Gishti i ngritur i ambasadorit të OSBE-së, Borschardt, ndaj protestuesve të “Astirit”, si përgjigje e thirrjes së tyre “Shame on you” dhe pastaj ndjesa e tij për këtë akt, duhen parë si metaforë e raportit të ndërkombëtarëve me shqiptarët, që po ndeshen me arrogancën skandaloze të pushtetit.
Sipas meje, “Shame on you” duhet interpretuar si një thirrje e shqiptarëve drejtuar jo thjesht OSBE-së, por edhe ambasadës amerikane, asaj të BE-së e të tjerë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në punët tona; gishti, si përgjigjja e tyre e parë që tregon se janë bërë palë me qeverinë, kurse ndjesa si një shenjë se ata edhe mund ta tërheqin këtë gisht, meqë për gishta në b…ë shqiptarët e gjorë kanë boll atë të Edi Ramës e të oligarkëve e kriminelëve që bashkëpunojnë me të.
Sigurisht, ndërkombëtarët kanë edhe argumentet me të cilat e mbështesin gishtin ndaj shqiptarëve që protestojnë. Një nga argumentet që më ka qëlluar të dëgjoj më shpesh në bisedat me ta, është ai: “Po cila është alternativa?”; në kuptimin se edhe opozita, me këta që nxjerr në rrugë, është e njëjta gjë; se nuk ka ndonjë forcë të re (alternativë) që ta mbështesin. Është një argument që e përdorin edhe shumë shqiptarë, madje dyshoj se ndërkombëtarët e kanë huazuar nga shqiptarët. Edhe mund t’u japësh të drejtë, po të kemi parasysh se mendimi “nuk ka alternativë” ka ardhur duke u forcuar, për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme me partitë që na kanë qeverisur dhe se nevoja për njerëz të rinj të besueshëm ndihet fort në vend.
Por gjykoj se ndërkombëtarët, që pretendojnë të jenë aktorë të rëndësishëm ndryshimi në vendin tonë, nuk mund dhe nuk duhet të adoptojnë kurrsesi shprehjen “nuk ka alternativë”. Kjo, sepse në këtë argument ka një kontradiktë, që lidhet me faktin se demokracia nuk është një zgjidhje apo zgjedhje përfundimtare nëpërmjet një alternative, sado e mirë dhe e dëshirueshme të jetë kjo, por është një proces pa fund. Edhe vetë ideja e negociatave për pranimin në BE nënkupton një proces ku ndërkombëtarët kanë një rol të rëndësishëm, që nuk është mbështetja e një “alternative”, por ndikimi në proces me atributet e një pale që luan rolin e arbitrit të paanshëm midis palëve në proces, që ka si busull parimet e shtetit të së drejtës, ligjin, vlerat më të mira europiane; një arbitër, pra, që ndëshkon çdo shkelje, nga cilado palë qoftë, duke bërë që procesi të mos degjenerojë, por, përkundrazi, të edukojë edhe aktorët e procesit vetë.
Aq më tepër duke pasur parasysh se shqiptarët, të padalë ende nga infantilizmi ku i la diktatura, i shohin ndërkombëtarët si të vetmin faktor që mund ta luajnë këtë rol. E pra, gabimi i madh i ndërkombëtarëve si ambasadori i OSBE-së është se, në vend që të luajnë këtë rol, janë bërë dukshëm mbështetës të palës në pushtet dhe përdorin shprehjen “nuk ka alternativë” për të justifikuar partizanërinë e tyre, apo për të larë ndërgjegjen për mosveprimin apo paaftësinë për të luajtur rolin e arbitrit të paanshëm aktiv që shqiptarët presin prej tyre, (por edhe taksapaguesit europianë).
Këtë e provoi edhe gishti i OSBE-së kundër protestuesve të “Astirit”. Dhe rasti në fjalë është shumë kuptimplotë për të ilustruar çfarë po them, sepse ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e Reformës në Drejtësi, që u konsiderua lëvizja më e rëndësishme e ekipit të fundit të tyre në këta 30 vjet. Të gjithë e dinë tashmë, prej thuajse një viti, se tek “Astiri” po tentohet të vihet në zbatim një plan megakorruptiv i qeverisë Rama, që përfshinte vjedhjen e rreth 20 milionë dollarëve.
Të gjithë e dinë se ky plan ka shkelur ligjin ndaj banorëve që protestojnë, të cilëve po u prishen shtëpitë në mënyrën më të paligjshme. Të gjithë e dinë se Prokuroria e Reformës në Drejtësi nuk ka vepruar ndaj këtij skandali megakorruptiv, por vepron sistematikisht me arrestime për të mposhtur rezistencën e banorëve. Si është e mundur që arbitri garant i Reformës në Drejtësi, jo vetëm nuk mban asnjë qëndrim për mosveprimin ndaj këtyre skandaleve të mëdha, por u nxjerr gishtin qytetarëve që protestojnë!
E pra, Reforma në Drejtësi nisi me mbështetjen edhe ekonomike të ndërkombëtarëve, për të ndryshuar diçka për mirë në Shqipëri. Ata u paralajmëruan se Edi Rama synonte kapjen e drejtësisë, por le të pranojmë se ata i besuan dhe e mbështetën në emër të së mirës, ndoshta edhe pse besonin se Rama ishte “alternativa”. Kishte shumë që nuk besonin te Rama, por besuan se ndërkombëtarët, si arbitër të paanshëm, do të ndërhynin sapo të shihnin shenjat e para se Reforma po çohej në hullinë e kapjes së drejtësisë për qëllime të mbrapshta.
Mirëpo, kjo nuk ndodhi e nuk po ndodh ende, përkundrazi. Në një vend ku flitej aq shumë për premtimin e një drejtësie të paanshme, edhe anëtarët e Partisë Socialiste do të duhej të reagonin e të mos pranonin një Kryeprokurore të zgjedhur kundër frymës së Reformës, si Arta Marku, e jo më ndërkombëtarët. Kurse ata e mbështetën dhe vazhdojnë ta mbështesin, madje jo vetëm, por i tregojnë gishtin protestuesve të mjerë që shohin se si përditë Arta Marku e përdor Prokurorinë kundër tyre në emër të korrupsionit e vjedhjes së pushtetarëve.
Sipas mendimi tim, “Shame on you!” është më e pakta që mund t’u thuhet ndërkombëtarëve tanë; edhe ndjesa e tyre për gishtin duhet mirëpritur, por pas kësaj shqiptarët duhet të përveshin mëngët që ta nxjerrin gomarin vetë nga balta dhe jo të kërkojnë një “alternativë” ndërkombëtarësh të tjerë që t’ua nxjerrë atë. Panorama