Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta është mbledhur sot, ku do të shqyrtohet mbi veprimet apo mosveprimet e kreut të shtetit sa i takon dekretit të zgjedhjeve. Kreu i këtij komisioni, Ulsi Manja tha se në mbledhje do të diskutohet për dy raportet e Komisionit të Venecias, paraprakun dhe atë përfundimtar.
Kërkesa për shkarkim është bërë nga maxhoranca, kur Meta vendosi që të shtyjë datën e zgjedhjeve, duke zhdekretuar 30 qershorin
“Kemi lënë që në një seancë të Komision, do të bëhet shqyrtimi i raportit të Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias është shprehur me dy opinione, një paraprak dhe një final. Kolegët e mi të komisionit e kanë marrë opinionin e Venecia, të përkthyer nga shërbimet e Kuvendit. Si dhe përveç administrimit, po në zbatim të planit të hetimit, do të administrohen edhe informacionet e dhëna nga institucionet”, tha Manjani.
Ndërkohë, nënkryetari i këtij komisioni, Alban Zeneli, përfaqësues i opozitës në Kuvend, tha se ky komision nuk duhet të vonohet me marrjen e një vendimi sa i takon kësaj çështje. Mes të tjerash ai tha se nuk do të bëhet pjesë e asnjë retorike nga kryeministri Rama apo dhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës, ndërsa shtoi se komisioni duhet të japë qëndrimin e tij; e ka shkelur apo jo Meta Kushtetuën.
“Kjo është seancë e rëndësishme, pasi po hetojmë për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, një president. Ky komision duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Është më e qenësishme integritet i këtij komisioni, sesa çdo lloj vendimi që duhet të marrë. Gjej rastin t’ju them se ka një arsye dhe qëllim që është ngritur ky komision. Jemi pak të vonuar, pasi ne kemi pasur kohë të mjaftueshme që ai qëllim që është ngritur ky komision, duhet të kishte mbaruar më herët. Rama ka dalë para Kuvendit dhe ka thënë; ‘që ai nuk e meriton atë pozicion që ka’. Ne sa më parë, administrimin e këtyre dokumenteve që na kanë ardhur, t’i shqyrtojmë që sot dhe të dalim në një vendim të prerë, se nëse e ka shkelur Presidenti Kushtetutën apo jo. S’do të bëhem pjesë e asnjë retorike apo pazari që doni të bëni me presidentin e Republikës. Ndaj, dua nga ju që një orë e më përpara të marrim në shqyrtim të gjitha informacionet e ardhura nga institucionet. Rama bashkë me drejtues politikë të PS, kanë dalë para opinionit publik dhe kanë thënë; se presidenti nuk e meriton të qëndrojë në atë zyrë.