Autorët e atentatit të djeshëm ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe dy personave që e shoqëronin në automjet, mendohet se kanë përdorur dy automjete për të kryer ekzekutimin në mbikalimin e Shkozetit.
Një nga këto automjete, makina tip “Benz” ngjyrë gri u gjet e braktisur rreth 2 orë pas ngjarjes në fshatin Shkafane, në Ishëm.
Kjo është makina që dyshohet se u përdor në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja pranë mbikalimin të Shkozetit në autostradën Tiranë – Durrës, pasditen e së premtes.
Nga ky mjet u qëllua me breshëri me dy automatikë në drejtim të makinës ku ndodhej prokurori Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi, i njohur me nofkën “Rrumi”, dhe Andi Maloku, që përdorej nga prokurori si shofer personal. Të tre po ktheheshin për në Tiranë pasi kishin drekuar së bashku në një restorant në zonën e Plazhit.
Grupi hetimor që drejtohet nga prokurorët e Krimeve të Rënda Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj, ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve përgjatë autostradës. Por vendi ku ndodhi atentati është larg bizneseve.
Nga të dhënat hetimore ata kanë mundur të rindërtojnë edhe skemën e ngjarjes, të cilën Tv Klan po e sjell në mënyrë grafike.
Të shtënat mbi makinën ku udhëtonte prokurori Ndoja kanë nisur rreth 200 metra para mbikalimit të Shkozetit. Më pas drejtuesi i mjetit Andi Maloku që u gjend nën breshërinë e plumbave, ka devijuar nga rruga duke u përplasur me barrierat metalike dhe më pas ka përfunduar në kanal.
Atentatorët, që dyshohet të kenë qenë 3, e kanë qëlluar fillimisht nga prapa makinën e prokurorit e më pas nga krahu i shoferit.
Ndoja ka qenë i ulur në vendin e parë të pasagjerit, ndërsa Muharremi në pjesën e pasme.
Dalja e makinës së tyre nga rruga duket se i ka ndihmuar ata që të shmangin plumbat e tjerë të derdhur nga atentatorët, makina e të cilëve ka vijuar rrugën në autostradë deri në Sukth, ku ka dalë për të marrë drejtimin e fshatit Shkafanë, aty ku u braktis.
Mjeti rezulton i vjedhur dhe ishte pajisur po me targa të vjedhura në Lezhë.
Policia gjeti në makinë dy kallashnikovë, dy maska dhe një bidon me benzinë, që mendohet se do të përdorej për djegien e makinës që të humben gjurmët, por që për policinë është e paqartë se autorët nuk arritën t’i vënë flakën.
Maskat e gjetura në makinë janë çuar në laboratorin e kriminalistikës dhe mbetjet biologjike të lëna në to mund të shërbejnë për rindërtimin e profilit të ADN–së së autorëve.
Deri tani janë kryer kontrolle të shumta nga Policia e Durresit dhe forcat RENEA që kanë mbërritur në qytetin bregdetar, por ato nuk kanë dhënë rezultat.