Bandat shqiptare të trafikut të drogës vijojnë të alarmojnë Britaninë e Madhe, teksa autoritetet e këtij vendi janë në luftë të përditshme për mposhtjen e tyre. Në një shkrim të publikuar sot në “Birmingham”, thuhet se mafia shqiptare po përpiqet të mbushë me kokainë vendin.
“Bandat nga vendi ballkanik janë përpjekur të kontrollojnë tregun fitimprurës të kokainës në qytet gjatë viteve të fundit. Heroina është lënda narkotike e kontrabanduar tradicionalisht nga kriminelët në Ballkan për shkak se vendndodhja e tyre është në “shtegun e opiumit” nga Afganistani drejt Evropës.
Por, shqiptarët kanë zbuluar se fitime shumë më të mëdha mund të bëhen edhe përmes trafikut të kokainës. Mbretëria e Bashkuar ka një treg të bollshëm të kësaj lënde narkotike dhe për këtë arsye, ata janë tërhequr për të realizuar operacione në këtë vend.
Londra është qendra kryesore e veprimtarisë së tyre kriminale, por të tilla janë krijuar në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë Birmingham-in”, thuhet në shkrim
Më tej, kjo media britanike përmend edhe emrin e një trafikanti shqiptar, përkatësisht shtetasit Erald Mema, që sipas tyre, kryesonte një rrjet kokaine shumë milionë-dollarësh në Mbretërinë e Bashkuar, por që tashmë është dënuar me 25 vjet burg. “Mema është koka e një bande shumë të sofistikuar dhe të organizuar, që furnizonte tregun me sasi të mëdha kokaine të pastër”, vijon më tej shkrimi.
“Kriminelët nga Shqipëria kanë krijuar një profil të lartë dhe një shkallë ndikimi brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, me qasje të konsiderueshme në tregun e trafikut të drogës, veçanërisht të kokainës.
Agjencia Kombëtare e Krimeve kombinon inteligjencën me aktivitetin operacionial duke synuar grupet e organizuara të krimit, për të cilat droga është vetëm një burim të ardhurash dhe po i përdorin fitimet për të mbështetur forma të tjera të krimit. Kjo përfshin trafikimin e njerëzve, të armëve, korrupsionin dhe pastrimin e parave, të gjitha këto që shkaktojnë dëme, dhunë dhe shfrytëzim”, është shprehur për birminghammail.co.uk një zëdhënës i Agjencisë Kombëtare të Krimit.