Një shkresë që u është dërguar punonjësve të administratës gjatë ditëve të fundit, nga ana e Ministrisë së Financave u ka kërkuar atyre që të konfirmojnë se nuk kanë detyrime tatimore të papaguara. Ky njoftim u ka shkuar individëve që mund të kenë ndonjë aktivitete privat, si përshembull juristëve, apo dhe atyre që mund të jenë aksionerë në ndonjë shoqëri.
“Të gjithë punonjësit në varësi të strukturave tuaja respektive, të paraqesin një konfirmim të faktit se nuk kanë në ngarkim asnjë detyrim tatimor të papaguar, duke filluar nga detyrimet individuale dhe deri nga pjesëmarrja si aksioner në shoqëritë tregtare”.
Ky njoftim, që bëhet për herë të parë, vjen në një kohë që buxheti është keq në të ardhura, çka duket se i ka detyruar financat që të kërkojnë të mbledhin të ardhura nga çdo burim i mundshëm.
Të ardhurat në total për periudhën janar-shtator arritën në 343 miliardë lekë, me një rritje prej 4.2% me bazë vjetore. Në krahasim me planin, buxhetit i mungojnë rreth 8 miliardë lekë, ose rreth 65 milionë euro. Të ardhurat totale nga TVSH-ja, që është zëri kryesor në buxhet që sjell mbi 30% të të hyrave në total, ranë me 4.4%, të ndikuara nga performanca e dobët e TVSH-së së brendshme, një tregues direkt i konsumit. Për 9 mujorin rritja e të ardhurave u mundësua nga ulja e tatimit mbi dividend nga 15% në 8%, me efekt prapaveprues dhe për vitet e mëparshme, çka bëri që bizneset të nxitonin të shpërndanin fitimet deri në shtator, kur ishte dhe afati i fundit. Të dhënat për tetorin nuk janë publikuar ende, por tashmë financat nuk mund t’i mbajnë më shpresat te dividendi.
Financat po përpiqen ndërkohë që të gjejnë para që të japin shpërblimin e përvitshëm për pensionistët në fund të këtij viti. Ministrja e Financave ka pohuar se për këtë u duhet një fond prej 3 miliardë lekësh dhe deri nuk ka pasur një akt normativ që të garantojë alokimin e këtyre fondeve.
Edhe buxheti i vitit të ardhshëm pritet të jetë i shtrënguar. Fondi për politika të reja pagash është zero, ndërsa dhe shpenzimet kapitale, ato që shërbejnë për rrugë, spitale, shkolla etj priten me ulje./Monitor