Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 4 vite burgim Konstandin Xhuvani, djalin e ish-deputetes socialiste Luiza Xhuvani, këtë herë për ‘Mbajtje pa leje të armëve luftarake’.
Vendimi për Xhuvanin është dhënë tre ditë më parë, por vetëm sot është bërë publik.
Bashkë me Xhuvanin është dënuar edhe ish-infermieri i Spitalit Psikiatrik në Elbasan, Kujtim Budani.
Budani është dënuar me 18 muaj burg për ‘Falsifikim të dokumenteve’.
Vendimi nga tre gjyqtarë të Gjykatës së Gjirokastrës, u dha pasi u analizuan provat e dërguara në gjyq nga prokurori.
Si Xhuvani ashtu edhe Budani i janë drejtuar tashmë Gjykatës së Apelit për të rrëzuar vendimin, ku kërkojnë të shpallen të pafajshëm.
Konstandin Xhuvani është dënuar me 35 vite burgim për vrasjen e katër personave pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë me 4 nëntor të vitit 2014.
Ishte kjo vrasje që riktheu në vëmendje edhe historinë e armës në Gjirokastër në prill 2014, për të cilën akuzohej Xhuvani.
Edhe pse ishte mbyllur disa herë si dosje, Prokuroria mundi më në fund të zbardhë ngjarjen e ndodhur në Gjirokastër
Ku thuhet se nga kryerja e ekspertizës balistike të armës që përdori Xhuvani në masakrën e katërfishtë në Tiranë rezultoi se përputhet me tre gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e Gjirokastrës.
Ku më 25 prill 2014 kjo armë u përdor gjatë një konflikt me armë, ku nuk pati të lënduar.
Sipas këtij akti ekspertimi, rezulton se: “…tre gëzhojat e fiksuara në lidhje me ngjarjen e datës 25.04.2014, në lokal “Lei–Lui”, në Gjirokastër, janë qitur nga pistoleta model 54, kalibër 7.62 mm me nr.14053073..” – thuhet në vendim.
Gjatë marrjes pyetje lidhur mbi këtë ngjarje, Konstandin Xhuvani tha se nuk ishte ai autor i ngjarjes. Ai deklaroi se më 24 prill ishte për vizitë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Policia bëri kqyrjen e kësaj alibie, nga ku mori edhe një kopje të librit të konsultave në këtë spital.
Në një nga fletët e këtij libri rezultoi se ishte shënuar emri i Kostandin Xhuvanit në datën 25 prill 2014, ora 17:00.
Ndërkohë gjatë hetimeve prokuroria zbuloi edhe falsifikimin në librin e konsultave në Spitalin Psikiatrik, çka çoi edhe në ngritjen e akuzës ndaj ish-infermierit të spitalit Psikiatrik Kujtim Budani.