Flet Nadeem Ilahi, përfaqësues i lartë rajonal për Europën Qendrore dhe Juglindore i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)
Nadeem Ilahi, përfaqësues i lartë rajonal për Europën Qendrore dhe Juglindore i FMN dhe një nga autorët e raportit “Nxitja e rritjes në Ballkanin Perëndimor, Roli i Zinxhirit Global të Vlerës dhe Eksportet e Shërbimeve”, thotë se eksportet janë një mjet për të nxitur një rritje të qëndrueshme. Ai e vë theksin në zbatimin e reformave nxitëse, që do ta bënte ekonominë më aftë për t’u përballur me mjedisin për të cilin kanë nevojë eksportuesit.
Ndonëse ka qenë përfaqësues i misionit të përhershëm të FMN-së në Shqipëri, në periudhën 2012 – 2015, z.Ilahi nuk preferon të flasë specifikisht për Shqipërinë, por e sheh atë në këndvështrimin rajonal. Gjithsesi, ai pranon se, me rritjen që po ngadalësohet, hapësira për nxitës fiskalë është e ezauruar, për shkak të borxhit të lartë, ndaj fokusi duhet të jetë te reformat strukturore. Dhe Shqipëria, për shkak të nivelit të ulët të saj, ka dhe potenciale tepër të larta.
Cilat janë disa nga gjetjet kryesore të raportit?
Një nga gjetjet e raportit është që shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk janë shumë të hapur ndaj tregtisë në krahasim me vendet e reja anëtare të Bashkimit Europian, me të cilat ne i kemi krahasuar. Kjo nënkupton që tregtia, e cila matet si raporti i eksporteve dhe importeve ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto është e ulët në vendet e Ballkanit, në raport me shtetet anëtare.
Mendojeni tregtinë si një tub dhe kur ky tub është i ngushtë, atëherë dhe rritja në vendin tuaj është e ngushtë. Kur zgjeroni tubin, atëherë do të ketë më shumë rritje dhe ky është dhe objektivi, që të fillojmë të bëjmë pyetjen se si ta zgjerojmë atë.
Çështja tjetër që ne kemi është zinxhiri global i vlerës. Kjo është mënyra moderne e rritjes së eksporteve. Bota po bëhet shumë e ndërlidhur dhe kompanitë e vendosin produktin në vendet ku ka produktivitet më të lartë dhe kosto më të ulët. Produkti mund të lëvizë në vende të ndryshme që të prodhohet. Shembulli më i mirë janë vendet e Europës Lindore ku p.sh., qarkullojnë motorët dhe makinat midis Gjermanisë dhe Republikës Çeke, Hungarisë, Sllovakisë etj. Dhe kjo i ka nxitur ndjeshëm eksportet, po ashtu dhe vlerën e shtuar për këto ekonomi.
Kjo është arsyeja pse ne po e studiojmë rastin e Ballkanit Perëndimor, sepse ne duam që rritja të përshpejtohet dhe eksportet janë një mënyrë për ta bërë këtë.
Shqipëria pozicionohet më keq nga vendet e tjera të rajonit në lidhje me kapacitetet eksportuese. Si mund të përmirësohet ajo?
Një nga përgjigjet që e kemi në studim, të cilin inkurajoj lexuesit tuaj që ta lexojnë, përmend tre fusha, ku infrastruktura është e para. Por çështja e infrastrukturës nuk është lajm gjithsesi në Ballkanin Perëndimor. Ne e dimë të gjithë që infrastruktura është e dobët. Një tjetër problem janë aftësitë e forcës së punës dhe kjo është gjithashtu një çështje që dihet.
Ne gjithashtu kemi gjetur se reformat e thella të tregtisë kanë rëndësi. Me reformat e thella nuk e kam fjalën për të reduktuar tarifat. Ato janë tashmë shumë të ulëta në Ballkanin Perëndimor. Ato nuk janë problem. Reforma të thella do të thotë që ta bësh ekonominë më të aftë për t’u përballur me mjedisin për të cilin kanë nevojë eksportuesit. Kjo do të thotë që ju duhet të hiqni qafe të gjitha ligjet diskriminuese, të garantoni zbatimin e kontratave.
Ajo që ne pamë në Europën Qendrore është se reformat që ndodhën si rezultat i procesit të tyre të anëtarësimit i adresuan këto çështje, si p.sh., zbatimi i kontratës, mjedisi miqësor ndaj eksporteve. Dhe ky do të jetë momenti kur do të shihni një rritje të eksporteve dhe në zinxhirin global të vlerës.
Këndvështrimi ynë është që shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të presin për anëtarësimin në BE. Ato duhet t’i bëjnë këto reforma tani. Dhe ato duhet t’i bëjnë ekonomitë e tyre më të hapura dhe më të afta për të tërhequr ata investitorë të huaj që janë pjesë e zinxhirit të vlerës. Këtu ne mendojmë se potenciali i Shqipërisë është një ndër më të lartët, pasi është ende larg krijimit të këtij ambienti. Nëse e shfrytëzoni do të shihni përfitime shumë të mëdha në rritjen e eksporteve, pasi keni dhe një afërsi gjeografike me Italinë, jeni afër shumë ekonomive në rritje të Europës Lindore.
Politikëbërësit duhet të fokusohen më tepër në këto çështje, sepse pikërisht nga eksportet do të vijë rritja. Ju shqetësoheni për njerëzit që po ikin, shqetësoheni për stanjacionin, por ju e keni një mundësi që, në njëfarë mënyre, shtetet e tjera nuk e kanë. Jeni të vendosur gjeografikisht pranë një grupi vendesh që janë motor rritjeje. Duhet vetëm të tërhiqni vëmendjen e tyre.
Shqipëria vijon të ketë si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, ndërkohë që 40 % e eksporteve i ka tekstile dhe më pas shitjen e naftës. Si mund t’i shpëtojmë kësaj?
Keni të drejtë. Vlera e shtuar si një komponent i eksporteve është e ulët në Shqipëri. Përgjigjja e kësaj pyetjeje lidhet me faktin se ju do të përmirësoheni në momentin që produktiviteti i punonjësve do të rritet. Kjo do të çojë në paga dhe eksporte më të larta. Por, si mund ta rrisni produktivitetin e punonjësve? Njëra rrugë është nëpërmjet reformave, për të cilat fola, sepse në fund të fundit ju doni që të vijnë më shumë investitorë dhe të sjellin teknologji të niveleve të larta të vlerës së shtuar. Niveli i investimeve duhet të jetë i lartë, po ashtu dhe mjedisi duhet të jetë i sigurt, në mënyrë që investitorët të vijnë dhe të qëndrojnë për një kohë të gjatë dhe të punojnë me kompanitë lokale, duke u bërë më pas model dhe për të tjerët. Në këtë mënyrë, zgjerohet zinxhiri i vlerës. Po ju jap një shembull. Volkswagen hyri në Sllovaki dhe kjo ishte pika e madhe e kthesës. Të tjerët thanë, shiko Volkswagen hyri në Sllovaki, do të shkojmë dhe ne.
Po të shikoni, edhe vetë Europa Lindore, edhe sot e luan kartën e kostos së ulët të fuqisë punëtore. Këtë bënë edhe para 15 vitesh dhe e bëjnë dhe sot. Por, ndërkohë, kanë rritur dhe aftësitë. Këtë duhet të bëjë dhe Shqipëria, të rrisë aftësitë dhe më pas t’u thotë investitorëve hajdeni dhe bëjeni investimin.
Një tjetër çështje që e theksuam në studim është që nuk duhet të harrojmë se shtetet e Bashkimit Europian janë të vogla. Ato nuk kanë ekonomi shkalle. Për këtë arsye dhe integrimi rajonal është shumë i rëndësishëm. Një investitor i huaj ka më shumë të ngjarë ta mendojë rajonin si më të vlefshëm ekonomikisht, në krahasim me një shtet të vetëm. P.sh. të mos presin të kufi në radhë, të mos rrinë të merren me doganat. Kjo nuk është gjë e mirë nëse doni të zgjeroni zinxhirin global të vlerës. Të gjitha këto çështje që ne i kemi theksuar në raport duhet të adresohen.
Në një nga grafikët e raportit, Shqipëria përmendej si vendi që mund të kishte përfitimin më të madh në eksportin e shërbimeve nëse do të përmirësonte politikat. Konkretisht, çfarë politikash duhet të përmirësojë?
Eksportet e shërbimeve kërkojnë një kapital intensiv pune. Ju duhet të keni një forcë pune që të jetë në gjendje t’i ofrojë ato, pra njerëz të aftë. Duhet të përmbushni kërkesat për infrastrukturën, p.sh., atë që kërkon teknologjia e informacionit si lidhja me bandë të gjerë.
Një tjetër shqetësim i eksportuesve të përfshirë në zinxhirin global të vlerës është aksesi në financë. Edhe firma me përvojë që eksportojnë thonë se kanë probleme për të marrë kredi.
Ky problem është për Shqipërinë apo për të gjithë Ballkanin?
Në përgjithësi, por besoj se kjo është dhe situata në Shqipëri. Mbaj mend disa vite më parë, kur po flisja me një prej eksportuesve tuaj më të mëdhenj në prodhimin e këpucëve, që ata ankoheshin se kërkesat për kolateral për të marrë një hua nga banka për kapital punues ishin shumë të larta.
Këto janë çështje që duhet të debatohen. Pse ndodh kështu? Pse kompanitë e mëdha duhet të kenë problem për të siguruar financimin e përditshëm, kur banka e di që paratë do të paguhen? Por, mendoj se potenciali për Shqipërinë është tepër i lartë.
Si një ish-përfaqësues i FMN-së për Shqipërinë, si do t’i vlerësoni zhvillimet në Shqipëri. Sa do të preket vendi nga ngadalësimi i ekonomisë europiane?
Do të doja të qëndroja larg komenteve për vende specifike dhe të përqendrohem te Ballkani. Ne tani presim një ngadalësim të rritjes ekonomike në rajon. Europa, si e tërë, do të shohë një ngadalësim vitin e ardhshëm dhe do të rimëkëmbet gradualisht më vonë në 2021-2022. Mendimi ynë është që rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i shpëtojë kësaj tendence. Vetëm kanalet se si do të ndodhë janë të ndryshme midis Europës Lindore dhe Ballkanit. Europa Lindore është e lidhur më shumë me zinxhirin industrial me atë Perëndimore, pra një ngadalësim i industrisë në Europë, që po ndodh tashmë, po përhapet në Lindje. Me Ballkanin Perëndimor, lidhjet janë pak më ndryshe, ka të bëjë më shumë me remitancat që vijnë nga Europa Perëndimore. Shërbimet gjithashtu do të ndikohen. Gjithsesi është e vështirë të mendohet që këto ekonomi nuk do të ndikohen.
Çfarë duhet të bëjnë vendet që të amortizojnë këtë ndikim negativ nga jashtë, sa u përket politikave të brendshme?
Këshilla jonë për politikat ka qenë që në rast se rritja do të bjerë poshtë niveleve që krijojnë hendek të prodhimit duhet të ndërhyhet me politika për ta nxitur atë. Në rast se vendi ka hapësira fiskale, pra borxhi publik nuk është shumë i lartë, atëherë të përdoret kjo hapësirë për të nxitur kërkesën. Në këtë drejtim, vendet e Ballkanit, ndonëse janë përmirësuar, nuk kanë shumë hapësira. Si rrjedhojë, e rëndësishme është vazhdimi i reformës strukturore me qëllim që të rritet produktiviteti i ekonomisë. Në afatin e gjatë, kjo është shumë e rëndësishme
Me hapësirë fiskale, nënkuptoni rritjen e shpenzimeve, apo uljen e taksave?
Ku ekonomia ngadalësohet, kur operon poshtë potencialit, qeveria mund të shtojë kërkesën për të kompensuar kërkesën e dobët nga biznesi. Se si mund ta bëjë këtë, kjo është çështje tjetër. Ka disa limite, sepse niveli i borxhit është një kufizim. Nxitja fiskale do të nënkuptonte rritje shpenzimesh, apo ulje taksash. Monitor