Adela Gjoka ishte në vit të fundit të shkollës së lartë, në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë. Mbrëmjen e djeshme e reja u vetëhodh nga kati i 11-të në Rrëshen, një pallat në ndërtim ku jetonte me familjen e saj.
Në të njëjtin pallat ku edhe babai i saj punonte si roje i objektit.
Adela mësohet se kishte shfaqur probleme 5 ditët e fundit.
Familjarët thonë se për shkak të provimeve, e kishin dërguar në spital për kontroll, por gjendja e saj nuk ishte përmirësuar. Babai thotë se prisnin nga momenti në moment të përjetonin dhimbjen e ndarjes nga jeta të të atit, gjyshit të Adelës, pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Por mbrëmë në orën 23:00 lajmi që nuk e prisnin, u ka krijuar një tronditje të madhe.
Adela mësohet se u mbyll në tualet, kishte vendosur një shami në sy dhe u hodh.
Familjarët thonë se britmat e saj kanë ngritur në këmbë gjithë lagjen.
Të parët që kanë mbërritur në vendngjarje thonë se e kanë gjetur të gjallë ndërsa për pak minuta ka ndërruar jetë.
Adela njihej në qytet si vajzë korrekte, e sjellshme dhe e dashur, por me sa duket drama e varfërisë nga njëra anë, presioni i vështirësisë për t’u arsimuar nga ana tjetër e çuan drejt aktit ekstrem.
I ati i Adelës thotë se mezi e përballojnë jetesën nga të ardhurat e pakëta, teksa tregon dhimbjen që i ka shkaktuar ikja e vajzës.