Një performancë fantstike e djemve të Edi Rejës në Kishinau, që shpartallojnë Moldavinë me një rezultat të pastër 4-0, duke e siguruar suksesin që në pjesën e parë. Një rezultat që fatkeqësisht nuk na hap dyert e Euro 2020, pasi barazimi mes Francës dhe Turqisë, i ka hequr Shqipërisë dhe atë mundësinë e çmendur që kishte në dispozicion… të mposhtte Francën 4-0 në Tiranë!
Por tashmë duhet t’a lëmë pas shpine këtë fushatë eliminatore dhe të shohim gjërat më pozitive të saj, ku padyshim ardhja e Edi Rejës qëndron në majë të listës. Veterani i trajningut italian ka rinovuar ekipin dhe i ka dhënë dinjitet skuadrës në fushë, ndërsa në Moldavi i dha besim të plotë dyshes sulmuese Manaj-Cikalleshi, por edhe portierit Strakosha, që me gafën në Stamboll kushtëzoi përfundimisht shanset e Kombëtares për të bërë më tej.
Në Kishinau ndeshja nuk ka histori! Shqipëria shënon në minutën e 22-të falë gjakftohtësisë së Sokol Cikalleshit, dyfishon 12 minuta më pas me Keidi Baren, që nuk e lë pa hapur dhuratën e ofruar nga portieri moldav dhe i vë kapak me golin e Lorenc Trashit, mbrojtësi i Partizanit që u la jashtë me kokfortësi nga Kristian Panuçi, por gjeti debutimin dhe golin e parë menjërherë me Rejën.
Në limitet e kohës së rregullt, Manaj shënon një gol alla-Betega pas asistimit perfekt të Roshit, ndërsa për t’u shënuar dhe debutimi i Marash Kumbullës dhe Lindon Selahit, dy prej talenteve më premtues për të ardhmen! Sot, më mirë se kaq nuk mund të bëhej!