Nga Xhemal Gjunnkshi
Kemi pritur me ankth marrjen e “dritës jeshile” për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por të gjithë treguesit çojnë drejt një përfundimi: Ashtu si në rastin e shtyrjes edhe në atë të një “pjo-je”, kushtet e hapjes reale të negociatave janë të jashtëzakonshme.
A nuk janë po këta shqiptarë, ky popull, këto institucione të cilët morën një “PO” për integrimin e plotë në NATO?
Një “PO” jo vetëm pa kushte, por përkundrazi, më një duartrokitje të madhe?!
Sigurisht, mbështetja dhe dashamirësia e partnerit tonë strategjik përtej Atlantikut ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Por, rrugëtimi i tejzgjatur, i vonuar, pothuajse i padrejtë në anëtarësimin në NATO të Maqedonisë së Veriut, disa vite pas Shqipërisë, dëshmon më së miri që dhe integrimi në NATO nuk ishte një proces automatik, sikurse shumëkush e mendon.
Integrimi në NATO ka kërkuar miratimin e të gjithë vendeve anëtare, plotësimin e një numri të madh kriteresh paraprake dhe arritjen e një niveli minimal të standardeve të sigurisë së vendeve anëtare.
Integrimi në NATO ka qenë një proces kompleks, që ka kërkuar një angazhim maksimal jo vetëm të Forcave të Armatosura por edhe të Institucioneve Shtetërore dhe Agjencive të Sigurisë Kombëtare, disa ministrive si Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme etj.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur gjithashtu edhe Parlamenti, duke siguruar një mbështetje pothuajse bi-partizane. Janë me qindra e mijëra ushtarakë, ekspertë, nëpunës civilë, të zgjedhur e drejtues të Shtetit Shqiptar, që nëpërmjet një angazhimi profesional, skrupuloz, patriotik e atlantist, janë sakrifica dhe investimi i pakushtëzuar i këtyre njerëzve, në shërbim të shtetit shqiptar që mundësoi anëtarësimin në NATO, pa asnjë kusht.
Është pasioni për t’i shërbyer vendit, vizioni i drejtuesve më të lartë të Shtetit, që nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme Basha e deri tek Kryeministri Berisha, është vendosmëria për të zbatuar një program qeverisës që i shërben realisht shtetit dhe jo “interesave okulte” të disa individëve… Janë këto faktorë që bëjnë sot diferencën, përse integrimi në NATO u përmbyll me sukses, ndërkohë që integrimi në BE po shtyhet me turp për të gjashtën herë!!!
Prandaj, ndryshimi del sot në pah më tepër se kurrë. Në rastin e integrimit në NATO, është idealizmi dhe profesionalizmi i Forcave tona të Armatosura që i bëri ata të arrijnë këtë sukses historik për mbarë kombin shqiptar, e të ndjehen të barabartë mes të barabartëve në familjen tonë të përbashkët NATO.
Forcat e Armatosura mundën të përmbushnin të gjitha kriteret e kërkuara në një periudhë të shkurtër katër vjeçare dhe sipas standardeve të kërkuara.
Në rolin tim prej Gjenerali, mund të dëshmoj personalisht që sfidat për integrimin në NATO ishin shumë herë më të vështira, sfilitëse dhe më me shumë sakrifica sesa këto që përballet sot Shqipëria në kuadër të hapjes ose jo të negociatave për integrimin Evropian.
Integrimi në NATO u arrit falë gjithë burrave dhe grave të veshur me uniformë dhe lidershipit ushtarak dhe politik, të cilët kishin ëndrrën e padiskutueshme për ta shndërruar në realitet.
Prandaj sot, me shumë keqardhje vërej se qeveria Rama nuk e sheh integrimin evropian si një prioritet.
Qeveria Rama nuk i përkushtohet procesit të integrimit evropian me të njëjtin seriozitet, ashtu sikurse është vepruar me integrimin në NATO. Qeveria Rama nuk lufton për Shqipërinë, nuk lufton për të marrë një “Po” pa kushte, ashtu siç të njëjtët partnerë evropianë na thanë “Po” kur ne, i njëjti komb, u integruam në NATO.
Përse kjo situatë?
Sepse populli shqiptar po vuan pasojat fatale të një qeverie narkomane, një qeverie e zhytur në krim e korrupsion, një qeverie e cila ka dështuar në zhvillimin e vendit dhe ku të rinj të kualifikuar ndjehen të pasigurt për të ardhmen e vendit dhe kërkojnë punë jashtë vendit, një qeverie ku emigrimi po godet fort Shqipërinë, e një qeverie e cila veçse i shton barrierat e pengesat në rrugëtimin tonë historik drejt BE-së.
Fëmijët e mi, fëmijët tuaj, fëmijët e gjithë shqiptarëve sot vuajnë tekat e oligarkëve në pushtet, të cilët e duan Shqipërinë sa më larg Evropës për të mbuluar aferat e tyre!!!!
Kjo është e vërteta fatkeqe.
Ky pushtet nuk e do Shqipërinë në Evropë.
Edi Rama është armiku i vetëm në plotësimin përfundimtar të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.
#ShqipëriasiEuropa