Paketa Fiskale, këtë vit, vjen me një nxitje pozitive për industrinë automative, duke përcaktuar një normë 5% për tatimfitimin për bizneset që bëhen pjesë e saj, teksa norma e taksimit për bizneset e tjera është 15%. Sportistët dhe kompanitë që sponsorizojnë sportin lehtësohen nga tatimet dhe legjislacioni fiskal përshtatet për fiskalizimin. Penalitetet bëhen progresive dhe taksat për makinat luksoze lehtësohen
Ndryshimet e reja fiskale, që pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2020, synojnë të nxisin investimet në industrinë automative, mbështetjen e aktiviteteve sportive dhe përshtatjen e legjislacionit tatimor, sidomos Ligjit të Procedurës Tatimore dhe Ligjit për TVSH me fiskalizimin, një projekt i ri i Ministrisë së Financave për procesin e faturimit që pritet të zbatohet nga pranvera e vitit 2020.
Ndryshimet ligjore, për shkak të fiskalizimit, përfshijnë edhe disa penalitete në zinxhirin e aktorëve në këtë projekt, që nga administratorët e pajisjeve deri te bizneset dhe konsumatorët. Me ndryshimet e reja, gjobat për kundërvajtjet e përdorimit të pajisjeve janë progresive nga biznesi i vogël te më i madhi, nga 50-150 mijë lekë. Gjithashtu, Paketa Fiskale e vitit 2020 rregullon taksimin e makinave të luksit me tendencë ulje, duke amortizuar vlerën e tyre me nga 10 % në vit.
Paketa Fiskale e këtij viti vjen me një nxitje pozitive për industrinë automative, duke përcaktuar një normë 5% për tatimfitimin për bizneset që bëhen pjesë e saj, teksa norma e taksimit për bizneset e tjera është 15 %. Shqipëria nuk ka traditë në prodhimin e automjeteve, po sigurisht që ka një traditë shumëvjeçare që nga koha e monizimit në disa industri për prodhimin e pjesëve elektrike dhe pajisjeve të tjera më të lehta, që u duhen industrisë automative. Kjo lehtësi u ndërmor në kuadër të një plani të përbashkët rajonal, për të tërhequr industrinë mbështetëse të prodhimit të automjeteve në rajon, ku pararojë janë Maqedonia dhe Serbia.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, dha vlerësime për incentivimin e industrisë automative. Sipas tij, qeveria duhet të mbështesë sektorin prodhues dhe industrinë përpunuese, si një bazë e shëndetshme për nxitjen e eksporteve dhe rritjen e punësimit.
Paketa Fiskale e vitit 2020 nuk ka ndikime të drejtpërdrejta në të ardhura, por synon të nxisë investimet në sektorët e industrisë së automjeteve dhe gjallërimin e aktiviteteve sportive.
Tatimfitim 5% për bizneset e industrisë automative
Shqipëria po synon të bëhet pjesë e zinxhirit të prodhimit të industrisë automative. Në Paketën Fiskale të vitit 2020 është propozuar një ndryshim në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, që synon incentivimin e sektorit të industrisë automotive, duke ulur normën e tatimfitimit në 5 %, për personat juridikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik në këtë industri.
Industria automotive në Shqipëri është në fillesat e saj dhe aktualisht, has vështirësi të konkurrojë me kushtet, kapacitetet dhe potencialin e ofruar nga vendet e rajonit për këtë lloj industrie. Duke qenë se vendet e rajonit, si Serbia apo Maqedonia, kanë kulturë dhe industri të kësaj natyre më të hershme, thjesht e kanë vazhduar dhe plotësuar më tej duke përmirësuar nivelin e ekspertizës dhe know-how. Ministria e Financave e argumenton në relacionin që shoqëron ndryshimet ligjore se, propozimi i incentivave fiskale në fushën e industrisë automotive ka qëllim, jo vetëm të ndihmojë vendin tonë që të konkurrojë në këtë sektor me vendet e rajonit, por dhe të mundësojë tërheqjen e investimeve në këtë industri.
Me këto ndryshime, nxitja e investimeve në sektorin e industrisë automotive do të kontribuojë, edhe në rritjen e numrit të bizneseve që operojnë në këtë fushë, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Praktika ndërkombëtare njeh disa forma të incentivimit për sektorë të caktuar të industrisë, për të cilët gjykohet me rëndësi rritja dhe zhvillimi. Konkretisht, këto incentiva mund të konsistojnë p.sh., në lehtësi tatimore për fitimin e realizuar nga shoqëritë që operojnë në këta sektorë, apo dhe në njohje përtej normës së lejuar të shpenzimeve të zbritshme për efekt fiskal.
Nëpërmjet këtij projektligji, propozohet forma e reduktimit të tatimfitimit nga shkalla normale, duke synuar krijimin e kushteve të favorshme për përmirësimin e klimës për zhvillimin e tregut të industrisë automotive brenda vendit.
Sportistët dhe kompanitë që sponsorizojnë sportin lehtësohen nga tatimet
Qeveria ka vendosur të mbështesë aktivitetet sportive, duke lehtësuar barrën fiskale për artistët dhe kompanitë që sponsorizojnë aktivitetet sportive.
Kjo synohet të arrihet edhe nëpërmjet përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat personale për shpërblimet që iu jepen sportistëve dhe ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive, të njohura nga legjislacioni përkatës, për rezultatet e arritura gjatë aktivitetit sportiv. Ndërkohë, lehtësi propozohen dhe për personat juridikë, të cilët realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, për shumat e sponsorizuara në fushën e sportit, të njohura si shpenzime të zbritshme, për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin e periudhës tatimore, janë të zbritshme sa trefishi i vlerës së shumës së sponsorizuar.
Për tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi mbi 1 miliard lekë, mbartja e humbjeve të bëhet për një periudhë 5-vjeçare, propozohet pasi këto investime me vlera të konsiderueshme dhe që përgjithësisht kanë një shtrirje të konsiderueshme në kohë, të kenë mundësi që humbjet e rezultuara t’i mbulojnë me fitimet në pesë periudhat e ardhshme tatimore, sipas parimit “humbja e parë më përpara se ajo e fundit.”
Projektligji synon gjithashtu harmonizimin e Ligjit nr. 8438, nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, me ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.”
2020, lehtësohet taksimi për makinat e luksit
Në Paketën Fiskale 2020, qeveria ka lehtësuar taksimin për makinat e luksit duke amortizuar vlerën e tyre me 10 % në vit.
Me këtë ndryshim, Ministria e Financave po synon saktësimin e vlerës së mjetit për efekt të kritereve që duhet të përmbushë një automjet për t’u konsideruar automjet luksi. Aktualisht, në ligjin “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar, përcakton se “automjet luksoz” konsiderohet autovetura deri në 6+1, e cila plotëson të paktën njërin nga kushtet e mëposhtme:
-Cilindratën të barabartë ose më të madhe se 3000 cm3; ose
-Vlerën/çmimin të barabartë, ose më shumë se 5 000 000 lekë.
Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj synohet që vlera e automjetit do të amortizohet çdo vit me 10 % të vlerës së mbetur. Gjithashtu është parashikuar se vlera e shitjes së automjeteve të klasifikuara si “Automjet luksoz” nuk mund të jetë më e vogël se vlera e mjetit të amortizuar sipas amortizimit.
Ministria e Financave shpjegoi se ky propozim vjen si shkak i një numri të konsiderueshëm të kërkesëpadive në DPSHTRR në lidhje me uljen vit pas viti të vlerës së mjeteve të klasifikuara si mjete luksi. Të tilla kërkesëpadi apo ankesat nga pronarët e mjeteve për çmimin e mjetit, janë një numër i konsiderueshëm, fakt ky i cili ngarkon me kosto financiare që rëndojnë statusin e DPSHTRR-së, si person juridik, publik, i cili vetëfinancohet.
Gjithashtu kanë ndryshuar penalitetet me qëllim unifikimin e gjobës për pagesë të vonuar për taksën vjetore të mjeteve të përdorura me gjoba të vendosura për detyrime tatimore të së njëjtës natyrë të parashikuara në Ligjin për Procedurat Tatimore.
Në nenin 4, pika 3, e ligjit aktual “Për Taksat Kombëtare” përcaktohet “…Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 % të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 % për çdo vit. 18 % e të ardhurave vjetore nga kjo taksë i kalojnë buxhetit të qeverisjes vendore. Procedura e ndarjes së të ardhurave me buxhetet e njësive të qeverisjes vendore përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave, bazuar në numrin e mjeteve të regjistruara sipas njësive të qeverisjes vendore.”
Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj bëhet zëvendësimi i togfjalëshit “prej 5 % të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 % për çdo vit” zëvendësohet me togfjalëshin “sipas nenit 114 të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 ‘Për procedurat tatimore në RSH’, i ndryshuar” dhe togfjalëshi “18 për qind” zëvendësohet me togfjalëshin “25 për qind”.
Ndryshimet e mëtejshme synojnë rritje të komisionit që përfiton DPSHTRR, prej 5 % për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Aktualisht përcaktohet se për taksën e regjistrimit fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze, zero për qind.
Me ndryshimet e propozuara në këtë projektligj, taksa e regjistrimit fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze, bëhet 5 %.
Ky propozim vjen për arsye se DPSHTRR-ja, duke qenë me statusin e personit juridik, publik, i cili vetëfinancohet dhe nga ana tjetër kostot janë relativisht të larta për ndryshime të kritereve për klasifikimin e mjetit si “automjet luksoz” në sistemin informatik. Mungesa e të dhënave për vlerën e mjetit në sistemin informatik e DPSHTRR ka bërë që puna për kontrollin, plotësimin dhe saktësimin e vlerës së mjetit, për të gjithë ato mjete të cilat mendohej se mund të klasifikohen si “automjet luksoz”, janë realizuar shpenzime përkatëse të konsiderueshme sidomos në burime njerëzore, në një kohë që DPSHTRR si agjent nuk përfiton asnjë të ardhur nga kjo taksë. Gjithashtu DPSHTRR, për të realizuar arkëtimin e taksave dhe për të qenë sa më afër taksapaguesve, ka hapur zyra edhe në rrethe të tjera.
Këto ndryshime synojnë shtimin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara për t’u përjashtuar nga taksat vjetore të mjeteve të përdorura dhe përjashtimin nga pagimi i taksës vjetore të automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
Procedurat përshtaten me fiskalizimin
Ligji për Procedurat Tatimore do të ndryshojë vitin që vjen më së shumti në drejtim të përshtatjes me fiskalizimin. Ministria e Financave sqaron se, ky projektligj synon harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit Për Procedurat Tatimore në vendin tonë lidhur me faturimin, me përcaktimet e projektligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, i cili sjell një risi në procesin e faturimit dhe monitorimit të transaksioneve, harmonizimin dhe unifikimin e kundërvajtjeve administrative që lidhem me çështjet e faturimit, si dhe rregullimin e disa çështjeve teknike që lidhen administrimin e detyrimeve tatimore të propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Ky projekt është materializuar edhe në projektligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, i cili pasi kaloi fazat e konsultimit, është përcjellë për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave.
Në këtë kontekst, duke qenë se projektligji për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, sjell risi dhe ndryshime në sistemin e faturimit dhe monitorimit të qarkullimit, përfshirë në një të ardhme të afërt edhe faturën elektronike (e-invoice), është e nevojshme të harmonizohen dhe përshtaten dispozitat përkatëse të ligjit të procedurave tatimore lidhur me faturimin, me parashikimet e këtij projektligji, sqaron Ministria e Financave.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar projektligjin “Për faturën dhe sistemin e Monitorimit të qarkullimit”, i cili propozon krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, të shoqëruara me një risi në pajisjet fiskale. Qëllimi kryesor i këtij ligji, është të krijojë një regjistër të subjekteve që lëshojnë fatura dhe kështu të kontrollojë përmbajtjen e tyre, të monitorojë të gjitha faturat e lëshuara (pavarësisht nëse ato paguhen me apo pa para në dorë) gjatë kryerjes së transaksioneve B2C (Business to Consumer), B2B (Business to Business) dhe B2G (Business to Government), si dhe pagesat e faturave të lëshuara dhe të regjistruara pa para në dorë, në kohë reale, nga administrata tatimore e Republikës së Shqipërisë.
Ndryshojnë penalitetet, gjobat bëhen progresive
Me ndryshimet e propozuara ligjore në ligjin e procedurës tatimore, skema e gjobave ndryshon për moslëshim të faturës shoqëruese.
Për bizneset e vogla, që nuk janë të regjistruara në TVSH dhe që nuk lëshojnë fatura, ose i lëshojnë me elemente gjysmake sipas ndryshimeve të reja ligjore, dënohen me gjobë prej 50,000 lekë.
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 100,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH-së munguar.
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar.
Përveç dënimit me gjobë, sipas pikës 1 të këtij neni, përveç masës së gjobës për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative.
Sipas ndryshimeve të propozuara subjekti, i cili për herë të dytë brenda vitit kalendarik, kryen një shkelje gjobitet me 100,000 (njëqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël pa TVSH-së, 200 000 (dyqind mijë) lekë për tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël me TVSH-së, 300 000 (tre qind mijë) për tatimpaguesit e tjerë të regjistruar për tatimfitimi dhe TVSH.
Për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në bëhet vlerësim tatimor për periudhat e fundit të pavlerësuara, por jo më tepër se tre muaj, duke përdorur metodat alternative, të parashikuara në nenet 71 dhe 72 të këtij ligji. Më tej, ndaj biznesit merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike, e cila hiqet
nëse tatimpaguesi paguan penalitetet e vendosura.
Ndryshimet përcaktojnë se tatimpaguesi që lëshon një dëftesë tatimore, me vlerë të parashtypur, që nuk përmban elementet e përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore, për dëftesën tatimore/biletën me vlerë të parashtypur, dënohet me gjobë, në masën 50 000.
Tatimpaguesi që lëshon dëftesë tatimore, ku ka shënuar një vlerë të ndryshme nga vlera e furnizimit, ose e çmimit të afishuar, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
Moslëshimi i biletave të shërbimit me vlerë të parashtypur, të prodhuara nga institucionet e autorizuara, të përdorura në sektorë të ndryshëm, dënohet me gjobë, në masën 10,000 lekë.
Në ligjin aktual të procedurave tatimore, që është në zbatim gjoba për moslëshimin të kuponëve dhe faturave tatimore, ishin 50 mijë lekë dhe rivlerësim të vlerës së mallit për çdo kategori të biznesit.
Gjobat në procedurën e fiskalizimit
Tatimpaguesi, i cili është subjekt i lëshimit të faturës ose faturës shoqëruese, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë nëse nuk instalon pajisjen elektronike të faturimit, ose nuk pajiset me pajisje elektronike të faturimit të lëvizshëm dhe me printer fiskal, i cili përmban një softëare për nënshkrimin elektronik të faturës dhe nuk siguron një lidhje interneti për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore si më poshtë:
-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë prej 50,000 lekë.
-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 100,000 lekë.
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në, dënohet me gjobë prej 150,000 lekë.
nëse:
Gjobat e mësipërme aplikohen edhe ndaj bizneseve që nuk pajisen në AKSHI me certifikatën dixhitale të përcaktuar për nënshkrimin elektronik të faturës, ose faturës shoqëruese dhe për identifikimin e tatimpaguesit që lëshon fatura. Gjobat aplikohen edhe për bizneset që nuk lëshon faturat nëpërmjet pajisjeve elektronike të faturimit të përcaktuar në shkronjën dhe që nuk zbatojnë procedurën e fiskalizimit për shitje nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit.
Kundërvajtjet për mirëmbajtësit e pajisjeve të fiskalizimit
Sipas ndryshimeve të propozuara ligjore, prodhuesi dhe/ose mirëmbajtësi i software, i cili nuk është regjistruar në regjistrin e prodhuesve ose mirëmbajtësit të softuerit, përpara fillimit të ofrimit ose mirëmbajtjes së softuerit për lëshimin e faturave, ose faturave shoqëruese, në Administratën Tatimore, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë 1.000.000 lekë për këtë shkelje.
Prodhuesi ose mirëmbajtësi i software, programi i të cilit përdoret nga subjekti që lëshon fatura, nuk mundëson procedurën e fiskalizimit dhe nëse software përmban mundësi, të cilat shmangin procedurën e fiskalizimit të faturës së lëshuar në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë 1.000.000 lekë për këtë shkelje.
Shkeljet në procedurën e lëshimit dërgimit dhe pranimit të e-Faturës
Sipas propozimeve të Ministrisë së Financave, personi, i cili është subjekt i lëshimit të e-Faturës, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dënohet me gjobë:
-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë 50,000 lekë.
-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 100,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar.
-Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin, në përputhje me ligjin për tatimin mbi të ardhurat dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar nëse:
-Nuk lëshon apo dërgon e-Faturën dhe dokumentet shoqëruese në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit;
lëshon dhe dërgon e-Faturat dhe dokumentet shoqëruese që nuk janë në përputhje me rregullat e përdorimit të e-Faturës;
nuk është regjistruar në regjistrin qendror të shkëmbimit të e-Faturave.
Personi, i cili është i detyruar të pranojë e-Faturën, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, dënohet me gjobë:
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, të cilët nuk janë të regjistruar për TVSH-në, dhe tatimpagues të tjerë dënohen me gjobë 50,000 lekë.
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë prej 100,000 lekë.
Tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin dhe për TVSH-në, dënohen me gjobë 150,000 lekë, por jo më pak se vlera e TVSH së munguar
nëse:
-pranon dhe përpunon e-Fatura dhe dokumentet shoqëruese që nuk janë në përputhje me rregullat e përdorimit të e-Faturës;
-nuk pranon ose nuk përpunon e-Faturat dhe dokumentet shoqëruese në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit;
-kryen pagesat e e-Faturës në kundërshtim me dispozitat e ligjit që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.
Personi, i cili është ndërmjetës i teknologjisë së informacionit që ofron shërbime për lëshim/dërgim të e-Faturës, të cilat nuk janë në përputhje me ligjin që rregullon faturën dënohet me gjobë 50.000 lekë për çdo faturë.
Mosmarrja e faturës, gjobat
Blerësi ose çdo pranues i faturës së lëshuar për pagesë me para në dorë, i cili nuk e merr faturën e lëshuar, dhe, me kërkesë të personit të autorizuar të administratës tatimore, nuk i tregon faturën e marrë pas largimit nga vendndodhja e biznesit të shitësit dënohet me:
-100 mijë lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për TVSH dhe/ose Tatimin mbi Fitimin
-50.000 lekë nëse është tatimpagues i regjistruar për Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin.
-2.000 lekë nëse është individ, konsumator final. Me ligjin aktual gjoba për konsumatorët ishte 1000 lekë.
Dënimet janë 00.000 lekë për çdo rast, nëse banka apo institucioni financiar që ofron shërbime të pagesave pa para në dorë të e-Faturave të lëshuara nga subjekti i cili ka zbatuar procedurën e fiskalizimit, nuk e regjistron pagesën e kryer, si dhe për këtë pagesë nuk e njofton administratën tatimore nëpërmjet sistemit elektronik, menjëherë pas pagesës, në përputhje me ligjin që rregullon faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit.