NGA IZET DURAKU
Deri te libri “Gjethnajë shpirti” poezisë së Vera Istrefajt i është dashur të udhëtojë me veten e saj përmes titujve “Shiu i fundit”, “Nënëqeshja e ëmbël”, “Në akuj digjem”, “U jepem udhëve”, “Qielli i shpirtit tim”, “Vesë shpirti” dhe “Lirikat e Pikëllimës”.
Është ky një bilanc librash i mjaftueshëm për të provuar shijen e plotë të poezisë dhe , së paku, për tu shprehur më me siguri rreth saj. Duke marrë parasysh se libri i fundit ka 74 poezi, numri i poezive të botuara të saj deri më sot nuk është aspak i vogël. Edhe nga ky numër mund të mësohet se autorja ka jetuar me poezinë.
Imazhe, figura, tinguj muzikorë e kanë shoqëruar gjatë gjithë jëtës. Po ku nis udha poetike e Vera Istrefajt? Shpesh zanafilla e lumenjve shfaqet në gryka malesh ku reshjet e motit vijnë përherë të bollshme. Burimet rrjedhin prej gropave të nëndheshme duke përshkuar një udhë të mistershme plot dredha e përplasje të padukshme.
Edhe poezia, si fat natyror i njeriut e ka këtë përngjasim. Ajo nuk është vetëm e sotmja, po më shumë e kaluara e saj që është kultivuar nga gjyshstërgjyshërit dhe etërit që kanë kënduar e vajtuar fatin e tyre. Nisur nga poezia e Verës, kam bindjen se një pjesë e zanafillës së saj është te pasuria folklorike e Lumës, vecanërisht te poezia gojore që ka gjalluar së bashku me prozën: rrëfime fantastike e realiste, ka marrë formë prej muzikës, koreografisë, pa harruar elementët dramatikë që improvizoheshin në kremte motmoti e familjare.
Poezia popullore ka marrë gjithashtu ngjyrë dhe është pasuruar me imazhe piktorike në punimet e shumta artizanale. E kam ndjekur hershëm udhëtimin poetik të autores Vera Istrefaj. Para se të botonte librin e saj të parë. Ishte viti 1991, kur kam lexuar një dorëshkrim të pasur poetik të saj. Një pjesë e poezive të saj u botuan në shtypin e kohës. Më la përshtypjen e një fillimi të pazakontë. Aso kohe ajo ishte në vitet e para të gjimnazit në Kukës, ku për fat jepnin mësim mësues të pasionuar letërsie, midis të cilëve shkrimtarë të afirmuar si Ferhat Cakaj. Shkrimtarë që përkrahnin e nxisnin krijuesit e rinj.
Ndërkohë ishte fat për poetët e rinj që në Kukës jetonin dy poetë të talentuar si Agim Spahiu dhe Bajazit Cahani, një bisedë me të cilët mund të hapte një dritare të re në duhën e krijimit. Përveç gazetës lokale Kukësi kishte edhe Radio Kukësin. Megjithë vështirësitë e kufizimet e njohura politike, krijuesit e kishin në derë për tu bërë të njohur duke u takuar me lexuesin e tyre. Fillesat e reja poetike, ndonëse premtuese, shpesh janë shuar duke lënë megjithatë njgjyrën dhe aromën e tyre të papërsëritshme. Nuk kam pasur kurrë frikë se pasioni poetic i Verës do të shuhej.
Dua të kujtoj këtu fillimet e jashtëzakonshme poetike të Hamit Aliajt dhe Skënder Buçpapës në fillim të viteve ’70 në Tropojë. Sigurisht nuk ishin të vetmuar. Kështu me kaq bujë e bukuri poetike ishte shfaqur Rudolf Marku në Lezhë ose Petrit Ruka me Ilirian Zhupën në Tepelenë. Rinia është sinonim i ëndërrimeve, i shpresave dhe vrulleve poetike. A nuk ishte një i ri i jashtëzakonshëm 18 vjeçari De Rada me “Milosaon” e tij.
Një fenomen poetik i papërsëritshëm është Migjeni, Ismail Kadareja etj. Emra të tillë krijuesish kaq të ndritshëm, ushqejnë paprerë rrjedhën e pandalshme të poezisë shqipe. Sigurisht prej bujarisë së zjarreve të tyre, ka përfituar edhe poezia e Vera Istrefajt që ka ruajtur fytyrën dhe shpirtin e saj të mëvetësishëm. Zjarri i ndezur në fëmini për fat është ruajtur e fuqizuar. Prej këtij zjarri është bartuar forma e beftë spontane. Edhe kur shpesh nuk duken flakët, ndjehet ngrohtësia, madje edhe vlimet e një prushnaje disi të fshehtë. Nëse futemi në rrjedhë ndjejmë vibrimet e gjeratoreve të fshehta.
Përmes leksikut të zgjedhur, metaforës dhe arsenalit tjetër figurativ përftohet një siprinë e qetë me fare pak valëzime. Dallgëzimet më shumë se shihen, ndjehen. Paqen e dukshme mund ta trembin herë herë shkëmbejtë e nënujshëm. Poezie e Verës më ngjan me një lumë, rrjedha e qetë e të cilit sigurohet prej brigjesh të buta, përmes një peisazhi të rrafshët, të blertë. Mund të hetohet këtu kjo semantikë në shenja të sigurta gjuhësore, në tinguj e fjalë me mungesë zhurme. Kthjelltësinë e rrjedhës e sigurojnë qiejt e lartë pa kreshpërime resh.
Edhe reshjet e një trishtimi të dukshëm e të padukshëm, janë të buta. Një shi i butë zbret prej një stine sureale. Pa shkrepëtima e bubullima. Një shi që gjen palcën e tokës. Më shumë se nga transparenca, thellësia poetike vjen nga shtresa të panjohura kuptimesh e nënkuptimesh. Në këtë sens kjo poezi vjen nga viset e lirikës autoktone, një lirikë e krijuar kryesisht femërore, ku brengën e brendshme e shfaq butësisht si një aisberg dhimbjeje. Kështu shfaqet dashuria, por edhe siguria e udhëtimit të saj që mbështetet në një jetë, moraliteti i së cilës nuk ka nevojë për tu provuar.
Kjo poezi nuk e njeh patetikën e retorikën edhe kur jo rrallë shfaq kundërshtimin si refleks ndaj veseve të përditshmërisë. Kundërshtimin nuk e forcojnë shprehjet e forta, gjithë shkundëllim ndjenje. Bindjet, ashtu si burimet poetike vijnë nga thellësira shpirtërore që nuk turbullohen lehtë. A ndihet megjithatë urrejtja në poezinë e Verës? Është e kuptueshme të kërkohet prania e saj, që kundrohet jo përmes sarkazmës, po nëpërmet një ironie të hollë. Synohet që përmes vijëzimesh të pakta të portretizohet gjithë ajo që është e huaj për shpirtin njerëzor. Mjegulla e bardhë, e shtrirë gjithandej në peisazhe vjeshtore të Kukësit duke depërtuar rrafshit të gjerë dhe grykave të shumta, si dukuri natyrore paralajmëron ardhjen e dimrit. Nën mjegullën poetike zbuten rrudhosjet e egra, zbutet egërsia e vështrimeve, maskohet vrazhdësia e jetës.
Më shumë se sa nën dritë verbuese, njeriu nën mjegull ruan intimitetet e veta, dhimbjet e trishtimin, po edhe harenë e një vetmie të paqtë e brengëshëruese. Poezia ushqehet përmes kërkimesh të pareshtura. Është rast fatlum që reshjet poetike nuk janë të pakta. Kur jetohet poetikisht, viset e pashkelura mbeten përherë joshëse. Në vise të reja që zgjerojnë kufijtë e prurjes poetike duket ecja e sigurtë që vjen prej një pjekurie mjeshtërore. Vërehet shpesh në këto poezi shprehja poetike me një dendësi emocionale të lakmueshme, plasticiteti i saktë ngjeshja dhe kondensimi. Muzikaliteti në të shumtën e rasteve vjen i qetë, po i beftë në gjetjet e natyrshme. Kam bindjen se kristalizimi i prirjes poetike do t’i sjellë Verës një begati të përhershme poetike.