BallinaKronike(FOTO)/Dalin raportet sekrete të policisë, si u zhvendos kanabisi nga Lazarati në...

(FOTO)/Dalin raportet sekrete të policisë, si u zhvendos kanabisi nga Lazarati në Tepelenë

spot_img
spot_img

Nga ETLEVA DELIA

”Çdo bimë, çdo fidan, çdo farë që kapet në territorin e Shqipërisë deri në datën 15 qershor, është meritë e juaja. E drejtuesve të Policisë, e drejtuesve të degëve territoriale e me radhë. Çfarë kapet pas datës 15 qershor në territorin e Republikës së Shqipërisë është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e secilit prej jush”.

Ky ishte paralajmërimi i fortë i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një takimi që zhvilloi në kuadër të fushatës antikanabis më 9 maj të këtij viti. Sipas tij, potenciali për zhvillim, për riaktivizim të këtij fenomeni ekziston. Pas këtij takimi janë zhvilluar edhe shumë të tjerë. Është përsëritur i njëjti refren dhe u duk sikur të gjithë u bindëm se situata e kanabisit mund të ishte e njëjtë si në vitin 2017 apo edhe në 2018, kur raportet treguan rezultate pozitive. Nëse u referohemi raporteve ditore të Policisë, do e besonim vërtet se në Shqipëri as këtë vit nuk është kultivuar kanabis. Kanë qenë vetëm disa raste të veçuara, shumë pak rrënjë, disa të proceduar e disa të tjerë të arrestuar.

Deri këtu situata paraqitet e pranueshme, pasi askush nuk do ta besonte aq lehtë se ata që kishin kultivuar kanabis për vite me radhë do të “dorëzoheshin” aq shpejt. Por nëse u referohemi disa komunikatave të brendshme të Policisë së Shtetit, na rezulton se “të pabindurit” nuk janë edhe aq pak. Të paktën kështu na rezulton nga disa raporte të brendshme të Policisë së Tepelenës. Bëhet fjalë për raste të konstatuara në fshatrat e Tepelenës dhe Memaliajit nga muaji korrik, gusht e shtator.

Ne i verifikuam raportet që Policia e Shtetit publikon në faqen zyrtare “asp.gov.al”, por në asnjë prej datave që do të publikojmë më poshtë, nuk janë publikuar aksionet ku janë gjetur bimë narkotike. Të gjitha rastet e konstatuara në terren nga Policia, qoftë fidanë, qoftë bimë me lartësi deri në më shumë se 2 metra, janë referuar në Prokurorinë e Gjirokastrës. Por nga ana tjetër, Policia nuk ka bërë publike asnjë nga këto konstatime. Nëse dikush nga radhët e Policisë ka mbajtur përgjegjësi për kultivimin e kanabisit, referuar deklaratës së ministrit Sandër Lleshaj, këtë nuk mund ta dimë.

Për aq kohë sa zyrtarisht nuk dimë as sa bimë narkotike janë asgjësuar deri tani. Edhe në rastet kur Policia publikon disa aksione antikanabis, nuk preferon të tregojë sa bimë janë konstatuar apo asgjësuar. Më poshtë po publikojmë disa nga raportet sekrete të Policisë së Tepelenës për kultivimin e bimëve narkotike. Nga ana tjetër, po publikojmë edhe fotografimet nga ajri të Guardia di Finanza, të zonave ku kultivohet kanabis.

RAPORTET SEKRETE TE POLICISE

Në vijim të raportit ditor, datë 8 korrik 2019 dhe 18 korrik 2019, që bëhet fjalë për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, në vendet e quajtura “Brezat e Stokut” dhe “Hazat e Drimoit”, fshati Nivicë, Bashkia Tepelenë dhe “Mulliri i stanit” që të çon te “Të përzierat”, fshati Lekdush, Bashkia Tepelenë, janë gjetur të kultivuara 188 dhe 97 bimë të dyshuara kanabis sativa.

Nga veprimet e kryera, dokumentimi ligjor dhe provat e gjetura, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Njësinë Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë, kanë kultivuar bimë narkotike kanabis sativa.

Më datë 26 korrik 2019 u referuan materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës për shtetasin Emilian Tahiri, 30 vjeç, dhe Bardhyl Koka, 44 vjeç, banues në fshatin Gusmar, Njësia Administrative Kurvelesh, Bashkia Tepelenë. Nga kontrolli i ushtruar në vendet “Kobuz”, “Plet” dhe “Pishat e Shqefarakut”, pronë shtetërore, ambient i hapur, territor i Komisariatit të Policisë Tepelenë, u gjetën të kultivuara në tri vende me koordinata: “N 40, 22, 57”, “E 19, 87, 58”, “N 40, 22, 15, 58”, “E 19, 89, 45, 38”, “N 40, 21, 95, 77” dhe “E 19, 68, 77, 29”, u gjetën të kultivuara 89 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 15 prej tyre.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Bardhyl Koka u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy armë gjahu pa leje, me nr. 16×70, 69 mm, N50393 1954 dhe nr.12×70 18.2 F (1.0) 65 MPA 9100912 dhe 31 copë fishekë arme gjahu. Më datë 03 gusht 2019, ora 15:00, në territorin e Bashkisë Tepelenë, Njësia Administrative Qendër, vend i hapur rishtazi mes bimësisë, pronë publike, ambient i hapur në territorin e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në 3 miniparcela me sipërfaqe 22 metra katrorë, 30 metra katrorë dhe 20 metra katrorë, me koordinata: “N 40, 16, 42, 01”, “E 20, 8, 3, 36”, “N 40, 16, 43, 60”, “E 20, 8, 5, 13”, “N 40, 17, 0, 58”, “E, 20, 7, 4, 93”, u gjetën të kultivuara në vazo plastike e gropa dhe u asgjësuan 28 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.

Më datë 05 gusht 2019 u referuan materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës për shtetasin Gentjan Beta, 41 vjeç, i shpallur në kërkim dhe Bedri Llana, 70 vjeç, banues në fshatin Vasjar, Njësia Administrative Fshat Memaliaj, Bashkia Memaliaj, shtetasi Bedri Llana, me detyrë kryetar i fshatit, sepse në orën 16:00, në oborrin e banesës së shtetasit Gentjan Beta, me koordinata “N 40, 36, 97, 968” dhe “E 19, 93, 81, 856”, iu gjetën të kultivuara 15 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, ku 5 prej të cilave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi Bedri Llana ndiqet për “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.

Më datë 14 gusht 2019, u referuan materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës, si dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasin AtritRuçi, 55 vjeç, banues në fshatin Koshtan, Bashkia Memaliaj, sepse në orën 07:20, në depot e banesës së tij u gjet një qese plastmasi, ku brenda saj kishte një material bimor në trajtën e boçeve, të cilat dyshohen se janë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë 950 gramë. Gjithashtu në bacën mbrapa banesës, u gjet dhe u sekuestrua një bimë e dyshuar kanabis sativa, në koordinatat: “N 40, 24, 31, 73” dhe “E 19, 54, 7, 28”.

Më datë 15 gusht 2019 u referuan materialet në Prokurorinë e Gjirokastrës për shtetasin Felek Muça, 63 vjeç, me detyrë kryetar i fshatit dhe Arben Gjoka, 43 vjeç, banues në Tepelenë, me detyrë inspektor pyjor dhe i kullotave, pasi në vendin e quajtur “Përroi i thatë”, pronë shtetërore, territor i Komisariatit të Policisë Tepelenë, u gjetën 3 parcela të hapura me 181 bimë të dyshuara kanabis sativa, me lartësi 60-130 cm. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 15 bimë.

Sipërfaqja e parcelës së parë ishte 10×15 metra katrorë, me koordinata: “N 40, 27, 30, 397” dhe “E 19, 97, 99, 213”, parcela e dytë ishte 6×8 metra katrorë, me koordinata “N 40, 27, 80, 319” dhe “E 19, 98, 08, 733” dhe parcela e tretë ishte 7×9 metra katrorë, me koordinata “N 40, 27, 62, 209” dhe “E 19, 98, 22, 010”.

Më datë 23 shtator 2019, ora 19:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Qani Bërxha, 51 vjeç, banues në fshatin Dukaj, Njësia Administrative Qendër, Bashkia Tepelenë, sepse në orën 16:40, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative e kontrollit të banesës në fshatin Dukaj, Tepelenë, nga efektivët e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bahçen e shtëpisë së tij u gjetën të kultivuara 50 bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis sativa, me lartësi 130-220 cm, në një sipërfaqe 100 metra katrorë, në koordinatat: “40, 19, 31, 8” dhe “E 19, 58, 01, 2”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 bimë, si dhe në kasollen mbrapa banesës së tij u gjetën në proces tharjeje një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kanabis.

Guardia di Finanza: Në 2018, 3 herë më pak parcela kanabisi


Në mesin e muajit shkurt, Guardia di Finanza prezantoi raportin për kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2018, duke theksuar se Shqipëria ishte hequr nga harta e kultivimit të drogës.

“Është konfirmuar ulje e plantacioneve, janë identifikuar vetëm 27, nga 88 që ishin në 2017. Tregohet një ulje domethënëse edhe e kanabisit të sekuestruar në Itali, me 81% brenda një viti”, tha gjeneral brigade, Giuseppe Arbore, gjatë aktivitetit.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e detajuar për kontrollin e territorit, Policia e Shtetit mori masa për evidentimin dhe goditjen e fenomenit që në gjenezë me goditjen e farërave, sigurimin e informacionit dhe goditjen e kultivimit të fidanëve e bimëve narkotike në sera diellore, tunele të braktisura etj. Në total, për vitin 2018, Policia e Shtetit, në kontroll territori angazhoi 19 862 grupe kontrolli, ku janë kryer gjithsej 415 506 orë shërbimi. U ndërtua harta dixhitale e sipërfaqeve të tokave, pyjeve dhe kullotave, ku ishin kultivuar bimë narkotike përgjatë viteve, ose potencialisht mund të kultivoheshin bimë narkotike gjatë vitit 2018. U implementua dhe funksionoi rrjetit informatik i Policisë së Shtetit i sistemit elektronik “GIS – NARKOTIK”.

Ky sistem siguroi të dhëna të plota dhe mundësoi raporte analitike për kontrollin e territorit, informacionet e dërguara nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, raportet e monitorimit ajror dhe rastet dhe vendet e kultivimit të bimëve narkotike.

Drejtim tjetër ishte edhe forcimi i kapaciteteve e njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit, vlerësimit të informacionit dhe pajisjes me mjetet e nevojshme. Vitin e kaluar, Policia e Shtetit e filloi bashkëpunimin shumë herët dhe si rezultat Guardia Di Finanza filloi fluturimet ajrore të monitorimit prej datës 5 prill 2018. U kryhen 40% më shumë fluturime se vitin e kaluar.

Janë kryer gjithsej 69 misione fluturime monitorime ajrore me 187 orë e 42 minuta fluturimi, ose 43 orë 26 minuta më shumë se në vitin 2017. Në total për vitin 2018, nga monitorimet ajrore janë identifikuar 675 bimë narkotike kanabis sativa ose 4642 bimë më pak se në vitin 2017. Për rezultatet e këtij viti që jemi, do na duhet të presim vitin e ardhshëm për një informacion zyrtar./ Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular