Britania ka një histori të vjetër me personat që përpiqen të futen në vend nëpërmjet kamionëve. Po aq të vjetër e kanë historinë edhe shqiptarët e shumtë që janë përpjekur të futen në ishull ndër vite.
Ata kanë paguar deri në 15 mijë euro për t’u bashkuar me të afërmit e tyre ose thjesht për të kërkuar një jetë më të mirë në një prej vendeve më të zhvilluar të Europës.
Në vitin 2017, Fiks Fare zbuloi skemën se si trafikantët i kalonin shqiptarë nga Belgjika drejt Britanisë së Madhe për 9 mijë deri në 15 mijë euro.
Në vitin 2015, autoritetet franceze ndaluan një kamion që po ashtu ishte frigoriferik, pasi brenda kishin arritur të gjenin 22 shqiptarë nga Kosova dhe nga Shqipëria. Mes tyre ishte dhe një fëmijë.
Ata kishin ndenjur për tri orë brenda në frigorifer, para se të kapeshin nga policia. Autoritetet arrestuan shoferin e kamionit, një shtetas rumun, dhe bashkëshorten e tij, të cilët kishin organizuar trafikun.
Ndonëse 22 të mbyllurit në frigorifer mbijetuan, drama ka qenë e pranishme edhe mes shqiptarëve që janë përpjekur të kalojnë kufirin.
Një nga rastet më dramatikë mund të jetë ai i Erinda Kaçorrit, vajza që vdiq në mënyrë të tmerrshme pasi kamioni i saj u përfshi nga flakët.
Rasti i Erinda Kaçorrit, 25-vjeçarja që donte të shkonte te i fejuari në Angli, ndodhi në vitin 2014. Ajo vdiq bashkë me Rexhë Myrtezaj, një tjetër i ri shqiptar, pasi kamioni u shkrumbua nga flakët.
Policia franceze tha se gjithçka ishte shkaktuar nga një cigare e vetme. Edhe në atë rast, shoferi i kamionit, i cili u mor në pyetje për ngjarjen, tha se nuk e dinte që në kamionin e tij kishte klandestinë.
Rasti i vajzës bëri bujë edhe për faktin se ajo kishte aplikuar dy herë për vizë pasi kishte paguar shkollën në Angli, ku do të studionte, dhe të dyja herët ambasada ia kishte refuzuar vizën pa dhënë asnjë shpjegim
Burimi:Top Channel