Kryetari i PD Lulzim Basha ka reaguar pas atentatit të sotëm, ku mbeti i plagosur prokurori i Durrësit Arian Ndoja. Basha shprehet se kjo është ngjarja më e rëndë mafioze që mund të ndodhë në një vend.
Postimi i Lulzim Bashës:
Atentati ndaj një prokurori është ngjarja më e rëndë mafioze që mund të ndodhë në një vend. Ngjarja e sotme tregon se krimi nuk e ka frikë shtetin. Më e rëndë është situata kur kjo ngjarje kriminale u parapri nga kërcënime direkte të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit ndaj këtij prokurori, i cili nëse dyshohej se ka shkelur ligjin duhet të çohej para drejtësisë e jo të linçohej publikisht.
Zbardhja sa më parë e kësaj ngjarje të rëndë dhe vënia para drejtësisë e autorëve dhe porositësve të këtij krimi mafioz është jetike për të dëshmuar se shteti nuk ka kapitulluar totalisht para krimit.
Sonte dua të inkurajoj çdo prokuror dhe punonjës të ndershëm të policisë të luftojnë krimin dhe të mos gjunjëzohen para tij. E di se flas në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve, kur ju them se keni në këtë betejë simpatinë dhe mbështetjen mbarëpopullore, edhe kur kundër jush e në krah të krimit janë të implikuar segmentet më të larta të pushtetit.