Historia e dytë në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, është një histori konflikti, ku vëllai dhe motra nuk flasin bashkë prej 30 vitesh. Gjithçka nisi për gjysëm metri tokë. Shtëpitë e tyre janë shumë afër njëra –tjetrës, ndahen vetëm nga një gardh, por ndërtimi i bahçes së Arifit duke hyrë në pjesën e tokës së motrës fillloi problemet dhe grindjet mes tyre. Edhe pse kanë kaluar shumë vite ai ka ardhur në studio dhe ka ftuar motrën e tij për t’i kërkuar falje dhe për të përmbushur amanetin e nënës.
Ardit Gjebrea-Vetëm për gjysmë metri tokë ?
Arifi- Për gjysmë metri tokë, faji më ngelej mua.
Ardit Gjebrea-Shtëpinë me motrën ti e kishe ngjitur?
Arifi- Bahçja ishte 100 metër larg ndërsa shtëpia 10 metër larg. Gardhi na ndante por nuk flisnim më.
Ardit Gjebrea-Fëmijët tuaj flisnin me njëri-tjetrin apo mbanin mëri?
Arifi-Flisnin. Ka një djalë më të madh, me atë flas edhe unë.
Ardit Gjebrea-Po me fëmijët e tjerë flet?
Arifi-Nuk flisnim. Ikën edhe në Greqi, u larguan.
Ardit Gjebrea- Po fëmijët me njëri-tjetrin, si i kanë marrëdhëniet?
Arifi-Mirë i kanë tani, nuk i kanë keq por ishte puna atëhere kur bëheshin dasma, nuk vinim, as më ftonin. Patëm dhe një rast vdekjeje dhe më dëbuan nga shtëpia por jo kunati, vëllezërit dhe unë u acarova ca, dhe unë i jepja ndonjëherë gojës.
Ardit Gjebrea-Por ku kishte dasëm në shtëpinë e motrës, ti e dëgjoje gëzimin, harenë, 10 metra më tutje?
Arifi-Ikja nga Berati unë, nga inati dhe bëhesha si i dytë. Kur martoi djemtë këmbeheshim me nuset dhe thoshin si je dajë. Nuk jam kriminelë thoja unë. Më vinte turp. Nëna vajti 90 vjeçe dhe ma la si amanet pajtohu. Nuk vinte njeri të më thoshte, e ke ti gabim ose asaj dhe të na mblidhte. Edhe vëllezërit mbanin nga motra dhe mbeta unë i ligu. Nëna më tha nëse nuk pajtoheni nuk do më treti dheu.
Ardit Gjebrea-Nëna nuk jeton më?
Arifi-Nuk jeton. Ka tre vite.
Ardit Gjebrea-Nuk ju pa bashkë?
Arifi-Nuk na pa. Nuk beson njeri. Pashë ëndërr.
Ardit Gjebrea-Ke parë nënën në ëndërr?
Arifi- Sikur më këshilloi. U mendova me veten time. Unë jam 74 vjeç, motra 76 vjeç, se kush do vdesi i pari nuk dihet. Kush do i hedhi një lopatë dhe. Prandaj e thirra që t’i kërkoj falje. Unë i kam fajet e shumta. I kërkoj dhe kunatit falje.
Arifi përlotet teksa tregon historinë e konfliktit me motrën e tij dhe emocionohet kur e shikon atë në studio.
Vera-Më thanë të gjithë, ai të ka thirrur, por unë s’e besoja.
Arifi- Mua më erdhën mendtë vonë dhe të kërkoj falje ty dhe burrit tënd. Dembelët dhe spiunët na kanë nxitur më shumë. Unë derën e kam të hapur të më vini.
Vera- Motra t’i ka falur të gjitha se jam motër dhe jam më e madhe. Burri im nuk të vjen nga pas. Ti e bëre këtë punë por e bëre me vonesë. Të ra fuqia se kështu jemi ne fshatarët, për një copë tokë. Unë fëmijët i martova pa ty. Ti doje kapital, tokë, e hodhe poshtë motrën. Kur kalon te rruga, unë me të qarë kaloj. Të ra këmba, dora dhe harrove pronën dhe kërkon motrën.
Arifi-Do vdesim pa folur.
Vera- Ja u pajtuam, më shkoi jeta duke qarë. Kur bëja dasmën më shumë qaja se gëzoja.
Arifi- Edhe unë qaja në shtëpi.
Vera-Nuk e dua faljen. Unë sot për nesër jam.
Ardit Gjebrea- Nëse do vij Arifi do ja hapësh derën?
Vera- Unë ja hap po burri nuk ja hap. Burri më ka thënë dhe në vdekjen time jo. Unë për çdo gjë të kam ardhur dhe jam grindur me burrin.
Arifi-Unë ju kërkoj falje me gjithë burrë.
Vera-Ti nuk deshe kunat, motër, nipa dhe mbesa, doje pronë.
Ardit Gjebrea- Do ta lejosh Arifin të të japë një përqafim?
Vera- Po, po të përqafohemi.
Mes lotësh dhe duar që dridhen, vëlla e motër përqafohen pas 30 vitesh hatërmbetje. Por emocioni ishte më i madh kur Ardit Gjebrea thotë se kunati ka marrë në telefon dhe ka thënë se e fal Arifin. /tvklan.al