Ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu, u paraqit sot në Prokurorinë e Tiranës, ku ishte thirrur pas protestave tek Unaza e Re.
Jashtë dyerve të Prokurorisë, ish-deputeti Balliu paralajmëroi se mbrëmjen e sotme do të publikojë provat, që tregojnë se kush janë hajdutët e vërtetë të pronave në zonën e Unazës, ndërsa shtoi se në të vërtetë aty nuk ka një projekt, por gjithçka po bëhet për të shkatërruar banesat e qytetarëve dhe për të ngritur kulla oligarkët.
Më tej, Balliu tha se banorët do të vazhdojnë protestën për të mbrojtur banesat e tyre, duke shtuar se ata që i kanë dhunuar, sipas tij policia, do të shkojnë në kokërr të burgut.
“Banorët do të vazhdojnë dhe do të marrin shpërblimin cent për cent. Ata që i dhunuan do shkojnë në kokërr të burgut. Nuk prisja asgjë më shumë, as më pak, dhe as më shqetëson e bezdis, pasi ne e dinim që në momentin që vendosëm të përballemi me mazhorancën, ata do të bënin gjithçka, qoftë, arrestime, dhunë, shtyrje, gaz lotsjellës. I dinim të gjitha këto, por ajo që na shqetëson sot është se qytetarët mbetën pa shtëpi. Na shqetëson dhimbja e tyre. Gjatë gjithë kohës, qeveria ka gënjyer banorët, duke iu thënë se nuk preken, por që tani do t’i rrafshojnë banesat.
E vërteta është se aty nuk ka projekt, është një projekt fantazmë. Aty ka një zgjerim, që bëhet për të shkatërruar shtëpitë dhe për të ndërtuar kulla këta oligarkët. Por, shqetësimi ynë është me qytetarët e dhunuar, për të cilët këta do të mbajnë përgjegjësi. Filmat e tyre as na trembin. Ata tregojnë se janë në përpëlitjet e fundit. Janë gjuajtur me gurë gra në moshë e fëmijë, nga policia. Është hedhur gaz lotsjellës, ku janë helmuar qytetarët. Këta i quajnë zaptues, hajdut pronash, por sot në darkë do të shihni provat, se kush janë hajdutët e vërtetë të pronave.
I druheni dënimit?
Këtu gjithçka ndodh. Ata shkuan për t’i vrarë. Neve nuk po na çon ligji nëpër gjykata, por Edi Rama.
Avokati i Balliut: Është thjesht një formë presioni, nuk mund të marrësh të pandehur një komunitet të tërë atje për grumbullim të paligjshëm, ndërkohë që ata janë në të drejtën e tyre.