BallinaKryesoreEdhe Butrinti me PPP?! Shpërthen Moikom Zeqo: Ky është skandal!

Edhe Butrinti me PPP?! Shpërthen Moikom Zeqo: Ky është skandal!

spot_img
spot_img

Nga Moikom Zeqo

Para disa ditësh në Ministrinë e Kulturës, titullari Michael Granoff, shef i Bordit Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim paraqiti “Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit”.

Pra bëhet fjalë se si një fondacion joshtetëror merr përsipër një gjë të pazakontë për ta menaxhuar privatisht ,qytetin kompleks dhe mjedisin e tij ,siç është qyteti arkeologjik i Butrintit.

Në media të ndryshme shqiptare është folur për këtë rast i cili ngjan si ekskluziv, pra i pazakontë. Ministria e Kulturës padyshim që e miraton një program menaxhimi që është në fakt jashtë strukturave shtetërore.

Një mënyrë e tillë e menaxhimit të një kryevepre të pashembullt të trashëgimisë kulturore shqiptare, siç është Butrinti antik dhe mesjetar, nga një fondacion fare i panjohur, jo shqiptar, jo publik dhe shtetëror ngjan si një “plotësim” i habitshëm por dhe krejt i pandërgjegjshëm i të ashtuquajturave PPP-ve, duke e kaluar versionin që subjektet private shqiptare menaxhojnë subjekte shtetërore shqiptare.

Dihet kriticizmi i shumëllojtë dhe skepticizmi për të ashtuquajturat PPP.

Unë këtë dukuri e kam kritikuar që para pesë vitesh në disa shkrime.

Por aktualisht nuk kish ndodhur që subjekte të strukturuara si jo subjekte shqiptare të merrnin në dorëzim për menaxhim pikërisht një nga qytetet më të famshëm të Europës në guidat arkeologjike botërore, Butrintin e Shqipërisë.

Puna shumë vjeçare gjatë jetës sime si arkeolog, njohja e trashëgimisë së monumenteve poliforme dhe shumëkohore të shekujve më bën që të kem gjithmonë një dozë skepticizmi për të gjitha nismat që ndërmerren qoftë shtetërisht nga Ministria e Kulturës, qoftë dhe në formën e një bashkëpunimi hibrid midis shtetit dhe fondacioneve të cilat nuk janë subjekte shqiptare.

Me të drejtë arkeologu i shquar, kolegu im Neritan Ceka ka kritikuar ashpër planin e menaxhimit të Butrintit dhe të parkut të tij që siç dihet është i mbrojtur dhe nga UNESCO.

Jam plotësisht dakord me shtjellimin e tij profesional dhe shqetësimin qytetar.

Por le të kthehemi tek çështja kryesore e një akti të tillë që bëhet i njohur për të lëvizur dhe funksionuar në mënyrë legale.

Çfarë përfaqëson fondacioni i cili nuk di pse quhet në mënyrë shokuese por dhe klienteliste si Amerikano-Shqiptar.

Mund të kishim si alternativë një subjekt të mirëfilltë të quajtur Shqiptaro-Amerikan, siç e nënvizon me të drejtë Neritan Ceka.

Përveç faktit që Michael Grenoff është amerikan nuk kemi asnjë të dhënë tjetër se çfarë organizimi dhe çfarë cilësish shkencore por qoftë dhe menaxhuese paraqesin të ashtuquajturit bashkëpunëtorë të stafit në fjalë.

Le të ndalemi tek ideja e menaxhimit.

Ç’do të thotë të menaxhosh një qytet kaq të pazakontë arkeologjik si Butrinti dhe mjedisin e tij nga një fondacion që as e ka fare idenë apo i mungon plotësisht përvoja e drejtpërdrejtë, me monumentet e Butrintit, që nuk ka absolutisht asnjë njohje dhe lidhje me arkeologët shqiptarë, studiuesit e shquara të monumenteve të Shqipërisë, të cilët për shumë vjet krijuan Shkollën Shqiptare të Arkeologjisë në një nivel të lartë, me botime, revista shkencore, me konferenca ndërkombëtare të arritjeve arkeologjike saqë një arkeolog i madh me të drejtë i quajti arkeologët shqiptarë të denjë, sepse “hyjnë nga Porta e madhe e Arkeologjisë në bashkësinë e studimeve cilësore botërore”.

Arkeologët shqiptarë që kanë punuar në Butrint kanë punuar për vite të tëra jo vetëm me gërmimet por dhe me botimet e tyre.

Kujtoj tani me respektin më të madh arkeologun e ndjerë Dhimosten Budina por dhe kolegë të tjerë si Kosta Lako, apo ekspeditat të shpeshta në Butrint drejtuar nga arkeologë të njohur si Selim Islami, Neritan Ceka etj..

Shikoni studimet e tyre adekuate. Krejtësisht profesionistë për historinë antike dhe mesjetare të Butrintit.

Si ka mundësi që arkeologët shqiptarë që e njohin Butrintin thellësisht nga përvoja të pashlyeshme as të mos konsultohen, as të mos përfillen qoftë dhe nga një Fondacion me emrin e zhurmshëm Amerikano-Shqiptar, pra të hartohen projekte apo drafte menaxhuese nga njerëz që padyshim janë diletantë në arkeologji.

Ka dhjetëra e mijëra fondacione të tilla të ngjashme që gëlojnë në anonimatin e pafund të Europës, të Amerikës apo dhe të planetit.

Kush e bën zgjedhjen dhe ç’të drejtë ka për ta bërë këtë zgjedhje për ta menaxhuar Butrintin nga një strukturë që nuk paraqet për transparencë asnjë kurikulum, asnjë punim shkencor, asnjë studim, asnjë libër, asnjë titull akademik të ashtuquajturve elementë përbërës të strukturave qoftë dhe private.

Si ka mundësi që shteti shqiptar, Ministria e Kulturës të mos bëjë asnjë konsultë me specialistët që ende janë gjallë, por në mënyrë okulte tinëzare dhe të fshehtë bien dakord për një fondacion që ka të paktën një provë, mjaft kuptimplotë që para ca kohësh bënë sikur restauruan “Pazarin e Gjirokastrës” me fondet e tyre duke treguar një mungesë totale profesionalizmi sidomos në shkuljen e kalldrëmeve “Kundër këtij veprimi unë kam reaguar disa herë në shtyp” pa asnjë shkëlqim lavdie, duhej që ky Fondacion që la nam në Gjirokastër të kritikohej dhe t’i kërkohej llogari.

Më shqetëson shumë fakti që në rrafshin shtetëror të përfaqësimit mbahet një qëndrim i “negativizmit të plotë dhe absurd” ndaj gjithë traditës dhe meritave të arkeologeve shqiptare por dhe të personaliteteve të shquara të kulturës.

Asnjëherë nuk kam patur në këto 30 vjet një qëndrim anti-kulturë, një urrejtje patologjike ndaj shkencëtarëve, arkeologeve, specialistëve të monumenteve, asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë një margjinalizim dhe një banalizim në çdo ind të jetës ndaj kulturës kombëtare shqiptare. Në të gjithë administratën e Ministrisë së Kulturës, apo të vendeve organizuese që lidhen me Monumentet e Kulturës, nuk ka asnjë specialist, asnjë doktor shkencash, asnjë profesor apo akademik, por ka vetëm zyrtarë dhe militantë të dëgjueshëm, të klonuar dhe që nuk e kanë idenë e ideve shkencore dhe kulturore.

Është me të vërtetë një situatë e mjerueshme.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ndodhi kështu. Asnjëherë nuk më ka shqetësuar kaq shumë kjo gjë saqë më kujtohen vetëm skenat e teatrit absurd apo tregimet onirike të Franc Kafkës.

Në vitin 1991 si Ministër i Kulturës i Shqipërisë mora pjesë në takimin e parë të ministrave të Kulturës së Ballkanit që u mbajt në Ankara.

Pikërisht në këtë kohë, me kërkesën time, autoritetet turke më ndihmuan të shkoj për të parë Trojën.

Në mendjen time kishte një shtrëngatë të imagjinatës për Trojën e Homerit, apo për Trojën e Shlimanit, (i cili e zbuloi).

Por kur e kam parë se me çfarë përfaqësohesh Troja e famshme nga pikëpamja arkeologjike pra vetëm me disa mure dhe monumente të dëmtuara kam ndjerë një zhgënjim.

Në një nga shkrimet e mia kam shkruar se “duhet shkuar në Trojë për të kuptuar se ç’qytet madhështor arkeologjik, në të gjitha kuptimet i papërsëritshëm është qyteti i Butrintit”.

Butrinti mund të futet në një nga dhjetë qytetet arkeologjik të Europës por dhe më gjerë.

Qyteti i Butrintit me parkun e tij me një mjedis të paparë natyror (mos harroni asnjeherë liqenin) deri më sot është menaxhuar nga shqiptarët, mirë apo keq por që ka qenë krejtësisht e përballueshme nga ana e shqiptarëve që ta menaxhonin këtë qytet të Shqipërisë.

Si vallë mund të arrihet në Pikën Zero dhe befas të zhduket gjithë vetëdija dhe aftësia menaxhuese e shqiptarëve për qytetin e Butrintit i cili vetëm nga shitja e biletave siguron mbi 1 milion dollarë në vit.

Shumë e çuditshme tingëllonte fjala e kreut të Bordit të Fondacionit Michael Granoff që tha para mediave në 15 tetor 2019: “Kuptuam që nuk duheshin hedhur më shumë para, por duhej një ide tërësisht e re, dhe kjo na çoi tek një ligj i ri, që do të bënte të mundur një plan të tillë menaxhimi”.

Granoff  “u mburr”, për afërsinë që kishte me subjektet qeveritare kur deklaroi: “Nuk di të ketë shumë organizata të tjera që kanë aftësinë që të kenë një partneritet kaq të mirë me Ministrinë dhe me Qeverinë për të krijuar një ligj të ri që afron arkitekturën dhe mundësinë e organizimit dhe menaxhimit të Butrintit.”.

Nga njëra anë Qeveria proklamon perspektivën imagjinare  të një turizmi kulturor dhe nga ana tjetër pikërisht “një nga thelbet e thelbeve” të arkeologjisë në Shqipëri dhe në Europë qytetin e Butrintit ja jep de jure dhe de facto një Fondacioni të huaj për të mos thënë i panjohur dhe në rastin më mirëkuptues mund të themi nuk e dimë se çfarë përfaqëson.

Në vend që kjo Qeveri të krijojë struktura punësimi qoftë dhe në aspektin e turizmit kulturor me subjekte dhe vende profesionale me shqiptarë, me dijetarë, me specialistë, pikërisht edhe një ide të tillë punësimi e anulon dhe nuk e vë asnjëherë në zbatim.

Nuk e di sinqerisht se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me “menaxhimin të një fondacioni pa specialistë” në një kohë që vetëm fitimet nga biletat janë një motiv biznesi i mirëfilltë.

Qeveria dhe të tëra organizimet që lidhen me rrjetin shtetëror të kulturës duke bërë një zgjedhje të tillë shpallin publikisht “një vdekje të bardhë të arkeologjisë shqiptare, të monumentologëve dhe të dijetarëve”.

Është një akt i pastër anti-kulturor dhe anti-shkencor, pra edhe një sindromë e rëndë e një plogështie të pafalshme të vetëdijes qytetare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular