Sonte në emisionin “N’Kosovë show”, i cili transmetohet edhe në “News 24” u paraqit rasti i një familjeje me tre anëtare, një gruaja me dy vajzat e saj, të cilave iu është shembur shtëpia në Thumanë dhe tashmë janë në qiell të hapur.
Vajzat treguan se ata tashmë jetojnë në kamp e se janë në qiell të hapur.
Vajza tjetër deklaroi se prisnin vdekjen nga ajo që ndodhi, por shtoi është një fat i madh që sonte janë ende gjallë.
“Prisnim vdekjen në fakt, nuk mendonim se do të shpëtonim. Kemi dalë pasi ka mbaruar tërmeti. Edhe nëse shtëpitë të bëhen prapë aty, unë nuk besoj se do të doja të rrija prapë aty, sepse kemi përjetuar një tmerr të madh. Përjetuam gjendje shoku. Në kamp kemi pasur të hamë, kemi pasur kushte”, tha vajza tjetër e familjes.
Imami Elvis Naçi dha lajmin e mirë, se shtëpia e parë që do të dhurohet në Thumanë, me kontribut të shqiptarëve do shkojë për Fatmirën dhe vajzat e saj.
“Sot me kontribut të shqiptarëve ne do bëjmë një të mirë. Shtëpia e parë që do të ndërtohet do jetë e juaja. Fatmirës do t’i blihet banesë e re. Ju jeni tre femra dhe nuk iu shkon shqiptarëve kjo, ju e meritoni një banesë të re”, tha Elvis Naçi./ BW