Ish-drejtori i Institutit për Krimet e Komunizmit, Argon Tufa në një intervistë për “Zërin e Amerikës” komentoi drejtimin e presidencës së OSBE-së nga Shqipëria.
Teksa iu citua se komponenti kryesor për përzgjedhjen e një vendi është ai human, Tufa u shpreh se ky është një lloj paradoksi absurd, që nuk u bë faktike tani, por prej kohësh.
Pjesë nga intervista:
VOA: Zoti Tufa jemi në vitin 2019 dhe ironia është se pikërisht sot Shqipëria merr presidencën e radhës të OSBE-së ku një komponent është komponenti human. Çfarë mendimi keni?
Agron Tufa: Këto lloj paradoksesh të një rendi absurd unë nuk di se si kanë mundur të ngjasin. Por kjo gjendje nuk erdhi dhe u bë faktike e tillë tani. Ne nuk u përballëm me detyrat dhe detyra kryesore ishte eliminimi ose mënjanimi, spastrimi nga hapësirat publike të institucioneve, të legjislacionit, të drejtësisë, të trashëgimisë komuniste. Unë mendoj se ne nuk u përballëm dot atëherë kur duhej dhe si duhej me këtë trashëgimi, e cila të vetmen mënyrë sjellje ka pasur atë të përndjekjes, kërcënimeve, pushkatimeve e të gjenocidit siç i kam studiuar unë këto 8 vite në dokumentet e dosjeve të arkivave të cënimit të shtetit.
Më tej Tufa tha se tashmë pas largimit do të ketë mundësi më të mëdha që të flasë dhe të tregojë të vërteta rrëqethëse. Ai theksoi se në Policinë e Shtetit ka persona me begraund të zi.
“Unë besoj se do të kem mundësi të tjera, jo drejtpërdrejtë shtetërore, por do të jem nga disa pikëpamje më i lirë për të thënë të vërteta rrëqethëse dhe të troçta, se si institucionet më të larta që nga ato ligjvënëse deri tek ato të ndjeshmërisë së veçantë si SHISH apo Policia e Shtetit janë të mbushur plot për plot me njerëzit me begraundin më të zi”, u shpreh Tufa.