Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka rrëfyer se si u organizua qeveria e Kosovës brenda 30 minutash për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë së goditur nga tërmeti. Në një intervistë për gazetaren e “Abc News”, Haradinaj theksoi edhe për mosmarrëveshjet me kryeministrin Edi Rama. Ai shpjegon se e ka pasur të vështirë të lidhet me Ramën ndërsa me Presidentin Ilir Meta ka komunikuar direkt në lidhje me situatën e krijuar pas tërmetit.
“E kemi përcjellë me shqetësim lajmin për tërmetin, 26 nëntori dhe tërmeti ishte një ngjarje me përmasa të mëdha dhe na ka tronditur edhe në Kosovë. Unë personalisht kam qenë gjatë mobilizimit të njësive të specializime të ekipeve- kërkim shpëtim.
Komunikimi me kryeministrin Rama është bërë e pamundur, kam një periudhë të gjatë kohorë ka qenë e vështirë për të komunikuar, ndërsa me presidentin Meta kemi komunikim direkt. Mospajtim me kryeministrin e Shqipërisë kam vetëm me një temë, ajo është ndarja e Kosovës, nuk është personale, mbroj interesin e vendit tim.
Nuk kam hezituar të bashkëpunoj me Hashim Thaçin, kam qenë i bindur që ai do të ishte dakord me të gjitha përgatitjet. 30 minuta na janë dashur për tu përgatitur, së pari kam marrë në telefon Komandantin e Ushtrisë, Policisë, ende pa u marrë ftesa nga Shqipëria ne të jemi gati, dhe kur të merret ftesa të jemi gati për tu nisur. Në rastin tonë kemi shkuar si njësi jo si individ,” – tregoi Haradinaj.