Dosja e shumëpërfolur e hetimit të kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së gjendet aktualisht e bllokuar në Prokurorinë e Tiranës pa një vendimmarrje finale për shkak se një nga tre prokurorët nuk kanë firmosur njoftimin e përfundimit të hetimeve.
Pyetur nga BIRN, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj tha se pasi ishte njohur me dokumentet që kanë të bëjnë me dosjen hetimore kishte konstatuar parregullsi.
“Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende,” tha Imeraj për BIRN.
“Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre,” shtoi Imeraj.
BIRN mësoi se prokurorët Karanxha dhe Tako kanë firmosur vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale falsifikimi i dokumenteve nga ana e Bashës dhe dy drejtuesve të tjerë të partisë së tij, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Karanxha dhe Tako kanë firmosur një dokument të dytë ku pushojnë çështjen për akuzën e dytë, atë të pastrimit të parave.
Vendimet e tyre rrodhën në media në mënyrë të pjesshme duke shkaktuar konfuzion në opinion publik.
Basha u mor i pandehur në qershor për shkak të shpenzimit prej Partisë Demokratike të disa qindramijëra dollarëve për lobim në SHBA gjatë vitit 2017, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Basha dhe dy zyrtarët e tjerë i mohojnë akuzat.
“As kam firmosur, as kam vulosur dhe as kam përpiluar akt dhe për rrjedhojë nuk kam se si të kem falsifikuar,” deklaroi Arben Ristani, ish-sekretar i Përgjithshëm i PD-së dhe një nga të pandehurit.
“Për të mos hequr veten time mënjanë, edhe PD ka plotësuar formularin sipas ligjeve në fuqi dhe ka deklaruar ato para që ka pasur dhe që ka shpenzuar. PD nuk mund të deklaronte para që nuk i ka pasur,” shtoi ai.
Falsifikimi i parashikuar nga neni 190/3 i Kodit Penal parashikon burg nga tre deri në shtatë vjet në rast se të pandehurit gjehen fajtorë nga gjykata. Akuza për të cilën dy nga tre prokurorët e çështjes janë tërhequr, ajo e pastrimit të parave sipas nenit 293ç, parashikon burg nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Megjithatë, për shkak të konfliktit midis prokurorëve, fati i dosjes hetimore mbetet i paqartë.
“Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale,” deklaroi Imeraj.
“Prokurorët në fjalë nuk kanë njoftuar as zëvendësuesin tim gjatë këtyre ditëve që nuk kam qenë në detyrë për arsye shëndetësore”, shtoi ajo.
Gjergji Tako, një nga tre prokurorët, refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të BIRN duke thënë se për këtë çështje flet vetëm zëdhënësi.
Ervin Karanxha konfirmoi se dosja nuk është dërguar në gjykatë dhe se gjendet ende në “proces administrativ”.
“Dy të tretat jemi dakord, nuk e di pse i treti nuk ka firmosur. Hetimet janë mbyllur zyrtarisht sot,” tha Karanxha.
Prokurori i tretë, Kolë Hysenaj nuk iu përgjigj kërkesave për koment.