Banorët e pallatit 12 katësh në Lezhë pretendojnë se Bashkia i ka bërë thirrje që të mos futen në pallat sepse ka dëmtime serioze. Ndërkohë nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë me bindje se pallati është i sigurtë dhe disa thyerje xhamash nuk e bëjnë atë të pasigurtë.
Ky i fundit në sy të banorëve i ka thënë Lleshajt se pallati është konsideruar i rrezikshëm pasi ka çarje trarësh mbajtës. Megjithatë ai thotë se duhet një ekspertizë më e specializuar.
Por ministri Lleshaj nuk e ka lejuar të flasë duke ngritur madje dhe zërin e duke i thënë disa herë ‘stop’.
Pjesë nga debati:
Banorja: Nuk banohet në këtë pallat pa u bë ekspertiza.
Inxhinieri, Drejtori i urbanistikës: Ministër a mund të sqaroj diçka të lutem. Jam drejtori i urbanistikës. Kemi verifikuar këtë pallat bashkë me kryetarin. Në katin e tretë të banimit, në të katër anët, trarët mbajtës janë të çarë. Kemi sjellë një grup tjetër për ta verifikuar. Na duhet ekspertizë më e specializuar..
Lleshaj: Ti shefi i urbanistikës. Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik.
Shefi i urbanistikës: Nuk i kam thënë unë këto fjalë.
Lleshaj: Kush i ka thënë?
Shefi i urbanistikës: Kryetari vetë.
Lleshaj: Po kryetari çfarë është?
Shefi i urbanistikës: Në gjykimin tonë ishte shumë e rrezikshme.
Lleshaj: Çfarë është kryetari? Përhapni kot me njerëzit. Kjo është xham i gjithi, nuk është thyer një xham bëni budallallëqe kot.
Shefi i urbanistikës: Situata nuk është e mirë aspak sepse e kemi verifikuar…
Lleshaj: Stop, stop! Në qoftë se i thua vetes inxhinier mendohu mirë kur flet! (vazhdojnë debatet)