BallinaIntervistaAlbin Kurti, zbulon bisedën me kryeministrin Rama: Çfarë i kërkova në takimin...

Albin Kurti, zbulon bisedën me kryeministrin Rama: Çfarë i kërkova në takimin e parë

Heqja e tarifës së Rrugës së Kombit është një nga temat për të cilat është diskutuar mes kryeministrit të ardhshëm të Kosovës Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë mbrëmjen e 25 tetorit 2019.

Në një intervistë për Ora News, kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti zbardhi detaje nga biseda me kryeministrin Edi Rama.

Kryetari i Vetëvendosjes e quan “shumë të rëndë” tarifën dhe angazhohet për një zgjidhje alternative.

 

Në studion e Ora News për gazetarin Sebastian Zonja, Kurti shigjeton kryeministrin kur tha se në Kosovë është kthyer shpresa ndërsa në Shqipëri është pikëllues emigrimi.

“Stabiliteti në Ballkan, tradicionalisht mbahet në kurriz të shqiptarëve” deklaron Albin Kurti.

Albin Kurti: Në Kosovë u kthye shpresa, në Shqipëri emigrimi pikëllues

Ora News: Nga mediet mësuam se keni folur për rreth dy orë me kryeministrin Edi Rama për ekonominë. Një plagë e rëndë sociale që prek të dyja Republikat shqiptare, por gjithashtu edhe plagë e rëndë ekonomike, është largimi i të rinjve nga trojet etnike shqiptare. A është dakordësuar me kryeministrin Edi Rama një plan sa i përket këtij fenomeni, sepse ai e cilëson fenomen të zakonshëm migrator.

Albin Kurti: Ne vetëm se kemi arritur të hapim temat dhe çështjet e rëndësishme. Nuk është se kemi arritur t’i mbyllim ato, por jam optimist që do të mund të bashkëpunojmë. Unë besoj që emigrimi tek shqiptarët është një fenomen pikëllues, sepse ne në Kosovë kemi pasur emigrim për shkak të shtypjes politike dhe shfrytëzimit ekonomik. Kemi pasur emigrim për shkak të luftës dhe tani për shkak të keqqeverisjes. Të ikë shqiptari nga shqiptari, natyrisht që na vjen shumë rëndë, andaj kemi programin tonë si qeveri e re që ta lidhim sistemin cilësor arsimor me tregun e punës. Ta lidhim edukimin me prodhimin, ta udhëzojmë hendekun e shkathtësive që ekziston dhe që konsiderojmë se do zëvendësojë emigrimin me punësim. Këtë do ta zbatojmë në Kosovë si qeveri. Nëse kjo mund të shërbejë në Republikën e Shqipërisë, aq më mirë. Definitivisht, në Kosovë është kthyer shpresa dhe është mundësi, nuk është garanci. Në Kosovë ka ngjarë entuziazmi i tretë pas atij të Çlirimit, të vitit 1999, dhe të Pavarësisë të vitit 2008, dhe ne këtë do ta mirëpërdorim, në mënyrë që ta përfshijmë qytetarin e Republikës në shkrimin e kapitullit të ri të Republikës së Kosovës, që populli i Kosovës, më 6 tetor e ka hapur me faqe të bardhë.

Në takimin e parë Albin Kurti i kërkoi Ramës heqjen e taksës së Rrugës së Kombit

Ora News: Po sa i përket ekonomisë, do të doja të ndalesha tek teza juaj për një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Ju keni qenë edhe kundërshtar i traut. A ishte pjesë e bisedës, çështja e traut, me kryeministrin Edi Rama?

Albin Kurti: Ne kemi hapur çështjen e bashkëpunimit ekonomik dhe liberalizimit të tregut, dhe heqjen e barrierave tregtare. Dhe unë kam shprehur qëndrimin tonë se ndërkohë që e kemi një kufi të padrejtë administrativ, ta kemi dhe një pengesë shtesë për të cilën duhet të paguash. Është shumë e rëndë për qytetarin shqiptar, prandaj unë angazhohem për një zgjidhje alternative të kësaj. E kemi hapur si temë, por edhe kjo është një temë që nuk e kemi mbyllur.

Albin Kurti si kryeministër i ri në Kosovë: Gjyqtarët nuk do frikësohen më

Ora News: Ju thatë që jeni politikanë të ndryshëm, por edhe njerëz të ndryshëm me kryeministrin Edi Rama. A ndjeni në rolin e politikanit dhe të aktivistit tashmë jetëgjatë, ndonjë problem në fjalorin politik të zakonshëm në Kosovë dhe Shqipëri, por gjithashtu me kryeministrin Edi Rama sa i përket ndasive për shembull, shteti i së drejtës apo shteti ligjor?

Albin Kurti: Ne duam sundim të ligjit, duam shtet të së drejtës. Mund t’i quajmë si të duam, por duhet ta dimë se çfarë duam. Në Republikën e Kosovës, me qeverinë e re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe unë si kryeministër i ri, ne do të kemi çlirim të Prokurorisë dhe Gjyqësisë nga Ekzekutivi. Dhe në këtë mënyrë, Prokuroria do të mund të bëhet aktive, gjyqtarët nuk do të frikësohen më dhe do të mund të sjellin vendime të drejtë, dënime adekuate për krimet, veprat penale, pra, shkeljet e ligjit. Ne e quajmë shtet të së drejtës. Konsiderojmë që shteti është garancion i drejtësisë institucionale, e cila nga njëra anë është Gjyqësore, e në anën tjetër është sociale. Pra duhet të jenë të dy këto komponentë të drejtësisë. Ajo duhet të ngjajë dhe në shoqëri, në përgjithësi, por duhet të ngjajë dhe në rastet e shkeljeve në institucione dhe në veçanti. Në këtë kuptim, unë nuk besoj se është thelbësore si e quajmë, por cfarë mendojmë dhe çfarë do të bëjmë atëherë kur e quajmë. Luftimi i krimit, i korrupsionit, luftimi i informaliteteti dhe evazionit fiskal do të jetë prioritet i qeverisë sonë.

Ora News: Pas pak ditësh, do të festohet 30 vjetori i Rënies së Murit të Berlinit. Në aspektin intelektual, hamendësohej se ju e keni ndjerë se elitat drejtuese të shqiptarëve mbeten të njëjta edhe pse regjimet ndryshojnë?

Albin Kurti: Unë besoj se 30 vjet janë tejet shumë për ta pasur shqiptarët këtë gjendje. Jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në Kosovë e perëndim të Maqedonisë së Veriut e Mal të Zi, e në Luginë të Preshevës, shqiptarët karakterizohen me papunësinë më të madhe dhe me varfërinë edhe më të gjallë, edhe më të thellë. Ndërkohë që kushtet dhe rrethanat i kemi shumë të përshtatshme për një hov socio-ekonomik, sepse i kemi ekonomitë komplementare. Kosova është e pasur me miniera dhe minerale në nëntokën e saj dhe me tokë të mirë bujqësore. Ndërkaq, Shqipëria ka ujëra shumë dhe gjithashtu ka bregdetin, por edhe territorin e përshtatshëm për agrumet. E kemi rininë dinamike, inteligjente, të shkathët, e cila duhet ta fitojë brenda vendit, e jo vetëm në sistemet e shteteve të Europës Perëndimore, ku shkëlqen pasi studion, vepron apo punon. Prandaj, në këtë kuptim, unë besoj që komplementaritetin ekzistues objektiv në dy vendet tona do ta shndërrojmë në një efekt sinergjik të bashkëpunimit qeveritar e ndërshtetëror të Kosovës e Shqipërisë, të cilët janë dy shtete porse të të njëjtit komb.

Albin Kurti tregon prapaskenat për Ballkanin: Stabiliteti në kurriz të shqiptarëve

Ora News:  Hamendësoj se sa më intensive të jetë marrëdhënia midis shqiptarëve dhe shteteve shqiptare në Ballkan, aq edhe më i qëndrueshëm është Ballkani. A mund të themi që hallka e cila i mungon stabilitetit ballkanik është pikërisht elementi shqiptar?

Albin Kurti: Stabiliteti në Ballkan, tradicionalisht mbahet në kurriz të shqiptarëve, të cilët kanë më së paku të drejta dhe më të hollë mirëqenie, prandaj edhe emigrimin e lartë. Cdo i treti qytetar i Kosovës po del se nuk është banor i Kosovës. Kur është bërë regjistrimi i popullsisë, kam menduar se do të jetë çdo i pesti, por doli çdo i treti. Përderisa ne e kemi mërgatën tonë përgjithësisht në Zvicër e Gjermani, por edhe në Austri, Skandinavi, Londër e në ShBA, por sidomos në Zvicër e Gjermani, edhe Shqipëria e ka gjithandej, por sidomos në Greqi e Itali. Pra edhe në këtë aspect, se çka një lloj komplementariteti kur ne mbulojmë gjithë Europën, por është interesant që shqiptarët kudo që janë, nuk e ndajnë veten në të Kosovës, Shqipërisë, Luginës, Malit të Zi e të Maqedonisë, por i thonë vetes siç edhe janë, shqiptarë. Dhe do të duhej që ne prej atje të kthejmë trurin, të sjellim investimet dhe të cojmë arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe në mënyrë që brenga e bashkëatdhetarëve tanë për asimilimin e fëmijëve të tyre, të marrë përgjigjen e duhur se është e mundur që të kemi integrim pa asimilim.

Ora News: A besoni se një njeri i virtytshëm e zëvendëson një ligj të mirë?

Albin Kurti: Besoj që këto nuk duhet ta përjashtojnë njëra-tjetrën, nuk duhet ta sjellim në spikamë kundërthënien midis virtytit dhe ligjit. Njerëzit e virtytit sjellin ligje të mira.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular