Tërmeti i fuqishëm me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter, që tronditi qytetin e Korçës mëngjesin e sotëm, ka shkaktuar dëme të mëdha. Gazetarja Lorena Kodra raporton për “Balkanweb” se banesat e dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit të këtij viti janë shkatërruar plotësisht nga tërmeti i ditës së sotme.
Gazetarja Kodra sjell dhe pamjet e para në redaksinë e “BalkanWeb”, që tregojnë banesat e dëmtuara, ku më të prekur janë fshatrat Vidohovë dhe Qafëzezë.
Banorët shprehen se tërmeti i sotëm i ka tmerruar, pasi ka qenë më i fuqishëm se ai i 1 qershorit, ndërsa kërkojnë nga shteti çadra për të kaluar natën jashtë, pasi banesat e tyre janë të shkatërruar.
“U tmerruam. Ishte termeti me i fuqishem se ai i qershorit. Kemi mbetur ne qiell te hapur. I kishim banesat e demtuara tani na u shkaterruan totalisht. Askush s’ka bere asnje gje. Do flem jashte. Nuk kemi zgjidhje tjeter. Kerkojme cadra dhe ndihma. Eshte ftohte”, pohojnë banorët e fshatit Vidohovë.
Ndërsa, situata në Korçë është më e qetë se në këto fshatra, pasi banesat nuk janë aq të dëmtuara sa në fshatra, ku janë regjistruar vetëm plasaritje dhe rënie jashtë pallateve.