Lëvizja e fundit e kryeministrit Edi Rama për Mini – shengenin Ballkanik është kontestuar ditën e sotme në një tryezë diskutimi ku merrnin pjesë intelektualë të ndryshëm.
Një grup veprimtarësh të shoqërisë civile intelektualësh shqiptarë u mblodhën sot në një takim nën moton “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”.
Ata shprehën shqetësim për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në për anëtarësim të plotë dhe nga ana tjetër për njoftimin mbi një miniShengen ballkanik dalë nga takimi në Novi Sad midis përfaqësuesve shtetërorë nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.
“Na u tha se do të bëhej një mini-Shengen për lëvizjen e lirë, por në atë tryezë nuk ishte shteti i Kosovës. Atje u fol edhe për heqjen e barrierave doganore, por nga ana tjetër kemi edhe taksën 100 për qind e mbiquajtur “taksa Haradinaj”, e cila është në fuqi midis shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Takimi u duk si një presion që kryeministri Rama po i bënte Bashkimit Europian, ku shqiptarët aspirojnë të bëhen pjesë. Ne kemi thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, e cila ka mbetur diku në horizont, por dje na u tha edhe një “Jo” për hapjen e negociatave, dhe na duket se ajo ditë është më e largët” – tha veprimtari Aulon Kalaja.
Folës të tjerë theksuan se takimi nuk ka krahasim me marrëveshje si ai i Shengenit apo i Vishegradit.
“Marrëveshja e Vishegradit ishte i monitoruar nga Brukseli, ndërsa marrëveshja e Novi Sadit ne nuk shohim as nga Brukseli as nga Uashingtoni asnjeri aty. Janë vetëm tre zyrtarë dy kryeministra dhe një president, të cilët bajnë një marrëveshje, të cilën ne në Shqipëri nuk e dimë se çfarë përmban në detaje. Mendoj se ajo i shkon ndesh aspiratave pro-perëndimore të popullit shqiptar, është një marrëveshje anti-integruese dhe anti-europiane për Shqipërinë” – tha veprimtari Ilir Aliaj.
Pjesëmarrësit theksuan se aleatët strategjik të Shqipërisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
“Formula e SHBA-ve, garantuesit kryesor të rendit në Ballkan, është që Ballkani të jetë në Bashkimin Europian. Këta kanë nxjerrë një formulë tjetër; jo më Ballkani në BE dhe i mbështetur nga SHBA-të, por kanë shpikur një formulë të re: Shqipëria dhe Kosova të orientohen drejt Danubit, dhe jo më nga Mesdheu. Tani dihet se kush e ka sferën e interesave në Mesdhe dhe kush e ka sferën e interesave në Danub, ndaj duhet denoncuar fuqishëm” – tha veprimtari Indrit Vokshi.
Në takim morën pjesë veprimtarë të grupimeve të ndryshme, diplomatë, historianë, artistë, pedagogë e studentë.
“Ideja e heqjes së barrierave doganore është një krim, pjesë e një kolonizimi të Shqipërisë. Këtu nuk është punë shovinizmi, nuk është punë nacionalizmi, por është punë atdhedashurie” – tha profesor Edmond Tupe.
Disa ditë më parë drejtuesit e qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë veriore Rama e Zaev si dhe presidenti i Serbisë Vuçiç zhvilluan një takim, ku u diskutua për një lehtësim më të madh të qarkullimit në rajon të njerëzve, prodhimeve dhe kapitaleve.
Veprimtarët u mblodhën me shqetësimin se mbi këtë takim nuk ka transparencë më të madhe dhe ka paqartësi mbi orientimin perëndimor të shqiptarëve.
Nën moton “Për shqiptarët dielli lind në perëndim” ata kundërshtuan planin e kryeministrit duke e cilësuar si një lëvizje drejt Serbisë.
Ish ambasadori i Shqipërisë në Slloveni u shpreh se ky pakt do të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë.
Sipas Çlirim Gjatës, sekretar për çështjet ligjore në PD, Rama dhe Vuçiç duhen ndalur pasi pas këtij “shengeni ballkanik” fshihet Jugosllavia e Re.
“Nëse do ti hedhim një sy historisë, ka një sërë faktesh që kanë ndodhur dhe ai që nuk mëson nga e shkuara ka destinin ti përsëritet prapë. Në thelb nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i Jugosllavisë së Re”, u shpreh Gjata.
“Këtu nuk është punë shovinizmi, nuk është punë nacionalizmi. Është punë atdhedashurie”, do të shprehej profesori Edmond Tupja, i cili e quajti këtë projekt kriminal dhe që duhet ndalur.