BallinaPolitikeNegociatat, ish-ministrat e Jashtëm letër BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Negociatat, ish-ministrat e Jashtëm letër BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

spot_img
spot_img

Dhjetë ish-ministra të jashtëm i janë drejtuar me një letër të hapur Bashkimit Europian lidhur me procesin e integrimit.

“Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, e të Parlamentit Evropian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Evropën Juglindore.” thuhet në letër ndërsa apelohet BE të kapërcejë ndasitë për këtë çështje.

“Prandaj, hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.” shkruhet ndër të tjera.

Letra e plotë:
Vatrat e trazuara dhe tensionet përreth Bashkimit Evropian vazhdojnë: Siria, Iraku, Libia, Ukraina, Mesdheu Lindor. Në jug të Bashkimit Evropian po formohet një hark i paqëndrueshmërisë gjeopolitike. Ne nuk duhet të lejojmë që ai të zgjerohet. Stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në Evropën Juglindore lidhen drejtpërdrejt me konsolidimin e projektit evropian dhe përfundimin e ribashkimit të kontinentit tonë me pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Një proces që nisi 30 vjet më parë.

Kundërshtimi këmbëngulës ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, me gjithë rekomandimin e Komisionit Evropian dhe vullnetin e pjesës më të madhe të vendeve anëtare të BE-së, e të Parlamentit Evropian, e ka dobësuar ndikimin e mbetur të BE-së në pragun e vet, duke vënë në rrezik aftësinë e saj për të farkëtuar zhvillime strategjike e stabilitet në Evropën Juglindore.

Ky është një gabim strategjik që ndihmon në konsolidimin e status quo-së në Ballkanin Perëndimor dhe të inercisë së BE-së në një hartë gjeopolitike gjithnjë e më të rrëmujshme. Detyra e Bashkimit Evropian është të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore. Prandaj, procesi i pranimit të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë një politikë e përgjegjshme dhe jo të konsiderohet si barrë.

Veç kësaj, kundërshtimi për të filluar bisedimet e pranimit me vendet e lartpërmendura minon autoritetin dhe besueshmërinë e BE-së. Për një rajon si Ballkani Perëndimor, që po bën çmos të forcojë sundimin e së drejtës dhe të përmirësojë standardet sociale e ekonomike, procesi i anëtarësimit në BE mbetet i pazëvendësueshëm. Sidoqoftë, më e rëndësishme për ndjeshmërinë e këtyre vendeve, të cilat e kanë hedhur spirancën e tyre te BE-ja, është impakti psikologjik i bisedimeve të pranimit dhe efektet transformuese që ato gjenerojnë. Mbi të gjitha, kjo është një çështje besimi. Që në vitin 2003, nga Samiti i Selanikut, udhëheqësit e BE-së u zotuan për anëtarësimin këtyre vendeve.

Në rrethanat aktuale, garancitë e dhëna nga BE-ja për vendet e rajonit nuk do të kenë më të njëjtën vlerë. Prandaj, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë arritja e kompromiseve, për të kapërcyer mosmarrëveshjet bilaterale dhe për të çliruar energji pozitive. Kjo është një shenjë paralajmëruese për trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të cilat kanë besuar për një kohë të gjatë te mbështetja e BE-së. Kjo minon procesin e bisedimeve ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe fuqizon forcat centrifugale në Bosnjë e Hercegovinë.

Procesi i pranimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu një proces i shtet-ndërtimit dhe për të njëjtën arsye një proces stabilizimi për të gjithë rajonin. Ai përbën një strategji kyçe për të ushtruar një ndikim politik global të BE-së. BE-ja duhet të marrë përgjegjësitë e veta duke vepruar në mënyrë strategjike. Është pikërisht koha që BE-ja të shqyrtojë me kreativitet dhe të shoh në perspektivë rolin e vet brenda mjedisit të ri ndërkombëtar, me qëllim që të veprojë në mënyrë të pavarur në këtë mjedis dhe të forcojë kapacitetet e veta të politikës së jashtme e të mbrojtjes.

Ne i bëjmë thirrje BE-së të kapërcejë ndasitë për këtë çështje. Procesi i pranimit do të vazhdojë për shumë vite gjatë të cilave do të ketë kohë të mjaftueshme që nevoja për integrim të mëtejshëm brenda radhëve të BE-së të pajtohet me nevojën për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, hapja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbi bazën e angazhimeve të tyre, është e domosdoshme dhe për të duhet të bihet dakord në Samitin e radhës të BE-së. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje BE-së të paraqesë instrumente të reja në Samitin e ardhshëm të Zagrebit, për të konsoliduar rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nënshkruesit:
• Igor Luksiç, ish kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
• Sigmar Gabriel, ish zëvendëskancelar dhe ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
• Vesna Pusiç, ish zëvendës kryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme të Kroacisë.
• Nikola Poposki, ish zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
• Nikolaos Kotzias, ish ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.
• Karin Kneissl, ish ministre e Punëve të Jashtme të Austrisë.
• Ioannis Kasoulides, ish ministër i Punëve të Jashtme të Qipros.
• Ditmir Bushati, ish ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
• Kristian Vigenin, ish ministër i Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
• Goran Svilanoviç, ish ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Federative të Jugosllavisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular