Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona, njëri prej të cilëve akuzohet se ka plagosur një 28-vjeçar për motive të dobëta me mjete të forta, ndërsa dy të tjerët kanë tentuar të pengojnë policinë për ta arrestuar autorin.
Nga specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, i shtetasit F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë.
Në vendin e quajtur “Fushë-Mëzez” ky shtetas për motive të dobëta ka goditur me grushte dhe mjete të forta shtetasin A. D., 28 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e traumës nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”, shtetasit F. D., 39 vjeç; H. H., 35 vjeç (të dy banues në Tiranë).
Këta dy shtetas në momentin e arrestimit të shtetasit F. K., kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, punonjësit e “Forcës së Posaçme Shigjeta” të cilët do bënin shoqërimin e shtetasit F. K., për në Komisariat. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.