Presidenti i Republikës Ilir Meta ka nderuar sot Shtëpinë e Fëmijëve “Fillime të Reja” me dekoratën “Nënë Tereza”. Vetë Presidenti e njoftoi këtë lajm me këtë shënim:
“Në vlerësim të kontributit të madh e të vazhdueshëm, punës së palodhur, përkushtimit dhe dashurisë ndaj fëmijëve në nevojë, duke iu ofruar mbështetje, përkujdesje dhe ngrohtësi shoqërore, për 25 vite me radhë, pata sot kënaqësinë e veçantë të vlerësoja me Dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, Shtëpinë e Fëmijës “Fillime të Reja”.
Të shpëtosh fëmijët në nevojë, nga dhuna dhe përjashtimi, duke u ofruar, jo thjesht një strehë, por edukim dhe një të ardhme më të mirë, është një mision fisnik.
Vendi ynë ka sot më shumë se kurrë nevojë për besim dhe shpresë, por mbi të gjitha për dashuri. Dashuri për njëri-tjetrin, dashuri për fëmijët, dashuri për njerëzit dhe atdheun tonë të mrekullueshëm.”