 2017, Qeveria e sapoformuar e Kosovës u tërhoq nga votimi në momentin final, pas një vlerësimi të gabuar, për shkak se në të njejtin aplikim merrte pjesë edhe Palestina. Ndërkohë që Palestina mori votat e mjaftueshme për anëtarësim, Kosova, në tërheqjen e pamenduar pësoi fiasko për shkak të paaftësisë së atyre që u vunë në krye të diplomacisë së saj.
Por goditjen më të rëndë shteti i Kosovës e mori vitin e kaluar (2018) me dështimin në anëtarësimin në INTERPOL, ku pas proçesit të votimit u vërtetua se nuk kishte përkrahjen as të disa shteteve që e kanë njohur. Sidomos edhe pas dështimit për anëtarësim në UNESCO, tashmë në arenën ndërkombëtare Kosova po shihet si një shtet pa përkrahje, si një shtet humbës dhe i dobët, ndërkohë që Serbia po shihet si fituese. E ky perceptim është shumë i dëmshëm sidomos përsa i përket njohjeve të reja pasi përçon mesazhin se Kosova nuk ka përkrahje ndërkombëtare, se është një kuazi shtet.
Duke qenë se rrethanat në arenën ndërkombëtare nuk kishin ndryshuar krahasuar me një vit më parë, pra nuk është se pritej që shtetet që nuk e votuan Kosovën të ndryshojnë qëndrim për ndonjë arsye të veçantë, atëherë unë konsideroj se aplikimi edhe për këtë vit për anëtarësim në INTERPOL ishte një hap i gabuar, i pamatur dhe i dëmshëm, që do të diskretitojëedhe në shumëimazhin e Kosovës. Për më tepër që do të mbahet në Kili, një shtet që ka një qëndrim goxha të ashpër në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
Vendimi për aplikim, me sa kam njohuri unë është marrë nga ministri i punëve të Jashtme, pa konsultime me qeverinë, pa ndonjë strategji dhe në mënyrë amatoreske. Nuk do të ishte e tepërt të them se edhe në mënyrë të dyshimtë. Behgjet Pacolli, i ka sjellë dëme të pariparueshme diplomacisë së Kosovës si në arenën ndërkombëtare për shkak të paaftësisë dhe mungesës sëkredibilitetit të tij, ashtu edhe në MPJ me vendimet klienteliste me kuadrin diplomatik.
Për më keq, Kosova për dy vite u përfaqësua në politikën e jashtme nga një ministër që e shfrytëzoi pozitën shtetërore për të krijuar kontakte personale dhe për të bërë biznes, duke ulur në maksimum dinjitetin e shtetit. Nga ana tjetër ai i trajtoi shtetet me logjikën e shitblerjeve , sic ka vepruar me disa shtete të vogla prej vitesh si për të marrë njohjet e tyre, ashtu edhe për të kërkuar votën për INTERPOL gjë që ishte gabim i madh diplomatik.
Kujtojmë se si vitin e kaluar, duke u justifikuar para komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit për dështimin në INTERPOL shkaktoi skandal diplomatik duke ofenduar përfaqësuesit e disa shteteve për ngjyrën e lëkurës, gjëqëështë racizëm i pastër. Nuk ka gabim më të madh për një diplomat tëçfarëdo rangu se të ofendojëpërfaqësuesit e shteteteve të tjera. Kur kryediplomati flet me përçmim për gjysmën e shteteve të botës, dëmi ështëi jashtëzakonshëm, pasi fjalët e tij regjistrohen nga çdo seli diplomatike. E nese kthehemi tek anëtaresimi në INTERPOL, a besoni se këto shtete që i ofendoi ministri fatmirësisht tashmë në largim, do të vrapojnë për të votuar për anëtarësimin e Kosovës?!
Anëtarësimi në INTERPOL do të duhej të ishte një aksion i madh diplomatik ndërkombëtar ku të gjitha shtetet që përkrahin Kosovën të angazhoheshin për të siguruar votat e nevojshme, pasi vetë ne si shtet nuk kemi kapacitete për të përballuar diçka të tillë, me gjithë përkushtimin e shumë diplomatëve që punojnë në MPJ dhe nëpër ambasada.
Anëtarësimi i Kosovës në INTEPOL nuk është punë e Ministrisë së Brendshme, siçështë shprehuar ministri në një deklaratë, duke lënë të kuptohet se nuk merr erë nga diplomacia. Në rastin e Kosovës kjo është njëçështje e politizuar skajshmërisht nga Serbia, e cila me mbështetjen e fuqishme të Rusisë për arsye gjeostrategjike, janë angazhuar për t’i dhënë goditje Kosovës dhe vendeve që e përkrahin atë, pra SHBA-së dhe shteteve europiane dhe për të dëshmuar fuqinë e tyre në një konkurencë ndërkombëtare. Rusia, me të cilën Pacollin e lidh e shkuara korruptive, dëshiron të shfrytëzojë Kosovën për të treguar muskujt e saj në dipolmacinë botërore.
Prandaj në këto kushte, unë jam shumë pesimiste që javën e ardhshme Kosova do të korrë rezultat të ndryshëm nga ai i vitit të kaluar përsa i përket anëtarësimit në INTERPOL.