“Një palë syze dielli e kanë ‘tradhtuar’ stomatologun Redjan Rraja, i ndaluar nga policia si një prej autorëve të sulmit me armë mbi makinën e prokurorit Arjan Ndoj pasditen e së premtes tek mbikalimi i Shkozetit”.
Kështu ka deklaruar gazetarja Klodiana Lala në “Reals Story” në News24 mbrëmjen e sotme duke dhënë detaje të tjera nga hetimet. Lala tha se Rraja është shoqëruar të dielën në darkë, teksa udhëtonte për në Hanin e Hotit dhe ka deklaruar se udhëtimi ka qenë i planifikuar.
“Rraja është një emër jo pak i njohur. Ai është shoqëruar që të dielën në darkë nga policia, ka qenë një nga personat e shoqëruar. Ai ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij drejt Hanit të Hotit. Ka qenë duke u larguar, ai ka thënë se ka qenë udhëtim i planifikuar. Një palë syze dielli e kanë lidhur me ngjarjen sepse janë gjetur në makinën e autorëve që u gjet në Shkafane. Ai ka qenë i akuzuar për fshirjen e gjurmëve në vrasjen e Elton Çiços dhe gjurmët e tij të gishtave ishin të skeduara. Fillimisht ai ka mohuar çdo gjë. Kur është vënë përpara fakteve dhe syzet i janë vënë para ka pohuar që janë syzet e tij por ka mohuar që ka lidhje me ngjarjen”, deklaroi gazetarja.
Një ndihmesë tjetër për zbulimin e autorëve sipas Lalës ka qenë edhe dëshmia e shoferit të Pëllumb Muharremit, i cili eskortonte makinën e Prokurorit Ndoj. Lala deklaroi se dhe dy autorët e tjerë janë pranë identifikimit dhe janë nga Veriu dhe me rekorde të theksuara kriminale.
“Makina e Arjan Ndojës ka qenë duke u eskortuar nga automjeti i Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit ose i njohur me nofkën ‘Rrumi’. Në momentin që ka ndodhur atentati, shoferi i Muharremit ka parë gjithë skenën dhe ka përshkruar personat e dyshuar dhe kjo gjë ka ndihmuar prokurorët. Në momentin që ai ka dhënë dëshminë e tij, dyshimet janë që mjeti nuk është djegur sepse autorët kanë pasur frikë se janë ndjekur nga ky automjet. Por shoferi ka qëndruar për të ndihmuar të plagosurit.Dhe dy personat e tjerë janë pranë identifikimit, janë nga veriu me rekorde të shumta kriminale”, deklaroi Lala.
“Prona që rezultojnë me mbivendosje, përfituesi më i madh i të cilave është Pëllumb Muharremi. Sa i përket Redjan Rrajës se si një njeri që ka qenë stomatolog në burg dhe është shndërruar në një njeri të rrezikshëm mbetet për t’u saktësuar”, tha ajo./ BW