Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, njëherësh dhe drejtor i Hekurudhave, Ani Dyrmishi, ka reaguar në një lidhje telefonike për “News24”, menjëherë pas denoncimit të Partisë Demokratike se është qëlluar në drejtim të makinës së tij dhe se policia po fsheh ngjarjen.
“Është një ngjarje që nuk ka të bëjë fare me mua. Nuk kam pas asnjë lloj atentati në drejtimin tim apo të makinës sime, pasi unë nuk përdor makinën time, por një makinë tjetër, që e përdor, dhe që është goditur. Në fakt, muajt e fundit nuk e kam përdorur. Nuk kam qenë në makinë, kur është qëlluar”, ka deklaruar kreu i Këshillit Bashkiak të Durrësit.
E konsideroni paralajmërim ndaj jush?
Absolutisht jo, sepse unë nuk kam konflikte as personale dhe as në lidhje me detyrën, por gjithsesi duhen bërë hetime dhe të sqarohet ngjarja.
Ç’keni për të thënë për atë që tha Xhaferri?
Edhe fakti që ka pas debate në mbledhje është keqinterpretuar, ne bëjmë debate dhe do vazhdojmë të bëjmë.
Pse mund të jetë qëlluar?
Mund të jetë qëlluar edhe … makina është në rrugë, nuk është në vend privat. Unë kam qenë në gjumë, kur jam njoftuar për ngjarjen. Më telefonuan organet kompetente në Durrës, por makina nuk ka lidhje me personin tim. Unë lëviz i lirë dhe i qetë në gjithë Durrësin, sepse më njohin shumë mirë të gjithë qytetarët.
Burimi: BalkanWeb