Nga Ilir Nikolla
Zgjidhja e krizës politike në Shqipëri s’duhet lejuar të përfundojë në një telenovelë që në fund të fundit mund t’i lejojë Edi Ramës të bëjë një dalje nga skena sipas afateve thuajse kohore. Shifrat e fundit të INSTAT mbi lëvizjet e shtetasve shqiptarë gjatë 9 muajve të parë të 2019-s, publikuar para dy ditësh, tregojnë për mbi 250 mijë shqiptarë më shumë që e kanë lënë vendin, një shifër kjo e frikshme, që rrëfen për braktisjen e vendit, edhe pse këta 250 mijë nuk janë rreshtuar formalisht as tek azilantët e as tek emigrantët me dokumente. Ata thjesht i kanë kthyer krahët vendit dhe s’kanë ndërmend të kthehen më.
Të gjithë vëzhguesit e pranojnë se këto largime masive janë aleatët e heshtur të Ramës në strategjinë e tij për ta zgjatur agoninë derisa të jetë i mundur largimi i tij me alibinë kohore të fundmandatit, ose edhe të përgatitjeve teknike për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ky synim stategjik tashmë s’mbahet i fshehtë as nga entourage-i i kryeministrit, bile vetë ky i fundit po shpeshton këto kohë përvajet se tashmë është kuptuar se ai është më i miri e se ka bërë më të mirën për këtë vend, prandaj do të largohet pa pishmanllëqe dhe i bindur se i ka bërë vend vetes në histori.
Ky soj largimi është një luks i pamerituar për shoqërinë shqiptare. Në një depresion vigan, të gjithëpranuar dhe që çudit edhe vetë strukturat e Bashkimit Evropian, largimi normal, bile me doza përkorjeje dhe me kalemxhinj që i parathonë historinë, do të ishte një shuplakë për ëndrrat tona për drejtësi, për drejtësi vetëm një herë në jetën tonë postmoderne (këtë që nisi pas Fundit të Historisë, që predikonte Fukujama).
Fajtori duhet ta ketë gjyqin e tij, zezona që po përjeton aktualisht Shqipëria ka nevojë për epikrizën e vet, si edhe për dëshminë e të pandehurit kryesor, kryeministrit të këtyre 6 viteve të zezonës. Bllokimi i negociatave, gjasat që në Shqipëri të rikthehet në rend të ditës rreziku i terrorizmit dhe shpopullimi masiv i vendit janë çështje që s’mund të kalohen me një kuazi-përfundim të mandatit qeverisës, as edhe me largimin nga politika për të nisur “jetën e tretë”. Karakteri i posaçëm i këtyre çështjeve kërkon sigurisht një seancë jo të zakonshme “konsultimi” me qytetarët. Ky konsultim s’mund të vijë assesi në kohën e parashikuar nga kushtetuta e as mund të parashkruhet, për shkak se Rama s’do të paraqitet më në sfidën elektorale.
Pra, kriza e tanishme e paraqet konsultimin e posaçëm dhe të parakohshëm si një parakusht, i cili s’mund të anashkalohet. Për këtë shkak, diskutimi për fundin politik të Edi Ramës duhet të dalë nga qerthulli i të nënkuptuarës, për hir të dialogut e të marrëveshjes dhe të shtrohet në tryezën e politikës. Vetëm kështu do të mund të dalin përgjegjësitë për depresionin e shoqërisë shqiptare. Përndryshe, nëse do të kërkohet “dalja e butë” apo edhe “hakmarrja e vonë”, pas zgjidhjes së krizës, shoqëria s’ka për të gjetur paqen e merituar dhe me të vërtetë për Shqipërinë ka për të vijuar të përjetohet “fundi i historisë”, pra një gjendje permanente ku asnjëherë s’do të ketë fajtorë të ndëshkuar për bëmat në qeverisje.
Krejt sa për fund, shtysa për të kujtuar se po harrojmë kthimin në rend të ditës të fundit politik të Edi Ramës më vjen nga raporti i fundit statistikor mbi 250 mijë shqiparët që lanë vendin 9 muajt e fundit, dhe jo nga fati i merituar, i padenjë dhe i vonuar i “Kalifit” të ISIS-it.