Fati i prokurorit Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremit mund të mos kishte qenë i njëjtë, nëse njëri nga kallashnikovët që derdhi breshërinë e plumbave ndaj tyre të mos ishte bllokuar.
Mekanizmi i saj është bllokuar gjatë qitjes, duke u dhënë mundësi tre personave të gjetur nën breshëri që të shpëtonin, megjithëse fatkeqësisht sot ndërroi jetë shoferi i prokurorit, Andi Maloku.
Makina e prokurorit Ndoja mori vetëm 8 plumba, ndërsa atentatorët qëlluan 20 herë në drejtim të saj.
Por veç detajeve që po ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Durrësit po hetojnë intensivisht për të zbuluar motivin dhe personat e tjerë të përfshirë në ngjarjen kriminale të 1 nëntorit.
Për këtë arsye, hetuesit kanë sekuestruar edhe telefonin e prokurorit Ndoja, i cili i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në përpjekje për të gjetur lidhje mes bisedave të Ndojës dhe ngjarjes.
Po kështu janë sekuestruar edhe telefonat e Pëllumb Muharremit, i njohur si Rrumi, dhe shoferit tanimë ndjerë Maloku.
I arrestuari i vetëm, Redjan Rraja, i cilësuar si personi kryesor në grupin e atentatorëve, nuk ka pranuar pjesëmarrjen në ngjarje dhe ka hedhur poshtë çdo lidhje të tij me atentatin.
Por Gjykata e Krimeve të Rënda e la në burg, pasi Prokuroria paraqiti si prova shenjat e gishtërinjve që ai kishte lënë në një palë syze të gjetura në makinën që u përdor në atentat.
Edhe qelizat e telefonit të tij celular kanë treguar që ndodhej në atë zonë në momentin e atentatit. /TvKlan/