Këtë të hënë ka vijuar shoqërimi i personave që mund të kenë dijeni apo janë të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe shoferit Andi Maloku.
Sipas burimeve një person i dyshuar është shoqëruar nga policia, ndërsa disa të tjerë janë marrë në pyetje. Për këtë ngjarje, në emisionin Opinion gazetari Spartak Koka ka treguar detaje.
“Ka qenë ora 16:20 minuta e së premtes. Mjeti i prokurorit është ndjekur nga një automjet tjetër tip Benz, ku ishin tre persona. Në makinën e prokurorit ishin Arjan Ndoja, Aleksandër Laho dhe shoferi Andi Maloku. Personazhi “kryesor” i njohur dhe me pseudonimin “Rumi” kishte 4 emra. Emrin e parë Pëllumb Muharremi, emrin e dytë Pëllumb Ymeri, emri i tretë është Aleksandër Dako i datëlindjes 1973, këtë mbiemër e ka marrë në vitin 2007. Mbiemrin tjetër Aleksandër Laho e ka marrë në vitin 2012, pra Aleksandër Laho 8/3/1973”, tha gazetari.
Sipas tij ndaj tyre kanë qëlluar dy automjete. “Dyshohet që autoret të kenë ndjekur lëvizjet e prokurorit. Krimi i organizuar ka aq shumë lidhje sa… Rumi zyrtarisht nuk ka asnjë akuzë dhe asnjë vepër penale. Janë qëlluar 10 plumba mbi automjetin. Dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë Pëllumb Muharremi”, tha Spartak Koka. / Opinion.al