BallinaOP EDGjymtimi i universiteteve publike

Gjymtimi i universiteteve publike

spot_img
spot_img
Nga Luçiano Boçi 
Nesër nis procesi akademik në Universitete dhe gjithçka i ngjason një situate pas lufte. Universitetet publike janë tashmë të shpartalluara plotësisht e të gjymtuara. Nuk shërbeu as protesta e studentëve e as akreditimi, për të cilin pothuaj nuk flitet më fare, që ato të fillonin të ringriheshin.

Procesi i regjistrimit të studentëve vazhdon në një ritual që prodhon vetëm absurditet, drama dhe gajasje, ku vende bosh në degë të caktuara ka plot, por maturantë që i dorëzohen rrugës, ka me mijëra. Nuk ka më as meritë dhe as preferencë.

Matura ka kohë që është vrarë, ndërsa cilësia që prodhohet falë pasionit individual të mësuesit e nxënësit në shkollat tona më të mira, zhvlerësohet nga inflacioni i notave të periferisë, ku vlerësuesi më së shumti nuk është shkolla. Është politika që fut hundët.

Inxhinier në Shqipëri bëhesh dhe po ta kesh mesataren 6 e matematikën e fizikën 5, por nuk mund të bëhesh psikolog, ose sociolog nëse nuk e ke 7.5, sipas mençurisë së Ramës. Me 6 del dhe jurist dhe ekonomist dhe infermier, por jo mësues i ciklit fillor.

Askush nga qeveria nuk denjon të shohë realitetin mjeran të ulur këmbëkryq atje në ‘atelienë’ që prodhon elitën e një vendi. Mjerim financues, mjerim shkencor, mjerim akademik.

Braktisja, përçmimi dhe linçimi i akademizmit dhe shkencës vazhdon me pasionin e një të çmenduri dhe krenarinë e injorantit.

Pa cikël të tretë studimesh, pa Këshill Profesorësh, por dhe tani pa numër studentësh, shumica e Universiteteve publike kanë humbur, jo vetëm shkëlqimin e dikurshëm, por kanë humbur dhe emrin.

Tashmë janë thjesht ca Kolegje të rëndomta, të shpërndara në territor, që në shumicën e tyre prodhojnë ‘krahë pune’ të freskët për vendet e zhvilluara, që shpërndajnë dije nënmesatare dhe që në luftën për mbijetesë, janë shndërruar në ndërmarrje ekonomike të lodhura, ku çfarë nuk ndodh.

Universiteti i Shkodrës, i Elbasanit, i Korçës, i Vlorës, i Durrësit më pak, kanë humbur këtë vit akademik, degët më themeltare: historinë, gjuhën, matematikën, fizikën, biologjinë, kiminë, gjuhët e huaja, por dhe më të rejat disi psikologjinë, filozofinë, sociologjinë dhe janë mpakur në degë si ekonomiku me derivatet e tij, gazetari, gjuhë angleze etj.

Kaosi që do lindë nga ky zhbalancim do japë efektet negative në shoqëri dhe ekonomi pas disa vitesh.

Ndërkohë, kanë rritur fiktivisht pa respektuar dinamikën e kërkesës së brendshme, degët që nxisin rininë drejt një braktisje pa kthim.

Madje Universiteti i Gjirokastrës ‘po mbledh plaçkat’ për të shkuar i sigurtë drejt fikjes.

Ndërsa Universiteti i Tiranës, ndonëse nuk cungohet në degë, copëtohet në territor dhe në laboratorin natyror.

I rrëmbehet me një grabitje perfide Kopshti Botanik duke e lënë në qiell të hapur Fakultetin e Shkencave pa zemrën e procesit akademik e të kërkimit shkencor.

Kësisoj gjymtimi fizik i Universiteteve publike është apokaliptik.

E brenda këtij gjymtimi, entuziazmi politik qesharak i qeverisë për suksese reformash nuk resht.

Besa nesër do flasë për paktin, duke lënë pa përmendur faktin dramatik të situatës, shpartallimin e Universitetit publik dhe kërkimit shkencor. Përkundrejt Besës fatlume, studentët fatkeqë do vazhdojnë të paguajnë përsëri më shumë tarifa për ciklin e parë dhe për masterin, do ulen po në të njëjtët auditorë pa ngrohje e kushte optimale, pa laboratorë bashkëkohorë e pa shpresë në të ardhmen e në fund do marrin një karton me të cilin do kënaqin vetëm familjarët, por aspak ambiciet e dëshirat e tyre jetësore.

Pedagogët do vazhdojnë të jenë thjeshtë ca mësues të papërkrahur, të papaguar si kolegët e tyre parauniversitarë dhe të anatemuar me mëkatet e tyre mbi shpinë.

Rama do listojë arritjet e tij për profesionistët që do mbushin vendet e punës imagjinare që ai promovon me propagandë, duke lënë mënjanë eksodin akademik të 12 mijë studentëve më të mirë që këtë vit braktisën vendin. E braktisën për shkak të tarifave marramendëse, për shkak të mungesës së të ardhmes, për shkak të rrënimit ekonomik e social.

Do i bjerë gjoksit që e futi në shina ‘çaf-çufi’ Akademinë me Gjinushin e vet. Do shajë ‘me kuç e me maç’ stafet akademike e studentët ‘dembelë’ e ‘mbetës’ që duan favore sipas tij. Do lavdërohet për ekselentë të cilët janë të tillë fale vetes e familjes e jo falë Ramës dhe që ky realisht i ka lënë të ecin spontanisht pa asnjë orientim dhe pa asnjë mbështetje.

Asnjë fjalë nuk do artikulojë për atentatin që i ka bërë Universiteteve publike që me Ligjin e Arsimit të Lartë e në vazhdim. Asnjë fjalë për mungesën e financimit për Universitetet. Asnjë fjalë për shkurtimin e sivjetshëm me aktin normativ të buxhetit për Arsimin e Lartë. Asnjë argumentim për xhevahiret e tij kryeministrore, që Bachelorin në degët e mbyllura e konsideron mësuesi, kur profesioni nis kristalizohet me masterin. Asnjë fjalë për braktisjen e studentëve në mëshirë të fatit.

E pas kësaj maskarade Universitet e çala publike nga nesër do nisin zvarritjen e tyre inercike drejt askundit, në një vend që shkon drejt askundit, duke u tërhequr zvarrë prej një askushi në krye.

Por nesër vjen dhe një shpresë. Studentët do nisin rrëzimin e absurdit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular