Kur kanë ngelur edhe 3 ditë nga data 18 tetor, ku Këshilli i Europës do të japë vendimin për çeljen apo jo të negociatave të Shqipërisë për në BE, vjen një reagim nga kryeministri Edi Rama. Përmes një videomesazhi, kreu i qeverisë tha se aktualisht BE ka në tryezë shumë ‘patate të nxehta’ që po trajtohen, siç është edhe BREXIT.
“Vijon debati në BE për dakordësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shumica dërrmuese duan çeljen e menjëhershëm të negociatave, edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; Pa kushte. Gjermani, që udhëheq ‘PO’ që ka zgjedhur një pozicion të ndryshëm nga ai i shumicës së vendeve anëtarë. Ajo e ka lidhur ‘Po’ me disa kushte për të afruar Francën dhe dy a tri vende që deri më sot janë në një pozicion të pafavorshëm lidhur me pritshmëritë. Franca apo dy a teri vende nuk kanë dalë nga në ndonjë pozicion përfundimtar. Siç nuk është e mundur që mund të lëvizin vendimin, por edhe mund ta ndryshojnë nga pozicioni. Presidenti i Francës ka një vizion dhe qasje publikisht të shpallur që prej ditës së parë për deformimin e thellë të Unionit, përpara se të vazhdohet me zgjerimin. Kjo qasje e Francës është konceptualisht në përputhje nga pikëpamja tradicionale. Por ka rëndësi të kuptohet që nuk është qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë. Asgjë nuk mund të përjashtohet deri në minutën e fundit. Askush nuk mund të përjashtohej se sa patate të nxehta janë në tavolinën e BE. Siç është dhe BREXIT, apo çështje të tjera, si fronti i luftës në Siri. Fjala e fundit është në 18 tetor”, tha Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se cilido të jetë vendimi i BE-së, dielli do të lindë përsëri dhe përpjekja e Shqipërisë për hyrjen në Europë do vijojë.
“Unë nuk e di sot, askush nuk e di në fakt se si do të përfundojë kjo Odise në datën 18 tetor. Por ja çfarë di me siguri dhe dua të ndaj me ju sot. E para, përtej tërë spekulimeve, gënjeshtrave e broçkullave për konsum të brendshëm politik në Shqipëri, vendimmarrja e 18 tetorit nuk ka asnjë lidhje me çfarë kemi bërë apo s’kemi bërë ne për të merituar “Po”-në. Kaq e vërtetë është kjo sa ç’është e vërteta se sikur sot në vendin e Shqipërisë dhe Maqedonisë të ishin dy vende të tjera që janë pjesë e BE-së, situata e tyre do të ishte po njësoj, pa asnjë ndryshim. Sepse, dhe këtu vijmë tek e dyta, vendimmarrja ka lidhje thelbësore me çfarë duan apo nuk duan të bëjnë ata anëtarët e unionit mes veti, me reformën e Bashkimit Evropian dhe me metodologjinë e negociatave me vendet kandidate. Dhe me sa do ta arrijnë mes tyre të dakordësohen me faktin se cilado qoftë reforma e BE-së, ajo nuk duhet t’i pengojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në tërësi të vazhdojnë reformat e tyre falë procesit të negociatave. E treta, ne kemi arritur të bëjmë më shumë se sa thjesht detyrat e shtëpisë për të cilat Komisioni i ka dhënë Këshillit rekomandimin për çeljen e negociatave pa kushte sepse me forcën e diplomacisë dhe falë marrëdhënieve të forta të respektit dhe besimit që kemi krijuar në Berlinin zyrtar, ia kemi dalë të kapërcejmë pengesën e lartë që u ngrit në Bundestag edhe si pasojë e planit politik kundër negociatave që vuri në zbatim opozita jashtëparlamentare nga janari deri në fund të qershorit. Falë komunikimit intensiv dhe të sinqertë edhe me faktorë të rëndësishëm në CDU/CSU si dhe falë mbështetjes së tyre për Shqipërinë Bundestagu i tha “Po” Shqipërisë dhe sot Gjermania është avokati ynë i madh në këtë proces shumë të komplikuar. Për pak ditë do të mësojmë për përfundimin e këtij kapitulli të vështirë të historisë dhe përpjekjes sonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Por cilido qoftë ai përfundim të nesërmen e mbledhjes së Këshillit Europian, dielli do të lindë përsëri dhe dita do jetë vazhdimi i natyrshëm i kësaj përpjekje historike shtetbërjeje europiane drejt Europës dhe Shqipërisë europiane që duam për fëmijët tanë, jo për Brukselin, jo për Berlinin, jo për Parisin, jo për BE-në por për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjeneratat e tjera. Cilido qoftë vendimi i BE-së, dielli do lindë përsëri, përpjekja jonë do vijojë”, deklaroi Rama.