Tani është zyrtare. “El Clasico” i parë sezonal mes Barcelonës dhe Realit të Madridit në program për t’u luajtur më 26 tetor është shtyrë për një datë tjetër të pacaktuar. Është ky vendimi i Ligës Spanjolle pas protestave që kanë përfshirë të gjithë Katalunjën. Komiteti i Kompeticionit ka urdhëruar gjithashtu, klubet e Barcelonës dhe Reali të Madridit të dakordësohen për të gjetur një tjetër datë kur do të luhet ajo që konsiderohet si një nga sfidat më të forta dhe spektakolare të futbollit botëror.
Klubet kanë kohë deri të hënën në orën 10:00 për të kthyer një përgjigje. La Liga ka propozuar datën 7 dhjetor, por marrëveshja është ende larg. “El Clasico” nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe për këtë arsye të drejtat televizive luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Sfida tramsmetohet direkt nga 187 platforma televizive dhe llogaritet të ndiqet nga thuajse gjysmë miliardë njerëz në të jithë botën. Kështu, kusht është që ndeshja Barcelona-Real Madrid të luhet vetëm në fundjavë.
Shtyrja e “El Clasico” nuk është një surprizë, pasi që nga nisja e protestave në Katalunjë, Liga Spanjolle e Futbollit bëri të ditur se I druhej përshkallëzimit të tyre si pasojë e një ndeshjeje që mbart mes të tjerave edhe një ndarje të thellë ideologjike, politike dhe përkatësie mes dy klubeve dhe tifozëve të tyre. Një propozim ishte ndryshimi i kalendarit, duke bërë që përballja e parë të luhej në “Santiago Bernabeu” të Madridit dhe ajo e kthimit në “Camp Nou”, por ky opsion u hodh poshtë nga Barcelona.