Trajneri i Kosovës, Bernard Shaland, doli ditën e sotme në konferencë për shtyp, para ndeshjes që ekipi i tij luan nesër ndaj Malit të Zi
RRUGA PËR NË EUROPIAN – Tani për tani nuk po mendoj për Nations League, nuk është koha, edhe në kualifikime mund të arrijmë suksese. Kemi një ndeshje nesër, kundër Malit të Zi. Për mua s’ka ndryshuar asgjë përveç fitores së Çekisë. OK tani është më vështirë, por nuk mendoj për ndeshjet e radhës. Ndoshta nëse Anglia do të kishte fituar në Çeki edhe barazimi do të na kishte hyrë në punë, por sido që të jetë ne shkojmë ndeshje pas ndeshje dhe duhet të fitojmë atë të radhës, kundër Malit të Zi. Në fund të kualifikimit nëse nuk është siç kemi menduar, atëherë kemi opsionin tjetër nga Nations League.
ËNDËRR – Nëse duam të vazhdojmë të ëndërrojmë, duhet të fitojmë ndeshjen e radhës kundër Malit të Zi, duhet të fitojmë, më pas flasim. Duhet të jemi të fokusuar dhe të luajmë futbollin tonë, të tregojmë kualitetet që kemi. Për mua me rëndësi është që t’i marrim ndeshjet një nga një. Presioni nganjëherë është i mirë, nganjëherë jo i mirë, mua më pëlqen. Luajmë në Prishtinë ku s’kemi pasur asnjë humbje. Duhet të japim maksimumin dhe të tregojmë gjithçka në fushë. Këtu ka eufori është një ndjenjë e mirë e përgjithshme, kemi ekip të mirë që mundohen të japin më të mirën nga vetja. Gjithmonë them; kurrë mos harroni se si kemi pasur sukses deri më tani.