Situata e refugjatëve në Greqi po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Qeveria e re greke po ndërhyn me ashpërsi, por problemi mbetet. Presioni ndaj BE-së po rritet.
“Nënë Rosa, më prano të lutem sot, sot në darkë, game”, lutet një i ri afgan. Nënë Rosa është gjermanja Rose Hanses, që ndihmon komunitetin e refugjatëve në Selanik. Ajo është e rreptë, kur vjen fjala për oraret e vizitave. Deri në orën gjashtë ajo dhe ekipi mjekësor janë të gatshëm të ndihmojnë refugjatët. Që nga viti 2017 qëndron ajo me një ambulancë me targa Hamburgu dhe kujdeset për refugjatët në afërsi të stacionit të trenit. Për të riun afgan sot ajo bën një përjashtim. Sepse me “game” i riu nuk ka parasysh ndonjë lojë. Kjo fjalë anglisht do të thotë se, ata do të përpiqen të kalojnë sot kufirin përmes Maqedonisë së Veriut ose Shqipërisë. Afgani merr disa ilaçe dhe largohet.
“Selaniku është një qytet tranzit. Askush nuk do të qëndrojë këtu. Kufiri nuk është larg”, thotë Hansen. Zona përreth stacionit të trenit është një pikë grumbullimi e refugjatëve. Më shpesh ajo trajton infektime nga pickimi i mushkonjave apo infektime të tjera. “Në kushte të mungesës së higjinës pickimet e mushkonjave apo flluskat mund të kthehen në problem serioz”, thotë infermierja e diplomuar.
Qeveri e re, rregulla të forta
Para disa javësh autoritetet filluan të shpërndajnë refugjatët nga kampet e tejmbushura në Samos dhe Lesbos në veriun grek. Kjo nuk është ndonjë gjë e re, thotë avokati Vasilis Kronopoulos. “Për shkaqe humanitare madje kjo është e nevojshme, por edhe kampet brenda vendit po arrijnë kufijtë e kapaciteteve të tyre.”
Sipas tij, numri i ri i refugjatëve këtë verë në Greqi, praktikisht e ka kthyer vendin në situatën e vitit 2016. Kësaj i shtohet një problem tjetër. “Kushtet në kampe nuk janë të mira. Dhe shtrohet pyetja, nëse ato janë të përshtatshme për dimrin që po vjen.” Sipas tij, situata e refugjatëve është futur në qorrsokak. Ata nuk duan të qëndrojnë në Greqi. Megjithëse sistemi ofron disa shërbime, shumë vetë ndjehen të lënë vetëm.
Për Rose Hansen shtrohet pyetja, nëse këto shërbime mjaftojnë. Që nga korriku qeveris në Athinë qeveria e re konservatore. Kryeministri i ri, Kyriakos Mitsotakis që në fushatë kërkoi të veprohet me ashpërsi. “Që kur ka ardhur në pushtet Mitsotakis, refugjatët nuk marrin më AMKA”, thotë ajo. AMKA – numri i siguracionit shëndetësor në Greqi u siguronte refugjatëve më parë trajtim shëndetësor falas. Edhe një ndryshim tjetër ka vënë re Hansen. “Që nga ardhja e qeverisë së re, kemi pasur më shumë njerëz që janë keqtrajtuar.” Shumë refugjatë raportojnë për dhunë policore, edhe nga pala greke.
Zbarkuar në tokë e të harruar
Aktualisht në Greqi mbërrijnë kryesisht djem të rinj pa familje. Ata vijnë nga Afganistani, Pakistani, Iraku, Siria, Afrika e Veriut. Janë pikërisht ata refugjatë, që askush nuk i do më në veriun europian, dhe që në Gjermani shihen edhe si kërcënim. Rose Hansen nuk sheh probleme me ta, edhe pse nëna e dy vajzave i mirëkupton njerëzit që kanë frikë. Me disa fjalë arabisht dhe persisht ajo vendos rregull, kur fillojnë grindjet. Ajo ka krijuar autoritet me një përzierje të mëmësisë dhe kufijve të vendosur qartë.
Të lënë vetëm nuk ndjehen vetëm refugjatët, por edhe grekët. Së fundmi banorët e një fshati, Vrasna Paralia në Greqinë e Veriut vendosën barrikada. Sultana Klick, një greke që jeton prej 40 vitesh në Shtutgart shpjegon pse. “Fshati ynë ka 100 banorë, këtu jetojnë 1500 refugjatë. Tani duan të sjellin autobusë me 2000 refugjatë të tjerë.”
Ajo nuk mendon se situata është shkallëzuar. Shumë vetë kanë marrëdhënie të mira me refugjatët, thotë ajo. “Ne kemi ofruar veshje, ushqim, biçikleta, dhe kemi hapur një supermarket me produkte hallall, por ndërkohë fshatit i janë larguar turistët. “Nuk mund të qëndrojnë të gjithë refugjatët në Greqi”, thotë Sultana Kluck.
Marrëveshja me Turqinë – pa efekt
Këtë mendim ka edhe kryeministri i ri grek, Mitsotakis. Plani i tij – ligji i ri për azilin i cili u miratua së fundmi do të përshpejtojë procedurat e azilit. Një kërkesë do duhej të trajtohej nga disa javë deri brenda gjashtë muajsh. Por shumë refugjatë presin ndërkohë dy vjet për trajtimin e kërkesës. Athina kërkon të forcojë ligjet dhe të kontrollojë më shumë. Ndërkohë në Athinë janë shkëputur nga ëndrra, se marrëveshja me Turqinë për refugjatët do të zgjidhte të gjitha problemet. Sipas avokatit Kronopoulos, “kjo marrëveshje pas tre vjetësh e ka humbur efikasitetin. Refugjatët e dinë tani dhimbjen që ajo shkakton.” Megjithatë ata vijnë. Rose Hansen e konfirmon këtë. Përditë ajo trajton refugjatë para rrugëtimit drejt Europës Perëndimore. Për nëna Rosën, rezultat i pasigurisë. Ende gjendja në Greqi nuk ka shpërthyer. Por presioni ndaj BE po rritet gjithnjë e më shumë./DW