Presidenti, Ilir Meta, përmes një deklarate të zëdhënësit Tedi Blushi ka tërhequr vëmendjen në situatën sipas tij paradoksale ku Gjykata Kushtetuese është krejtësisht jashtë funksionit.
Fatmirësisht, thuhet në reagimin e Presidenti të Republikës, tashmë jemi në fazën finale ku Kuvendi dhe Presidenti do të emërojnë 3 anëtarët e tjerë të këtij institucioni.
Duke iu referuar ligjit, zëdhënësi Blushi shprehet se në datën 15 tetor Kreu i Shtetit bëri zgjedhjen e parë, ndaj dhe tashmë i takon Kuvendit të votojë kandidatin e radhës.
“Presidenti i Republikës është në pritje që Kuvendi në datë 11 nëntor 2019 të votojë në seancë zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese dhe menjëherë sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji do të dekretojë emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese që do të plotësojë vendin vakant të ish-gjyqtares, znj.Altina Xhoxhaj”, shprehet Blushi.
Referuar përplasjes së radhës, ku KED i dërgoi listën e emrave për dy kandidatë njëkohësisht, fakt që përcaktonte si afat për dekretim 8 nëntorin, Kreu i Shtetit thekson se nuk ekziston asnjë individ apo institucion sipas Kushtetutës e ligjit, që t’i imponojë Presidentit të Republikës të shkelë Kushtetutën, që në këtë rast është shumë e qartë.
Blushi shton se Presidenti i Republikës në veprimtarinë tij ka treguar se ka qenë garant i Kushtetutës dhe do të vazhdojë të ushtrojë këtë rol edhe përgjatë procesit të ringritjes së Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që i gjithë procesi i ripërtëritjes së saj të mos dëmtohet nga askush.
“Cilido që ushqen iluzione se duke provokuar dhe duke bllokuar me tej ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do arrijë përfitime afatshkurtra politike, do të zhgënjehet shumë rëndë” shprehet ai.