Kërcënimet me burg e arrestime nuk i kanë tërhequr banorët e “Unazës së re” të cilët kanë dalë sërish në mbrojtje të shtëpive të tyre që qeveria Rama dhe Bashkia e Veliaj kërkon ti shembë për të vjedhur miliona euro të projektit.
Në vendin e përhershëm, që prej afro 1 vit, ata kanë dalë sot më të shumtë në numër dhe më të vendosur, pavarësisht lodhjes maratonë sa në polici, në gjykatë dhe frikës që policë pa uniformë u krijojnë nëpër lagje.
Edhe sot, ish-deputeti i PD Klevis Balliu iu është bashkuar qytetarëve të “Astirit” në protestën e tyre.
Pasi la qelinë e burgut, Balliu në fjalën e tij deklaroi se është krenar që është pjesë e Partisë Demokratike.
Ai shtoi se protesta është tërësisht paqësore, ndërsa ka shtuar se Edi Rama nuk e do Shqipërinë në Europë.
“Jam krenar që jam pjesë e Partisë Demokratike. Edi Rama nuk do që të shkojmë në Europë. Shqipëria ka sot nevojë për qytetarët dhe jo për bandën e Habilajve. Ja ku janë qytetarët, qeveria të japë orën dhe datën dhe qytetarët janë gati të dialogojnë. Të dialogohet në lidhje me këtë çështje kaq shumë delikate për banorët e Unazës së Re.
Ne duhet të nxjerrim nga burgu 3 heronjtë tanë. Iu bëj thirrje gjykatave që të nxjerrin heronjtë tanë, që janë baballarë. Ftoj që të gjithë qytetarët që të vazhdojnë protestën, në mënyrë paqësore, pasi nuk po shkelim asnjë ligj. Kjo është një protestë për kauzë kombëtare”, u shpreh Balliu gjatë fjalës së tij.