BallinaKryesoreProf.Dr.Lush Susaj: Universitetet nën sundimin politik. Fati i investimeve dhe projekteve vendoset...

Prof.Dr.Lush Susaj: Universitetet nën sundimin politik. Fati i investimeve dhe projekteve vendoset në dasma dhe lokalet e natës

spot_img
spot_img

Mjafton një dasmë apo një darkë e thjeshtë për të vendosur për fatin e investimeve dhe projekteve në universitete

Pasojat e sundimit politik të shkollës dhe universiteteve

Prof. Dr. Lush Susaj

Që nga dita e shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar e deri më sot, misioni themelor i shkollës dhe universiteteve ka qenë e do të jetë kulturimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, shoqëror e politik i vendit. Sa herë që flas apo shkruaj për këtë problem, gjithnjë me vjen ndërmend shprehja lapidar e Luigj Gurakuqit (1912), i cili thoshte: Arsimi në shërbim të çështjes kombëtare”. Reduktimi i rolit dhe funksionit primar të shkollës dhe universiteteve, nuk ka asnjë lidhje me gjenetikën dhe as me origjinën dhe gjeografinë e shqiptarëve. Goditja e rrolit dhe funksioneve të universiteteve, pikë së pari ka ardhur për shkak të abuzivizmit nepotik që buron nga sundimi i gabuar politik i shkollës dhe universiteteve.

Për shkak të sundimit dhe mbytjes së autonomisë, meritokracisë dhe funksionimit demokratik të universiteteve, edhe institucionet dhe administrata janë shndërruar në oaze të paaftësisë, inkompetencës, konspiracionit, korrupsionit dhe nepotizmit. Në këto oaze duket që ka shumë pak vlera, projekte dhe ide zhvillimore. Kjo për faktin që kudo ku politika e sundon universitetin, nga auditorët nuk prodhohet më as dije as kulturë, as specialist dhe as kapacitete administrative e menaxheriale. Atje ku sundohet universiteti prodhohet më shumicë demagogjia, konspiracioni, fiktiviteti, abuzivizmi, egërsia, ligësia, pabesia, servilizmi, hajdutëria, arrogance, mungesa e dialogut, kompromisit dhe konflikti i panevojshëm. Aty ku sundohet universiteti, studentët behën gjithnjë e më të varfër, behën më të stresuar, më të përçarë, më pak reagues e të pasigurt për të ardhmen e tyre, pa folur këtu për dijen dhe diplomat që nuk ju shërbejnë për asgjë. Midis sundimit politik të universiteteve dhe fenomenit të kenetëzimit dhe mungesës së qarkullimit të mirëfilltë të elitave dhe projekteve zhvillimore, ekziston lidhja e forte shkak-pasojë. Atje ku ka demokraci dhe autonomi universitare, ka demokraci dhe elitarizëm, ka debat, ka gjithpërfshirje dhe reformim të thellë e të vazhdueshëm të strukturave mësimore, administrative e kurrikulare. Demokracia dhe sundimi abuzivist nuk kanë origjinë dhe as pikë të përbashkët, ku rri njëra nuk rri tjetra. Për klanet nepotike, mjafton një dasmë apo një darkë e thjeshtë për të vendosur për fatin e investimeve dhe projekteve në universitete, për fatin e zgjedhjeve, për fatin e specializimeve dhe pedagogëve të ndershëm, e më e keqja edhe për fatin e studentëve më të mirë, të atyre që kundërshtojnë këtë realitet e që për shkak të reagimit të tyre publik nuk patën kurrë shansin për të qenë as pjesë e administratës, as pjesë e specializimeve, as e projekteve dhe aq më pak e institucioneve. Atje ku sundohet universiteti, vendin e njeriut të punës e dijës, gjithnjë e zënë hipokritët, pesanjosët, mashtruesit dhe parazitët.

  • Sundimi dhe mungesa e gjatë e qarkullimit të elitave

Sundimi politik i universiteteve ka prodhuar dhe do të prodhojë përbindësha dhe parazitë që e bëjnë gati të pamundur reformimin e domosdoshëm të universitetit dhe gjithë sistemit arsimor të Shqipërisë. Thëniet e Fan Nolit për anarkitë morale e shoqërore në Shqipëri, janë bërë më aktuale se kurrë. Në vitin 1924, Noli ka shkruar: E treta, anarkia morale: këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha… E pesta, anarkia e idealeve: Për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i shqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë”. Atje ku sundohet universiteti, në vend të krijimit të specialistëve dhe elitave shtetformuese, stimulohen dhe krijohen injorantë me ambicie pa fre e pa kufi. Krijohen kolltukofagë dhe rriqna parazite që i sulën administratës dhe institucioneve për ti degraduar e që nuk shqitën prej tyre pa ua prerë krahët dhe kokën. Në kushtet e stimulimit dhe rritjes së pesanjosëve, universiteti dhe e gjithë jeta jonë shoqërore e politike, bëhet edhe më e padëshiruar dhe e paduruar për studentët elitarë dhe gjithë ata që kërkojnë nga shkolla dije konkurruese e bashkëkohore.

  • Sundimi dhe degradimi nepotik i kurrikulave dhe mësimdhënies

Sundimi politik i universiteteve, gjithnjë është kamufluar me demagogji e fjalime sofiste përmes të cilave dështimet paraqitën si arritje, degradimi i kurrikulave dhe programeve mësimore paraqitet si zhvillim bashkëkohor, ndërsa injorantët dhe të korruptuarit e klaneve nepotike na paraqitën dhe promovohen si njerëz të ditur e shumë të zotë. Ka kohë që është kaluar masa, tashmë e keqja ka arritur deri në atë pikë që nuk mban më. Nuk besoj që të ketë pedagog as student që nuk e kupton sjelljen dhe lojën abuziviste të dosjeve fiktive dhe mbledhjeve bajate e që nuk kanë asnjë lidhje me përgatitjen akademike dhe as me procesin e mësimdhënies. Të gjithë e kuptojnë qëllimin dhe falsitetin e të ashtuquajturave “analiza pune”, por që për punën nuk bëhet asnjë pyetje e për punën nuk diskuton askush. Ajo që sundimtarët duan të mbetet është protokolli që argumenton përgjegjësin kolektive dhe ndonjë fotografi sa për të justifikuar investimet dhe punët që nuk i pa askush. Sundimi dhe abuzivizmi ka arritur deri në atë pikë sa që në universitetet dhe shkollat tona, pothuajse ka vdekur fjala, analiza, argumenti dhe kërkesa e llogarisë. Përbindëshat dhe klanet e tyre nepotike, përmes abuzivizmit me blerjet, me projektet, me shkëmbimet me jashtë dhe investimet, e deri dhe me programet dhe kurrikulat mësimore, e kanë mbytur korrektesën dhe konkurrencën e vlerave dhe ideve, si dhe e kanë vështirësuar e pamundësuar informimin dhe pjesmarrjen reale të studentëve dhe pedagogëve kurajozë e reagues në administrimin e jetës akademike dhe vendimmarrjen universitare. Ku ka sundim dhe nepotizëm, vendin e arsyes, transparencës dhe dijes e zë arroganca, injoranca, konspiracioni dhe demagogjia me shkresa e fotografi për punë dhe arritje që nuk i pa kush kurrë. Sundimi politik i universiteteve e ka deformuar dhe degraduar vendimmarrjen dhe drejtimin kolegjial në lojë të pisët tarafesh dhe interesash të ngushta. Bashkë me shkatërrimin e kolegjialitetit, janë shkatërruar edhe programet dhe kurrikulat mësimore. Nuk besoj të ketë ndonjë student, as prind dhe as pedagog të ndershëm që nuk e ka parë e kuptuar mënyrën se si lëndët dhe programet mësimore në shkollat dhe në universitetet tona, nuk përputhën më me nevojat e tregut të punës. Babëzia dhe beteja për të rehatuar sa më mirë pykat e klaneve nepotike, ka goditur edhe orën e mësimit e cila është dhe duhet të konsiderohet si “e shenjtë”. Kështu ka ndodhur shkëputja reale e programeve mësimore me tregun e punës, ato nuk po bëhen më në funksion të përgatitjes së specialistëve dhe intelektualëve të aftë për tregun e punës dhe administratën funksionale. Në këtë pabesi, studenti është më i dëmtuari për shkak se lëndët dhe programet e tyre mësimore nuk janë bërë për nevojat e tregut por për të kënaqur interesat e fëmijëve dhe familjarëve të politikanëve që kanë shtrirë duart e tyre të pista deri në auditorët dhe në orët e mësimit.

  • Sundimi e pamundëson reformën dhe paktin për universitetin

Sundimi abuzivist dhe nepotizmi që buron prej tij, e bëjnë sistemin tonë të mbyllur, të ndryshkur, të rehatshëm për konjukturalët dhe rriqnat parazite, të ngadalshëm e pothuajse të pandjeshëm ndajë reagimeve dhe nevojës për t’u reformuar. Në këto kushte, çfarëdo ligjesh e rregulloresh që të hartohen janë të destinuara të dështojnë e të mbetën vetëm në letër. Mundësia e reformimit të brendshëm të universiteteve, pikë së pari buron nga reformat liberalizuese e demokratizuese të cilat nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me sundimin dhe as me nepotizmin që po rrënon sistemin. Në këto kushte, duket që në disa aspekte ka dështuar edhe vetë pakti për universitetin. Është fjala për një pakt të hartuar rreth një vit më parë midis qeverisë dhe studentëve, e që përmban disa ndërhyrje të lehta sipërfaqësore e që duhet të ishin përmbushur pikë për pikë. Pavarësisht nga ky fakt, dihet që edhe këtë vit akademik, shumë prej tarifave të studentëve në bastër dhe bachelor mund dhe duhet të ishin përgjysmuar ose hequr. Përtej disa përpjekjeve dhe investimeve serioze në godina e klasa, përsëri kushtet e studimit dhe jetesës së studentëve vazhdojnë që të jenë të këqija. Kjo nxjerr në pah faktin që operimi dhe funksionimi i administratës së universiteteve, nuk është as në kohën e duhur dhe as në nivelin e duhur. Pavarësisht një grushti studentësh të punësuar në institucione sa për një kronikë televizive, dihet që pjesa më e madhe e studentëve përfundojnë në punë të keqpaguara, pa perspektive ose detyrohen që të kërkojnë punë dhe azil në vendet e tjera. Përballë kësaj situate totalisht të panevojshme në sistemin e arsimit, sidomos në arsimin e lartë, përsëri të humburit janë dhe do të jenë studentët dhe pedagogët e përkushtuar. Ndërsa të fituarit e të paprekshmit janë e mesa duket do të vazhdojnë të jenë drejtuesit politik dhe klanet e tyre nepotike, korruptive e krahinore. Telegraf

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular